Nga Iskra Thoma

Ishin ditë të nxehta gushti, çuditërisht edhe kjo verë Violës po i dukej goxha e gjatë. Pesëmbëdhjetë ditëshin e pushimeve e kishte bërë që në qershor në plazhin e Durrësit me fëmijët dhe vjehrrën, i shoqi kishte shkuar me shërbim në zonat malore. Sa më shumë shkonte e ajo e ndjente që ai mungonte, i dukej se kishte përplasur çdo gjë tek të tjerët. Për të ekzistonte vetëm puna.

Viola nuk mund të mohonte ndihmën e madhe që i jepte vjehrra, e cila gatuante e kujdesej për fëmijët kur ajo shkonte në punë, po pasditet e saj ishin strapacuese e monotone, aq më keq të shtunat e të dielat, gjatë të cilave, i shoqi shkonte me shokë në stadium, ishte tifoz i çmendur i Tiranës. Pasditet e pakta kur ndodhej në shtëpi atij i pëlqente të rrinte shtrirë, të shlodhej o të shikonte ndonjë program në televizor. Për të ndihmuar në punët e shtëpisë as mund të mendohej, por edhe asnjë argëtim së bashku. As koncerte, as pushime, as udhëtime, vetëm ndonjë vizitë të domosdoshme tek fisi i tij apo i saj.

E vitet kalonin…

Viola sapo kishte mbushur të tridhjetë e pesat, ishte plot energji e dëshirë për të jetuar aktivisht. Monotonia po i merrte frymën. Dhe më të padurueshme ishin shenjat e xhelozisë nga ana e tij, shpesh duke e provokuar e kontrolluar gjatë orarit të punës, sidomos qëkur ajo kishte filluar punë në Radio-Televizion.

Viola ishte një grua e bukur edhe pse e imët e që binte pak në sy. Ishte një tip që i pëlqente alegria por tepër familjare dhe mjaft korrekte në shoqëri. Ky lloj qëndrimi i të shoqit e fyente. Ishte rritur në një familje me shumë fëmijë e me shumë alegri, të gjithë këndonin, kërcenin. Në shtëpinë e tyre hynin shokë e shoqe pa teklif. Nëna e babai kishin një mirëkuptim e besim të padiskutueshëm te njeri-tjetri. Kjo atmosferë kishte forcuar dashurinë e harmoninë midis tyre.

Kurse në shtëpinë e burrit gjeti një atmosferë tjetër, me rregulla të forta fisnore, patriarkale ku gruaja ishte e nënështruar, duhet të ngrihej e para e të binte për të fjetur e fundit, pavarësisht se dashuria e respekti në një farë mënyre deklaroheshin.

Shpesh çiltërsia e sinqeriteti që shprehte gjatë komunikimit e bisedave i krijonin keqkuptime e skena xhelozie të paimagjinueshme. Duhet të ishte tepër e kujdesshme kur të shprehte një simpati ashtu padashje edhe për një koleg pune. Në fillim ajo çuditej sepse e donte shumë të shoqin, ishin martuar me dashuri. Kishte vlerësuar shumë tek ai racionalitetin dhe rregullsinë, po jo deri në atë pikë sa t’i thanin gjykimin e të vëzhgonte me dyshim të përhershëm.

Kishin marrë rrugën gati të përditëshme për tek halla e Violës. Ajo qëndronte në mes duke mbajtur për dore të dy fëmijët. Ecnin ngadalë në trotuar me një hap monoton. Qëkur ishte bërë nënë, kur ishte kohë e mirë pasditeve, ajo i vishte bukur fëmijët, merrte edhe ushqimin me vete për ta dhe dalëngadalë shkonin tek shtëpia e hallës, motrës së pa martuar të babait të Violës. Në atë shtëpi me oborr me pemë e gjelbërim fëmijët kishin mundësi të loznin e argëtoheshin në ajër të pastër.

Halla, ishte me mjaft kulturë, ishte përkthyese e njohur, po pasioni e dashuria e madhe për librat e kishin lënë pa martuar. “Këta lloj njerëzish vështirë të gjejnë anima gemella,- i kishte thënë Violës profesoresha e italishtes. Duke mos pasur fëmijët e saj, mezi i priste nipërit, ndiqte me kujdes çdo veprim të tyre, loste bashkë me ta e u tregonte përralla.

Edhe Viola përfitonte shumë nga kultura e hallës së saj, e cila i kishte kushtuar gjithë jetën letërsisë, i sugjeronte çfarë të lexonte. Biblioteka e saj ishte mjaft e pasur e shpesh e kishte ndihmuar me libra e reçensione në përgatitjen e provimeve specializuese. Viola e kishte të qartë, që vendi i punës mbahej vetëm duke studjuar e u kualifikuar përherë.

Atë pasdite ndihej tepër e rënë shpirtërisht, ditët rrokulliseshin e ngjanin aq shumë me njëra tjetrën sa ajo s’po kuptonte se si i kishin kaluar disa vite vetëtimthi, pa u kuptuar. Kështu do ishte jeta e saj? Punë shtëpi e shtëpi punë? Argëtimi i vetëm do të mbeteshin vetëm ato pesëmbëdhjetë ditë, më shumë të lodhshme e monotone, pa asnjë komoditet, në kabinat mjerane të plazhit të Durrësit?

Kishte harruar të kërcente, të këndonte ashtu siç dinte, në grup me shoqëri, do t’i pëlqente të udhëtonte të kishte emocione të reja, i dukej se po plakej pa gëzuar asgjë. Tashmë fëmijët, krahasuar me vitet e mëparshëm ishin bërë pothuaj autonomë, visheshin e bënin detyrat vetë.

Me këto mendime në kokë  Viola ecte ngadalë, nën ritmin e hapave të fëmijëve. Dielli po perëndonte e ishte një muzg i magjishëm. Rrezet e buta të diellit dukeshin sikur përkëdhelnin gjithçka, madje edhe brenda saj diçka fërfërinte, diçka gati e papërmbajtshme, emocione të mbledhura që kërkonin të shpërthenin. Ecja monotone sikur i rriste më shumë ankthin e dëshirën për të përjetuar diçka të ndryshme nga ngjarjet rutinë.

Filloi të shikojë rreth e qark, i tërhoqi vëmendjen një makinë e bardhë që shkëlqente nga pastërtia e që ecte ngadalë. E ngiste një burrë relativisht i ri. Mesa duket ishte më nge ose kërkonte dikë sepse vështronte me kujdes gati gjithë kalimtarët. Violës i shkrepi në kokë ta shihte ngultas për të vënë re reagimin e tij. Një mendim i marrë po që tashmë kishte hyrë në valle. Djaloshi filloi ta shoqëronte e t’i drejtonte pasqyrën në fytyrë. Kur Viola verbohej ai buzëqeshte.

Lodrat e diellit me pasqyrën dukej që po e zbavitnin por edhe po ndjente një rrëqethje të lehtë në trup përzier me një lloj frike nga diçka e ndaluar. Kur e pa se djali s’po iu ndahej, Viola mendoi që ta linte të shkonte përpara që të shkëputeshin, ndaloi në një stol anash rrugës duke bërë sikur u rregullonte rrobat fëmijëve. Po makina kishte ndaluar buzë rrugës, nga porta e përparme doli një djalosh i gjatë me një trup sportiv, veshur me atlete e xhinse, me një bluzë ngjitur pas trupit që i nxirrte më në pah shpatullat e gjera, krahët muskulozë e trupin e mahnitshëm si të një notari.

Vështrimi i tij ishte ngulmues e me dëshirë të papërmbajtshme për të komunikuar. Ishte një vijë manjetike që u kryqëzua midis tyre, që gruan e re e bëri të dridhej. Boshllëku në stomak e zhurma në vesh sikur po i shtoheshin. Vetëm pak minuta kishin kaluar dhe asaj iu duk sikur kishte kohë që ishin parë. O zot, ç’po i ndodhte! Mblodhi veten i kapi fort për dore fëmijët e u nis drejt me nxitim, tashmë s’ishte dhe aq larg shtëpia e hallës.

Do të hynte brënda e do ta harronte këtë lojë që po e turbullonte. Djaloshi me një hap tepër elegant hyri në makinë. Me siguri, mendoi Viola, tani do të largohet. Donte të kthente kokën, i ziente dëshira ta shihte edhe njëherë. Sa inat i vinte që s’i kishte vënë syzet e errëta. Por nuk gaboi ai ecte në buzë të trotuarit gati njësh me ta e në një moment kur vështrimet e tyre u kryqëzuan, sytë e saj nuk i bindeshin më, mbetën të mbërthyer në fytyrën e tij si me magnet.

O zot, ç’të ishte kjo ndjenjë që se kishte provuar kurrë kaq intensivisht. Po i mpinte gjykimin, ishte gati të hipte në makinën e tij edhe pse mundohej ta largonte atë mendim të çmendur. Vajza që ishte mjaft e imët e disi më e përkëdhelura filloi të ankohej se u lodh e i zuri këmbët të jëmës për ta marrë në krah. Djaloshi përfitoi nga kjo situatë, ndaloi paralel, doli nga makina dhe me një zë të dridhshëm iu drejtua fëmijëve:

-Mos e lodhni mamin, ejani t’ju çoj unë ku të doni, ju pëlqen ta bëni rrugën me makinë?

Djali i vogël, që gati të gjitha lodrat i preferonte makina, u shtang nga zëri i panjohur por vuri buzën në gaz nga propozimi joshës. Djaloshi duke e përkëdhelur të voglin i tregoi makinën që shkëlqente, pastaj e zuri për dore, pa hasur më të voglin kundërshtim, u drejtuan për nga makina. E uli në sedilen prapa shoferit e vrapoi të hapte portën tjetër për vajzën e vogël.

Viola me vajzën në krah ishte afruar pa e kuptuar as vetë. Djaloshi me një zhdërvjelltësi të habitshme, vuri vajzën e vogël pranë të vëllait, mbylli me kujdes portën e prapme dhe hapi me një reverancë tepër zbavitëse, si për një princeshë, portën e përparme. S’mund të mos vinte buzën në gaz, ajo kishte mbetur e mahnitur nga çdo veprim tepër elegant e gati i natyrshëm i këtij të panjohuri. Ajo duhej të kundërshtonte, por tani ishte tepër vonë, kishte frikë se fëmijët do të trembeshin, më mirë të hiqej sikur e kishte të njohur.

Kur ajo ishte ulur në sedilen e rehatshme e djaloshi po ndizte makinën nuk po u besonte as syve as veshëve, kishte ndodhur çdo gjë kaq shpejt sa ndjeu një shkëputje nga realiteti iu duk sikur ishte në ëndërr, apo sikur nuk ishte ajo, por një tjetër person. Ç’kishte ndodhur, as këmbët e as trupi nuk i ishin bindur, po as arsyeja se kish ndaluar të ndodhej papritmas, së bashku me fëmijët e saj, pranë një të panjohuri e brënda në makinën e tij.

Ishte bërë skllave e inkonshit të saj, një zë i brendshëm e kishte detyruar të hipte në atë makinë. Ruajna zot! Një mijë mendime i vërshuan sa ndjeu t’i përvëlonte koka e fytyra. Shtrëngoi aq fort dorën të bërë grusht sa ndjeu t’i futeshin thonjtë në mish.

“Në fund të fundit për pesë minuta do të jemi tek shtëpia e hallës”, qetësoi veten, “do të përshëndetemi e s’do shihemi më”.

Të dy fëmijët kishin filluar të luanin me pupacët e varur në makinë. Një aromë e lehtë po mjaft e këndshme profumi gudulisi hundën e Violës. Nga që rruga ishte e ngarkuar me lëvizje djaloshi ishte i përqendruar në drejtimin e makinës.

Akoma asnjë fjalë.

-Ku do të shkoni? – mori guximin i pari djaloshi të flasë.

-Tek semafori tjetër duhet të kthehemi, do shkojmë tek halla ime – tha Viola.

-Mund t’i biem nga parku, xhirua është pak më e gjatë po rruga është më e lirë nga trafiku.

-U nisëm më vonë se zakonisht nga shtëpia, e do na duhet të rrimë pak tek halla ime, ajo po na pret, duhet të kthehemi shpejt në shtëpi sepse fëmijët duhet të flenë më nëntë e gjysmë.

-Makina do të na ndihmojë që të jeni në orar në shtëpi, – ndërhyri djaloshi – unë mund t’ju pres e t’ju shoqëroj pas vizitës që mos të vonoheni.

Gadishmëria për t’a ndihmuar, kujdesi edhe për fëmijët, sikur të ishte njeri i afërt, po i mpinin edhe më shumë arsyen gruas së re.

Ndërsa makina u fut në një nga rrugët më të gjelbëruara e të bukura të qytetit, djaloshi ndezi manjetofonin. Tingujt e një muzike magjepsëse depërtuan në gjithë qenien e saj, duke krijuar një vello mbështjellëse të të dy shpirtërave, në ato çaste të papritura por intensivisht të lumturuara, tinguj që në formën e avujve bënin të shkrihej çdo akull e ngricë, çdo ankth e pengesë, të harroje çdo shqetësim, të shijoje pa nevojën e fjalës ato çaste të papërsëritshme.

Djaloshi vështronte me admirim gruan e bukur e asaj i dukej se i shtoheshin hiret: zëri i dilte më i ëmbël, lëvizjet më të këndëshme. Ai vështronte pa u ngopur sytë e kaltër të gruas, i etur sikur të donte të zhytej në thellësinë e atyre liqeneve që ndoshta si kishte parë kurrë.

Kishte kaluar pa u kuptuar gati një orë, ishin para shtëpisë së hallës së Violës e s’kishin lënë asgjë. Te të dy ndjehej dëshira të rrinin edhe ca, o të paktën shpresa që të rishiheshin.

Viola e mblodhi veten, duhet të dilte sa më shpejt nga ajo makinë, të merrte fëmijët, të superonte atë turbullim të pashpjegueshëm e të largohej sa më parë.

-Tani duhet të zbresim,- tha e vendosur Viola. Pastaj duke dalë nga makina foli edhe në emër të fëmijëve – Ju falenderojmë për shëtitjen.

-Unë do t’ju pres, sado që të vonoheni, – foli me një zë përgjërues djaloshi.

Pavarësisht se ajo u mundua të ishte mospërfillëse i erdhi mirë nga insistimi i tij për t’i pritur e shoqëruar deri në shtëpi. Megjithatë, me një zë të pavendosur, i tha:

-Nuk mund të humbisni kaq shumë kohë me ne.

-Për mua s’është kohë e humbur, do t’ju pres që të mësoj ku banoni, – i tha

si me të pëshpëritur djaloshi. Kishte qënë e çuditshme edhe për të, megjithëse e rrihte shpesh atë rrugë, të ishte e mundur që s’e kishte parë asnjëherë këtë grua me bukuri aq të rrallë, e cila e kishte magjepsur.

Ishte e qartë kishte ndodhur goditja, si goditja e rrufesë në kohë të mirë. Të dy donin t’i largoheshin asaj tërheqjeje të tmerrshme, fijet manjetike të së cilës ishin të padukshme por gllabëruese.

Photo Credit: Niklas Veenhuis

Burimi: GazetaMapo.al