Shënimet e gazetarit të RTSH-së, Timo Luto

 Ishte 31 tetori i vitit 1981. Do të përgatisja një radioreportazh për muzeun që do të transmetohej pas përurimit të tij. Për tri ditë rresht me magnetofonin në dorë hyja e dilja në këtë muze që akoma nuk kishte hapur dyert për vizitorët. Bëra shumë intervista dhe regjistrova mjaft dokumente e fakte të panjohura më parë. Një ditë para përurimit, radioreportazhin e dorëzova në programacion. Të nesërmen pasdite u bë përurimi i muzeut.

Në orën e caktuar erdhi vetë Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike. Në hyrje të muzeut Enver Hoxha u prit nga profesor Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe profesor Skënder Anamali. Ata ishin shoqëruesit në këtë vizitë të tijën në muze. Një nga drejtuesit e lartë të shtetit, kur pa se po nguroja t’u dilja përpara të tjerëve për t’i afruar mikrofonin kur bisedonte Enver Hoxha, më hapi rrugë që të afrohesha. U afrova shumë pranë sa gati e prekja, koka ime dukej gjysmë mbi supin e tij. Po regjistroja gjithçka që bisedohej. Ishim në katin e parë të muzeut, në pavijonin e Lashtësisë. Enver Hoxha dëgjonte shpjegimet e historianëve të njohur dhe pyeste herë pas here. Në një moment ktheva lehtësisht pak kokën pas dhe pashë se shumë pranë kisha kryeministrin. U ndjeva keq që isha me shpinë nga ai dhe bëra një lëvizje që t’i lija hapësirë që të afrohej, por ai nuk reagoi megjithëse e kuptoi gjestin tim.

Kryeministri mbajti të njëjtën distancë. Enver Hoxha, dy profesorët, unë dhe kryeredaktori i Zërit të Popullit  kishim krijuar një grup të shkëputur nga masa tjetër e njerëzve të ftuar, që qëndronin pas në hollin e muzeut. Ndoshta shpjegimet e dhëna nga historianët apo interesi i vetë Enver Hoxhës për këtë periudhë të jetës së kombit tonë, bënë që ai të qëndronte gjatë në këtë pavijon, të vetmin që vizitoi. Pas rreth 40 minutash qëndrimi këtu, Enver Hoxha u largua nga hyrja e pasme e muzeut. Pas tij u largua menjëherë edhe kryeministri Mehmet Shehu. Në krye të ceremonisë u vu Ramiz Alia, që e çoi deri në fund vizitën në këtë muze.

Sapo mbaroi vizita u ktheva në radio për të montuar kronikën. Me përjashtim të vizitës së Enver Hoxhës, pjesën tjetër të kronikës e kisha gati. Në redaksi dëgjova regjistrimin e bisedave të Enver Hoxhës me historianët dhe zbardha ato pjesë që m’u dukën më të përshtatshme. Kur kronika ishte gati, njoftova drejtorin të vinte për ta dëgjuar. Erdhi drejtori i përgjithshëm Çajup Rusmali së bashku me shefin e zyrës së shtypit në Komitetin Qendror, Dhimitër Tona. Nisi kronika dhe të gjithë po e dëgjonin në heshtje. Më në siklet se gjithkush isha unë, por edhe bashkëshortja ime Vjosa, që realizoi nga ana teknike. Kur mbaroi pjesa ku flitej për vizitën e Enver Hoxhës në muze, rreth katër minuta, dhe nisa të flisja për pavijonet e tjera, drejtori thirri të ndalohej magnetofoni. Vjosa shtypi butonin stop.

– Ç’është kjo?- tha i revoltuar drejtori, i çuar në këmbë. – Shoku Enver qëndroi 40 minuta në muze, kurse ti e ke katandisur në 4 minuta?!

– Po kjo është kronikë shoku Çajup,- iu përgjigja unë,- dhe në kronikë thuhen gjërat të përmbledhura, nuk thuhen fjalë për fjalë.

– Mos m’i trego mua ato,- këmbënguli drejtori akoma më i nervozuar.- Kjo kronikë nuk transmetohet kështu, bëje nga e para.

Nuk e di ç’pamje kisha në fytyrë, por një zjarrmi më kishte ndezur trupin dhe pasi i dhashë kurajë vetes i thashë prerë:

– Kjo kronikë nuk mund të bëhet ndryshe.

– Shko zbardhe bisedën e shokut Enver dhe fute të tërën në kronikë,- urdhëroi ai.

– Kështu si thoni ju kjo punë nuk mbaron as nesër,- i thashë.

– Do ta bësh,- këmbënguli përsëri drejtori.

– Kjo nuk bëhet shoku drejtor,- i thashë me një zë më të butë e miqësor.

Pas kësaj ai tha prerë: – Lëre magnetofonin. Je i pushuar.

Dola nga studioja dhe shkova e u ula në tavolinën time në redaksi. Isha tepër i tronditur dhe po merrja një ndëshkim të pamerituar. Qetësohesha për një moment kur mendoja se kisha të drejtë dhe se punën e kisha kryer ashtu siç duhej. Drejtori nuk kishte haber nga ajo punë megjithëse kishte disa vjet që drejtonte institucionin. Pas pak erdhi edhe ai në redaksinë, ku po qëndroja unë. U ul përballë meje dhe pa inat, por me seriozitet më tha: – Kronikën po e transmetojmë ashtu siç është sepse nuk kemi kohë, por do përgjigjesh ti!

– Dakord,- i thashë.

U ngrit dhe duke dalë me merakun që e mbante akoma mbërthyer tha që për orën tjetër të transmetimit të shtoja edhe ca pjesë ku flisja për Enver Hoxhën.

Pasi doli drejtori, hyri Agimi, i cili më tha të mos mërzitesha se kronika ishte e mirë dhe se ata i kishin mbushur mendjen atij të mos këmbëngulte më.

Kur u largua për herë të dytë Thanas Nanoja, në vend të tij erdhi Çajup Rusmali; askush nuk dinte gjë për të. Ndryshe nga paraardhësit e tij, çajupi, drejtori i ri nuk kishte haber nga specifika e punës në Radiotelevizion. Ai kishte punuar në godinën në krah të bulevardit. Godina më madhështore në kryeqytet, më hijerëndë, më e heshtur, më enigmatike. Edhe ata që hynin e dilnin në godinën e Komitetit Qendror dukeshin disi ndryshe dhe pa asnjë lidhje me jetën jashtë saj. Dyert dhe dritaret e saj qëndronin gjithnjë mbyllur dhe nuk kam parë asnjëherë se si hynin e si dilnin punonjësit. Të krijohej përshtypja se ajo godinë ishte bosh. Në tërë ato vite që punova në Radio Tirana nuk munda asnjëherë të hyja në të, as për shkak të detyrës sime.

Urdhrat e porositë që vinin që këtej, shkonin drejtpërdrejt te drejtori i përgjithshëm dhe ato materiale që duheshin transmetuar, çoheshin në mikrofon të plota dhe lexoheshin deri në fjalën e fundit, madje edhe data në fund të tekstit.

Edhe kur kishte interes nga Komiteti Qendror për të parë ndonjë kronikë me rëndësi, vinte ndonjë nga ata të zyrës së shtypit. Në fillim futej në zyrën e drejtorit, pastaj rëndë-rëndë vinte në studio për të dëgjuar kronikën që do të transmetohej.

Në përgjithësi nuk thoshin gjë. Kur nuk kishin vërejtje, thoshin nëpër dhëmbë “mirë” dhe dilnin të shoqëruar nga drejtori.

Më datë 1 nëntor 1981 u çel Kongresi VIII i Partisë së Punës të Shqipërisë në sallën e Teatrit të Operës. Në fasadë një portret i madh i Enver Hoxhës. Sipër në tarracë, me germa kapitale dhe të ndriçuara, shkruar “LAVDI PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË!”

Qysh në orët e para të mëngjesit në sheshin Skënderbej u grumbulluan mijëra punonjës nga ndërmarrjet e kryeqytetit si dhe grupe artistike që mbushën me muzikë e valle atmosferën entuziaste të kësaj dite. Delegatët  grupe-grupe hynin  në  sallë.  Në sfond të presidiumit të kongresit ishte vendosur një flamur i kuq me portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit: Marksit, Engelsit, Leninit dhe  Stalinit  dhe  poshtë  tyre  shkruar: “Kongresi VIII i PPSh-së.”

Si zakonisht hyrja e Enver Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike u prit me ovacione të gjata saqë Enver Hoxha duke përshëndetur me dorë po përpiqej edhe të qetësonte sallën.

Kongresin e hapi veterani komunist i orëve të para Miha Lako, pensionist nga qyteti i Korçës. Në krahun e djathtë të tij qëndronte Enver Hoxha dhe në të majtë Mehmet Shehu. Vihej  re  shumë  seriozitet  në  këtë  kongres, mungesë komunikimi midis dy të mëdhenjve, që për asnjë çast nuk kthyen as kokën nga njëri-tjetri. Po i ndiqja herë pas here këto dy figura. Asnjëherë nuk u ulën pranë njëri-tjetrit, në çdo seancë midis tyre do të ndodhej dikush që drejtonte punimet.

Në një nga seancat që drejtoi Mehmet Shehu, nuk mori pjesë Enver Hoxha. Çfarë kishte ndodhur? Asgjë nuk dihej, por një vështrim i kujdesshëm bënte të kuptoje se mes tyre kishte mëri. Të ishte e çastit, do të ishte kaluar në një nga ditët e javës së kongresit. M’u ngulit mendimi se midis tyre kishte përplasje, një zënkë apo pakënaqësi për një mosmarrëveshje mes tyre. Deri këtu shkonte parashikimi im, duke i vështruar herë pas here që nga vendi në fund të sallës ku ishte vendosur shtypi. Vështroja dhe sillja në kujtesë evenimentet e ngjashme, kur ata të dy ishin gjithmonë bashkë dhe vazhdimisht komunikonin me njëri-tjetrin.

Në raportin që mbajti mbi direktivat e kongresit për planin pesëvjeçar të radhës, Mehmet Shehu ishte fare i ftohtë, me një lexim uniform pa entuziazmin e zakonshëm, i zbehtë në fytyrë saqë nga vendi ku ndodhesha më dukej si pajetë. Më pas mësova se televizioni ishte porositur të mos nxirrte me figurë bashkëshorten e tij, Fiqreten. Një nga kameramanët në sallë ishte treguar i shqetësuar përse nuk futej në transmetim nga regjia portreti i saj, kur ai e fiksonte në kamera. Porosia deri te regjisori kishte shkuar, të tjerët nuk duhet të dinin gjë. Serioziteti i këtij evenimenti politik fshihte dramën që kishte nisur të luhej në krye të shtetit. Entuziazmi i delegatëve ishte i dukshëm. Lidhjet e udhëheqjes së partisë me njerëzit e thjeshtë të punës shfaqeshin në çdo seancë. Pranë Enver Hoxhës uleshin punëtorë e kooperativistë të dalluar, ushtarakë e heronj të punës socialiste. Këta ishin më të nderuarit dhe për ta kjo ditë, ky moment do mbetej i paharrueshëm. Po kjo ishte njëra anë e medaljes, ajo që dukej. Ana tjetër nuk kishte filluar të shfaqej.

Heshtja dhe moskomunikimi mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, flisnin shumë. Diçka kishte ndodhur, por mbahej e fshehtë për të ruajtur atmosferën e kongresit, për të mos e prishur festën…

Intermexo

Në vitin 1948 Mehmet Shehu, atëherë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të  Ushtrisë u godit nga Partia  Komuniste jugosllave dhe mbështetësit e  saj në  Partinë  Komuniste shqiptare. Prapaskenat e krijuara e të drejtuara nga ministri i Brendshëm shqiptar Koçi Xoxe, arritën ta shkarkojnë nga detyra dhe ta dënojnë me arrest shtëpie në vendlindjen e tij, në fshatin Çorrush të Mallakastrës me policë te dera. Masa ndaj Mehmet Shehut ishte edhe një goditje për Mallakstrën. Ai ishte kthyer në simbol të kësaj krahine, prandaj shokë, miq e bashkëluftëtarë të shumtë nuk pajtoheshin me të.

Shkarkimi i Mehmet Shehut ishte bërë bisedë e ditës në atë kohë në çdo familje. I tërë opinioni në krahinë kërkonte jo vetëm sqarim, por edhe korrigjimin e kësaj mase. Lufta kishte vetëm katër vjet që kishte përfunduar dhe vatra e saj ishte ende e ngrohtë, luftëtarët e saj ende gjallë, të fortë e të gatshëm për një angazhim tjetër. Edhe besimi te udhëheqja e vendit, e dalë nga koj luftë, ishte e fortë.

Në këto rrethana, të shtyrë nga situata e paqartë, disa burra me autoritet në krahinë si Sulo Mustafaj, Musa Brahimi e Bajram Meçe nga Hekali, Hysen Zeqo nga Klosi, Refat Rexhepi nga Greshica e Azis Dule nga Fratari shkuan në Çorrush për të takuar e biseduar me Mehmet Shehun.

Ata qëndruan me të, në shtëpinë e tij, biseduan gjithë natën dhe i propozuan, nëse ai dëshironte, ata ishin gati të nisnin edhe një herë luftën për të mbrojtur pushtetin që po rrezikohej, pushtet i fituar edhe me gjakun e bijve të kësaj krahine. Mehmeti nuk i mbështeti për sa i propozuan, ai u shprehu besimin te Enver Hoxha, dhe u kishte thënë nëse situata do të rëndohej dhe kjo do të rrezikonte edhe vetë Enver Hoxhën, do të ngriheshin edhe një herë në luftë për të mbrojtur fitoren e arritur me sakrifica të mëdha. Ata burra të respektuar ishin larguar me besimin tek ai dhe në pritje e gatishmëri për çdo të papritur që mund të ndodhte.

Krahu pro jugosllav u mund dhe Mehmet Shehu u kthye në Tiranë me detyrën e ministrit të Brendshëm, duke qenë ashtu si në luftë një nga mbështetësit më të fortë të Enver Hoxhës, krahu i djathtë i tij, deri në këtë ditë, në këtë kongres të fundit për të, kur për asnjë çast nuk qëndroi pranë e nuk shkëmbeu asnjë fjalë e shikim me Enver Hoxhën. Kush mund ta imagjinonte se kjo mëri kishte filluar të numëronte edhe ditët e fundit të kryeministrit shqiptar?

***

Në mbrëmjen e 18 dhjetorit u ktheva në Tiranë pas një shërbimi në jug të vendit. Si çdo herë tjetër, së pari u ktheva te shtëpia e vjehrrës, që ndodhej jo larg shtëpisë sime mbasi kur mungoja unë, gruaja dhe fëmijët qëndronin më shumë tek ajo. Sapo hyra brenda vjehrra më doli përpara e më tha se do të me jepte një lajm të keq.

U trondita pa e dëgjuar se çdo më thoshte, sepse më shkoi menjëherë mendja tek im atë që ishte i moshuar, por vjehrra nuk vonoi të ma thoshte:

– Mehmet Shehu ka vrarë veten.

Paramendimi që pata se fatkeqësia lidhej me tim atë, e amortizoi disi dhimbjen apo keqardhjen që pata nga ky lajm. E përjetova shumë vdekjen e Mehmet Shehut. Për shkak të njohjes së thellë që kisha për figurën e tij, e me ato që më kishte thënë im atë, kisha krijuar njëfarë adhurimi për të. Shërbimet e shumta që kisha pasur në vendet dhe ngjarjet ku ai kishte qenë, e kishin forcuar simpatinë time. Gjatë gjithë asaj nate nuk më zuri gjumi. Më tepër mendoja se vdekja e tij në këtë mënyrë kishte të bënte jo vetëm me të, por me të gjithë ne. Se në ç’mënyrë, nuk e shpjegoja dot.

Në një përvjetor të politeknikumit 7 Nëntori në Tiranë, dikur shkolla teknike amerikane, ku ai kishte qenë nxënës, lavdëroi drejtorin e shkollës, Harry Fultzin, i cili mbi çdo gjë çmonte punën. “Puna e ka bërë Amerikën”, thoshte ai.

Kishte simpati për njerëzit e ditur dhe nuk i duronte injorantët e servilët. I urrente sjelljet naive te kushdo, por veçanërisht tek ata që kishte rreth vetes. Prona e përbashkët i dhimbsej shumë dhe e donte vendin dhe popullin e tij. Megjithëse kishte disa ndihmës për punën e tij, ai gjithçka e përgatiste vetë. Kujtimet e tij të luftës janë të shkruara bukur, si të ishte një shkrimtar. Prirjen e tij letrare e shprehu një ditë te klubi i gazetarëve shkrimtari Petro Marko, ku shkonte çdo ditë.

– Mehmeti,- tha ai,- po të mos ishte marrë me politikë, do ishte një shkrimtar i shquar, por ishte i prerë më shumë për ushtarak.

Mehmeti ishte mik i Petros, miqësi që lindi në Luftën e Spanjës dhe që zgjati deri në fund të jetës. Para se ta çonte për botim çdo vepër, Petroja ia dërgonte Mehmet Shehut për ta lexuar. Në një nga bisedat në klubin e gazetarëve, ku më pëlqente të shkoja shpesh për të dëgjuar të madhin e të thjeshtin Petro Marko, ai kujtoi një nga ngjarjet e vështira të jetës së tij.

– Sapo kisha dalë nga burgu,- tregoi ai.- Ishte viti 1950. Me ndihmën e Sterjo Spasses dhe Spiro Xhait, që punonin në Ministrinë e Arsimit fillova punë si korrektor letrar në shtëpinë botuese Naim Frashëri, por edhe aty pas njëfarë kohe më pushuan me arsyen shkurtim organike. Ngela përsëri pa punë, që do të thoshte pa bukë. Vendosa t’i shkruaja një letër Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm. Me letrën në dorë më gjeti para hyrjes së ministrisë, Mihallaq Ziçishti, zëvendësministër. Kur më pa, ndaloi dhe më pyeti se ç’nevojë kisha. I thashë se kisha një letër për shkëlqesinë e tij, Mehmet Shehun.

– Pse i thua shkëlqesi?- më tha ai.- Ti e ke shok. Ma jep mua,- tha se po ia jap qysh tani.

– Në letër,- tregonte Petroja,- i kërkoja të më ndihmonte për një vend pune. Të nesërmen në kasollen ku jetoja erdhi një person e më tha të shkoja me të se më kërkonte Mehmet Shehu. Kur hyra në zyrën e tij Mehmeti u ngrit në këmbë dhe më përqafoi.

– Ku je mor i uruar?- më tha.- Po ti sapo dole nga burgu të kishte ardhur tek unë.

E  preku  ky  takim, por edhe  pamja ime e  mjeruar. Qëndruam bashkë mbi një orë. Pas disa ditësh fillova punë mësues në shkollën pedagogjike.

– Mehmetit ia di për nder edhe për ndihmën që më ka dhënë në botimin e librave të mi, për të cilët gjendej gjithmonë diçka për të mos u botuar.

***

Në mëngjes shkova në redaksi. Duke qenë nga e njëjta krahinë me kryeministrin e vdekur dhe të dënuar jo për krimin ndaj vetes, por për diçka që akoma që nuk ishte thënë, më dukej se të gjithë përgjonin sjelljen time. Nuk po qëndroja dot. Heshtja që zotëronte në redaksi ishte më e rëndë. Dola dhe pa i thënë askujt u nisa për në shtëpi. Pa vetëdije mora rrugën që lidh Radiotelevizionin me bulevardin e madh. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë. Përse po e përjetoja kaq shumë vdekjen e tij? Unë nuk kisha ndonjë njohje personale me të as kisha përfituar gjë prej tij. Ndoshta mund të më ndodhte diçka, largim nga institucioni ku punoja vetëm për faktin se isha nga e njëjta krahinë me kryeministrin. Të tilla raste kishte pasur mjaft në këtë institucion. Ecja dhe përpiqesha të kujtoja nëse kisha folur për të dhe sa me pasion i kisha treguar ngjarjet që lidheshin me jetën e kryeministrit tashmë të dënuar.

Nuk mund të mendoja ndryshe, kur për vdekjen e tij u dha një lajm i thjeshtë në televizion dhe radio e më pas lajmet vazhduan si në një ditë të zakonshme. Asnjë njoftim për ceremoni mortore apo për ndonjë ditë zie. Ajo që pashë gjatë punimeve të kongresit një muaj e ca më parë, ftohtësia midis tij dhe Enver Hoxhës, mëria e mbajtur fshehtë, por që gjithsesi ra në sy, ja ku përfundoi.

Kur kisha mbërritur afër bulevardit me çadrën që lëshonte anash rrëke shiu, u përballa me Muçin, kushëririn tim. Duke menduar se mos po shkoja drejt shtëpisë ku brenda ishte akoma kufoma e të ndjerit më tha me shumë merak që të mos ndaloja dhe të vazhdoja rrugën përgjatë bulevardit. I thashë se po shkoja në shtëpi dhe kaq. Ai u kthye te grupi punonjësve të shërbimit që qëndronin në trotuar në anë të bulevardit. Kur mora kthesën për të shkuar drejt sheshit Skënderbej ktheva edhe një herë kokën nga shtëpia ku pashë të nxirrnin nga portat anësore një arkivol. Shiu vazhdonte të binte me rrebesh shoqëruar me rrufe e bubullima. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Qyteti dukej si i braktisur…/Gazetadita.al/