Ditari i Hysni Kapos, ish-sekretar i KQ për organet e diktaturës

“Në Grecalli të Fierit u presin pemët e oborrit atyre që s’shkojnë në punë”

“Në çështjen e luftës kundër ndjenjës së pronës private jemi ende larg, na duhet të bëjmë një revulucion”

“Krushqia e SHBA-ve me Kinën, në dëm të revolucionit dhe popujve”
Si e tronditi Tiranën vizita e Niksonit në Pekin

…vijon nga numrat e kaluar
Lajmi për vizitën e papritur të Presidentit amerikan në Kinë në vitin 1972 është përjetuar nga Tirana zyrtare me peshën e një drame tronditëse. Ajo që hyri në histori si java që ndryshoi botën, për liderët politikë shqiptarë paralajmëronte një mot të acartë në marrëdhëniet me aleatin e vetëm komunist. Në ditarin e Kapos pasqyrohet kronologjikisht mënyra si u prit ky lajm i beftë nga autoritetet zyrtare, cili ishte reagimi i Enverit ndaj lajthitjeve kineze dhe si u projektua strategjia e divorcit gradual me shtetin e madh aziatik. Prej vitesh, Tirana zyrtare i kishte dërguar disa mesazhe e këshilla mbi një sërë çështjesh aleates së saj të madhe në Azi, por pjesa më e madhe e tyre ishin shpërfillur hapur dhe nuk ishin marrë në konsideratë, duke rritur pakënaqësinë e udhëheqësve shqiptarë, veçanërisht të kreut të Partisë, Enver Hoxha.  Nga kujtimet e Kapos, që deri në atë kohë kishte vizituar disa herë Kinën e Maos, konstatohet se përplasjet me miqtë kinezë kishin nisur më herët, qysh kur Pekini zyrtar orvatej të rregullonte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe të hapej me Perëndimin.

Kapo shkruan se në verën e vitit 1971 kishin mësuar nga agjencitë e huaja se Henri A. Kisinger, këshilltar i Presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, kishte zhvilluar një vizitë të fshehtë në Pekin, pa marrë mendimin e aleates më të ngushtë, Kinës. Të tjera zhvillime të papritura në Kinën e Maos pasuan njëra-tjetrën në fillimin e viteve ’70. Tashmë lajmet nga Pekini në zyrën e Enverit zinin kreun e axhendës dhe kreu i Partisë konsumonte orë të tëra me bashkëpunëtorët e afërt për vijën e sjelljes ndaj lidershipit kinez që zhytej dita-ditës në “llumin e borgjezisë dhe imperializmit”. Vizita e Niksonit në Pekin, pas asaj të Titos, Çausheskut dhe Karilos, shefit të Partisë revizioniste spanjolle, lexohej në Tiranë jo thjesht një devijim i rastit, por një rreshtim i Kinës në “krahun e forcave reaksionare dhe antipopullore”. Jo rastësisht takimet e përditshme të sekretarëve të KQ, mbledhjet periodike të Byrosë Politike të kësaj periudhe, siç dokumentohet nga ditari i Kapos, kanë për kryefjalë tradhtinë e Kinës ndaj çështjes së revolucionit dhe internacionalizmit. Sakaq, një tjetër ngjarje e paprecedentë në një fshat të Fierit është bërë objekt diskutimi në kupolën e regjimit.

Në marrëzinë e tyre, krerët e kooperativës së Grecallisë kanë ndëshkuar fshatarët e zonës që nuk shkonin në punë rregullisht duke u prerë pemët e oborrit të shtëpisë. Një fletë-rrufe në qendër të fshatit, por edhe një fluks letrash në adresë të Komiteti Qendror, kanë ngritur në këmbë mbarë udhëheqjen e Partisë, e cila, siç pohon në ditarin e tij Kapo, ka zbarkuar në terren për të zbutur sadopak zemëratën e banorëve të ndëshkuar. Ngjarja e pazakontë në fshatin e largët të Myzeqesë, kujtohet edhe sot me një ndjenjë urrejtje. Reagimi brutal e skandaloz i liderëve lokal jo vetëm që la një shije të keqe për banorët e zonës, por u kushtoi atyre jo pak. Përvecc dëmit ekonomik, shumë kush prej tyre u penalizua edhe politikisht, si sabotues i vijës së partisë për fuqizimin e ekonomisë kooperativiste. Pavarsisht mënyrës si e përshkruan Kapo në ditar, reagimi i detyruar i autoriteteve pas protestës masive të banorëve të zonës, sicc pohojnë sot dëshmitarët, ishte një masë zbutëse, sa “për të kaluar lumin”, sepse ndëshkimet kolektive të këtij lloji vazhduan edhe më vonë, madje jo vetëm në Gërxalli, por në pjesën më të madhe të fshatrave të Fierit. Ishte koha, shkruan Kapo në ditar, kur revolucioni i luftës kundër ndjenjës së pronës private duhej të shënonte progres të vrullshëm”.

Ditari i vitit 1971-1972

6 shkurt 1971
Mbasdite, në orën 16:40, bëmë ceremoninë e dekorimit të shoqes Nexhmje Hoxha me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Erdhi edhe shoku Enver. Të gjithë u gëzuan pa masë. Kolektivi i aparatit i dorëzoi një mesazh. Nexhmija lexoi një fjalim shumë prekës dhe me përmbajtje të lartë.

17 shkurt 1971
Nga Kina morëm lajm se një nga udhëheqësit kryesorë, Cen Po Ta, doli tradhtar. Numërohen fajet e tij që prej 40 vitesh më parë e deri sot. E çuditshme si ndodh që këta tradhtarë në gjirin e udhëheqjes kryesore nuk po mbarojnë.
Rita sot ka ditëlindjen, shkuam për urim.

8 mars 1971
Në Vlorë. Bashkë me Viton shkuam për vizitë te shoku Enver, që po pushon te shtëpia te Uji i Ftohtë. Atje qëndrova për drekë. Shoku Enver foli gjatë për problemet e Ushtrisë dhe të përgatitjes për mbrojtje nga armiqtë e shumtë. Më tha se shumë shpejt për këto çështje duhet të bëjmë një Plenum.

10 mars 1971
Nisa pushimet në Vlorë.

7 prill 1971
Sot kujtojmë ditën e zezë kur u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste. Mbreti satrap, Zogu, me gjithë bandën e tij e kishin shitur me kohë Shqipërinë tek Italia fashiste. Ai si mbret kukull sundoi mbi 14 vite nën mbrojtjen dhe mbështetjen e Italisë. Populli e urrente këtë xhelat dhe tradhtar. Okupacioni fashist u prit me armë. Satrapi Zog me bandën e tij mbushi valixhet me thesarin e vendit dhe i lanë rrugën të hapur okupacionit. Ai u largua për të mos u kthyer më kurrë.

24 prill 1971
Morëm pjesë në festën e aviacionit. Erdhi edhe shoku Enver e Myslim Peza. U bë një demonstrim i shkëlqyer ajror. Në përfundim foli edhe shoku Enver. Ai ngriti çështjen e mbrojtjes dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me stërvitjen. Nga Rinasi në Tiranë u kthyem me helikopter. Ashtu edhe shkuam. Shoku Enver sot për herë të parë udhëton me helikopter të Ushtrisë.

1 maj 1971
Sot parakalimi i klasës punëtore. Me shokun Enver u takuam në shtëpinë e Partisë. Uruam njëri-tjetrin për festën. U nisëm në drejtim të Dajtit për të zënë vend në tribunën e parakalimit. Në darkë asistova me Viton në hedhjen e fishekzjarrëve. Morëm me vete edhe Andin. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm, sidomos kur hidheshin fishekzjarrët.

9 maj 1971
Në darkë u takova në shtëpinë e Partisë me shokun Enver dhe shokët e tjerë. Këndova fjalimin e Titos në kongresin e vetëadministrimit. Duket qartë se gjendja është kaotike. Titua dhe vija e tij falimentoi. Tashti Jugosllavia ka filluar luftën midis grupeve, republikave e kombësive, e cila me siguri do të thellohet më tepër me gjithë kërcënimet që bën Titua se do të marrë masa ndaj shkaktarëve.

1 qershor 1971
Çaushesku zbriti në Pekin. U prit me nderime të mëdha nga udhëheqësit kinezë, nderime që nuk i meriton si drejtues i një vendi që e heq veten si socialist. Partia Komuniste rumune me Çausheskun në krye po luan rolin më të ndyrë në interes të imperializmit dhe të revizionizmit. Pritja që i bëhet në Kinë, ndihmon këtë tradhtar të fitojë kapital si brenda, edhe jashtë vendit dhe të veprojë më aktivisht kundër komunizmit ndërkombëtar.

30 qershor 1971
Qëndrova në shtëpi. Më ka zënë belaja me mjekët. Ngulin këmbë të mos dal. E bëjnë djallin më të zi nga sa është. Më vjen keq që nuk mora pjesë në plenum.

14 korrik 1971
U vura në korent mbi veprimet e gabuara të skuadrës së volejbollit të Shkodrës që ishte në Kosovë dhe me kuptimin jo të drejtë që ka në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë. Si duket, ka lëshime edhe nga organet qendrore që dobësojnë vigjilencën. Shoku Enver më porositi të vëmë rregulla të forta për njerëzit që shkojnë jashtë shtetit.
 
16 korrik 1971
Sot Radio Pekini dha komunikatën zyrtare që bën fjalë për takimin e përfaqësuesit të Niksonit me Çu En Lain për ftesën që i bëhet Niksonit për të shkuar në Kinë, ftesë të cilën Niksoni e priti me kënaqësi. Kreu i imperializmit amerikan, krimineli dhe xhelati i popujve, armiku i egër i njerëzimit, shkon për vizitë në Pekin, i ftuar nga kryeministri kinez. Pse ky komplotist dhe luftënxitës ftohet të vejë në Pekin? Këtu nuk ka logjikë marksiste. Armiku i njerëzimit nuk duhet të shkojë në një vend socialist. Këtë mundësi ia dha udhëheqja kineze dhe ky është një gabim i madh dhe nxjerr në shesh karakterin e vijës politiko-ideologjike të partisë dhe qeverisë kineze, sigurisht vijë e gabuar, jo konsekuente. Partia jonë nuk mund të jetë kurrë dakord me një politikë të tillë. Nuk është marksiste të shikosh interesat e ngushta nacionale, në dëm të internacionalizmit proletar.

17 korrik 1971
Mbrëmë biseduam deri vonë me shokun Enver për vizitën e Niksonit në Kinë. Shoku Enver theksoi se vetëm Marksi e Lenini punuan e luftuan deri sa vdiqën si revolucionarë dhe internacionalistë, duke mos lejuar në asnjë rast shfaqje të interesave të ngushta nacionale. Kurdoherë vunë në plan të parë interesat e revolucionit dhe të internacionalizmit. Kjo nuk ka ndodhur me të tjerët, ashtu siç nuk po ndodh sot në Kinë me udhëheqjen kineze.

24 korrik 1971
Lexova materialet që solli Xhoxhi Robo lidhur me bisedimet e Cu En Lait për vizitën e Niksonit në Kinë. Është me të vërtetë revoltonjëse dhe për të ardhur keq jo vetëm kur sheh argumentet që përdor Çu En Laji për të justifikuar ftesën që iu bë Niksonit, por edhe për faktin që ndaj kriminelit dhe vrasësit Nikson shokët kinezë kanë tre vjet që mbajnë qëndrim dashamirës dhe bëjnë negociata. Ndërkohë në propagandën e jashtme nuk kanë lënë gjë pa thënë për imperializmin amerikan dhe Niksonin.
Ndërkohë që Niksoni me ushtrinë e tij i ka sjellë aq vuajtje popullit vëlla vietnamez, i cili ka 20 vjet që lufton me armë në dorë dhe ka humbur mbi një milion djemtë të tij në fushën e betejës, shokët kinezë bëjnë tratativa për të ardhur Niksoni në Kinë. Sa turp! Ku është internacionalizmi proletar? Ku është besnikëria ndaj çështjes së revolucionit, komunizmit dhe popujve? Nuk ka bërë vaki as në praktikën e vendeve borgjeze që të ftohet një kryetar shteti me të cilin nuk ke marrëdhënie diplomatike. Niksoni dhe paraardhësit e tij e kanë përbuzur e luftuar aq shumë Kinën dhe të drejtat e saj dhe ky armik i betuar ftohet në Pekin(!).

2 gusht 1971
Në mbledhjen e Byrosë Politike shqyrtuam përgjigjen që do t’u japim kinezëve me rastin e ftesës që i kanë bërë Niksonit. Me të drejtë shokët e vlerësuan mbledhjen historike. Pasdite u nisa me Viton në Vlorë për të filluar pushimet.

15 tetor 1971
Mbledhja e Byrosë Politike për të shqyrtuar masat organizative për Kongresin që do të mblidhet në nëntor. Shokët kinezë njoftuan se nuk do të dërgojnë delegacion në Kongres. Qëndrim që është rezultat logjik i vijës që po ndjek udhëheqja kineze.

16 tetor 1971
Sot shoku Enver mbush 63 vjeç. Në orën 9 të gjithë anëtarët e Byrosë shkuam për ta uruar. Qëndruam rreth një orë. Uruam, u gëzuam, dolëm në fotografi.

18 nëntor 1971
Biseduam me shokun Enver për probleme ndërkombëtare; për vajtjen e Karilos në Kinë dhe konsekuencat që ka për lëvizjen komuniste një qëndrim i tillë i Partisë kineze ndaj një partie revizioniste si ajo spanjolle.

18 janar 1972
Prita Gani Strazimirin. Kishte sjellë një aparat mikrofilmash ku projektuam studimet që kishte bërë Instituti i Ruajtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Shqipëria jonë e vogël është një muze i vërtetë pasurish kolosale arkeologjike. Dokumentet që paraqiten janë një dëshmi e gjallë e kulturës së lashtë ilire, e talentit dhe aftësive të stërgjyshërve tanë. E përgëzova për punën e bërë, dëgjova problemet që më shtroi, ka të drejtë do ndikoj që t’i mbështesim.

22 shkurt 1972
Niksoni mbërriti në Kinë. Në aeroport e priti Çu En Lai. U prit nga Mao Ce Duni. Filluan bisedimet Nikson- Çu En Lai. Bota kapitaliste e ka mirëpritur këtë vizitë të kreut të imperializmit amerikan në Kinë. Qëndrimin tonë ia kemi bërë të qartë me kohë udhëheqjes kineze lidhur me këtë vizitë. Ne jemi të bindur se këto hapa që hodhën kinezët nuk pajtohen me qëndrimin që një shtet socialist duhet të mbajë ndaj imperializmit amerikan, xhelat i popujve dhe xhandar ndërkombëtar, që përveç luftës dhe armiqësisë ndaj Republikës Popullore të Kinës, nuk ka bërë asgjë më tepër.

27 shkurt 1972
Shoku Enver sot u kthye nga Burreli. Doli komunikata e bisedimeve Nikson-Çu En Lai. Duket qartë nga përmbajtja se kinezët po ecin përpara në marrëdhëniet kino-amerikane. Megjithëse në kushte jo të barabarta pse SHBA nuk e ka njohur Republikën Popullore të Kinës për 22 vjet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me të, ushtritë e SHBA në Tajvan mbajnë në fuqi Çan Kai Shinë, megjithëse SHBA e ka kthyer në fushë lufte gjithë Indokinën dhe vret popullin e pafajshëm, Niksoni, ky xhelat e kriminel i popujve, është ulur këmbëkryq në Pekin dhe deklaron paturpësisht se do t’i sigurojë paqen e sigurinë botës. Duke i ngritur aq lart bisedimet kino-amerikane, bën demagogji se Kina dhe Amerika janë për paqen, për bashkë-ekzistencën, për ndërtimin e një bote të re që do t’i siguronte paqen njerëzimit. Fryma e komunikatës dëshmon se vizita e Niksonit në Kinë dhe bisedimet aty i siguruan Niksonit zgjedhjen si president, dëshmon për lëshime dhe kapitullimin e Kinës që në fakt u fut në bashkëpunim me Niksonin e SHBA që janë bërë gjakatarë. T’i shohim tymin ku do t’i dalë kësaj rruge.

28 shkurt 1972
Biseduam me shokun Enver dhe Ramizin për qëndrimin që do të mbajmë në shtyp lidhur me komunikatën për bisedimet e Niksonit në Kinë.

3 mars 1972
Shkova me Ramizin te shoku Enver se ka qenë me rrufë. Folëm për probleme ndërkombëtare. Folëm për bisedimet kino-amerikane…
 
17 mars 1972
Thirrëm me Hakiun Piro Gushon dhe na raportoi për veprimet e gabuara në kooperativën e Grecallisë. E qortuam, e porositëm të marrë masa. I kërkova mendimin shokut Enver për të bërë një letër për veprimet arbitrare që kryhen nga organet drejtuese të kooperativave. Na e aprovoi.

24 mars 1972
Në orën 07:30 filloi mbledhja e Byrosë së Partisë të rrethit të Fierit për çështjen e veprimeve të gabuara në kooperativën e Grecallisë. I dëgjova për analizën që kanë bërë dhe masat që janë marrë. U fola për gabimin e rëndë, për përgjegjësinë e Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv, për masat që duhen marrë për të vënë në vend drejtësinë dhe dëmin e shkaktuar. Porosita të bëhet mbledhja e Plenumit dhe të diskutohet problemi. U aprovuan konkluzionet dhe përgjigja e flet-rrufesë. Pasdite nga ora 16:30 u takova me fshatarët që u janë prerë pemët. Më copëtuan zemrën. Me të drejtë ishin revoltuar nga akti. Barbar dhe antiligjor qe veprimi i kryetarit të kooperativës dhe i sekretarit të byrosë që dhanë urdhër për t’u prerë pemët këtyre. U fola. U gëzuan për faktin që shkova dhe i vura në dijeni si mendon udhëheqja, si e dënon këtë akt dhe për qortimin që u bëri udhëheqja Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

AFRIM IMAJ

Burimi: Panorama.com.al