Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit po mbush 66 vjet që kur është krijuar, edhe pse teatri në qytetin e Durrësit e ka zanafillën që në vitet e para të shekullit XX pwr t’u pasuar nga shfaqje të tjera pas Luftës së Parë Botërore, rreth viteve 1923-1924. Në fundin e viteve ‘40, teatri mori tjetër fytyrë. Nga viti 1945 – 1953 u përgatiten 36 premiera, të cilat u shfaqen 281 herë, duke tërhequr rreth 109 180 spektatorë. Ky angazhim solli më pas natyrshëm krijimin e teatrit profesionist të Durrësit, më 11 janar 1953. Ai u pagëzua me emrin e aktorit të madh me famë botërore dhe origjinë shqiptare Aleksandër Moisiut.

Në të kanë debutuar mjaft aktorë të shquar e me talent, që bënë që ky teatër të vlerësohej mjaft në jetën artistike të vendit tonë dhe jashtë tij. Shumë prej tyre tashmë janë larguar nga jeta. Por kanë mbetur të gdhendur në kujtesën artistike të brezave për kontributin që dhanë. Mes tyre po sjellim për lexuesin e gazetës “Dita”: Marta Burdën dhe Todi Thanasin, të cilet do të pasohen me emra të tjerë në pragun e 60 viteve të themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Në vitet e para të pas luftës, atëherë kur pak kush e kishte mendjen për shfaqje teatrore dhe jetë kulturore, disa të rinj durrsakë ngritën në këmbë grupet amatoriale të qytetit. Në moshë fare të re dhe pa asnjë përvojë, por vetëm me dëshirën e mirë dhe pasionin për interpretimin aktorial apo të kënduarit, ata i dhanë jetë shumë shfaqjeve të vëna në atë kohë në skenë në ish-kinemanë “14 Nëntori”, sot pallati i kulturës.

Në vitet ‘47-‘52 u përgatitën 36 premiera shfaqjesh të ndryshme, ndërkohë që viti 1953 shënoi vitin e krijimit të trupës profesioniste të teatrit të Durrësit. Ndërmjet shumë të rinjve që në atë kohë nisën të personalizoheshin me rolet e dramaturgjisë shqiptare dhe asaj të huaj, kryesisht sovjetike dhe kineze, si Nikolin dhe Meropi Xhoja, Teodor Rupi, Spiro dhe Vera Urumi, Vangjel Heba, Todi Thanasit, Lufti Hoxha etj.

Në vitet ‘60 në teatrin e Durrësit u bënë investime mjaft të rëndësishme. U fut teknologjia gjermano-lindore, aparaturat ishin mjaft cilësore, skena ishte e rrotullueshme, ndërkohë që një pjesë e mirë e trupës tashmë kishte mbaruar studimet jashtë vendit ose në Tiranë, kështu që dhe niveli i interpretimit artistik dhe ai regjizorial ishin përmirësuar ndjeshëm. Megjithëse pjesa më e madhe e repertorit të teatrit përbëhej nga dramaturgjia sovjetike apo ajo kineze, nuk munguan të viheshin në skenë edhe vepra të Shekspirit, Molierit, Korneit, Millerit etj.

Në ato vite, megjithëse niveli i indoktrinimit të popullatës drejt parimeve të marksizëm-leninizmit, diktaturës së proletariatit, luftës së klasave dhe recetave të revolucionit të madh kulturor kinez ishte shumë i lartë, u realizuan shfaqje mjaft cilësore dhe publiku durrsak u njoh krahas veprave të autorëve sovjetikë apo kinezë, edhe me disa nga pjesët më të mira të klasikëve botërorë. Kjo gjë nuk vazhdoi për një kohë të gjatë pasi në vitin 1966 mbas kongresit të Pestë të PPSH-së u spastrua repertori i teatrit nga drama e komedi të huaja me përjashtim të atyre kineze.

Përgatiti: E.B.
/Konica.al