Pas kontrollit punëtor në korrik 1971 në Teatrin Kombëtar në Tiranë, të gjithë artistët dhe drejtuesit e këtij Teatri ishin ngritur në këmbë për të analizuar konkluzionet.
Ky kontroll zhvillohej në çdo institucion, drejtori, uzina e fabrika në zyra shteti e çdo hallkë tjetër të qeverisjes. Ai ishte një prej tipareve më absurde të importuara nga revolucioni kulturor kinez. Shpesh grupe të kontrollit punëtor ia behnin nëpër fakultete, ku kritikonin për punën e tyre profesorët, apo në institucione te artit ku kritikonin krijimtarinë artistike a detaje të tjera të jetës artistike të këtyre institucioneve.

Për të shpjeguar më në detaj këtë fenomen ne sollëm për lexuesit tanë një dokument të vitit 1971 që trajtonte problemet që ishin hasur në Teatrin Kombëtar gjatë kontrollit të ushtruar nga një grup punëtorësh të NSHOA-së.

Pas atij kontrolli Seksioni i Kulturës dhe i Drejtorisë së Teatrit Popullor kishin nxjerrë një vendim, ndërsa pak ditë më vonë për këtë analizë ishte mbledhur edhe Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit dhe kishte marrë në shqyrtim konkluzionet e ekipit të kontrollit punëtor.
Vendimin e plotë e sjellim më poshtë, sipas origjinalit që ruhet në AQSH.

KOMITETI EKZEKUTIV I K.P.RRETHIT TIRANËS
V E N D I M
Nr.________ Dt._______ 1970.
Komiteti Ekzekutiv i K.P.Rrethit Tiranës, në mbledhjen e tij të datës sotme, mori në shqyrtim veprimtarinë e Teatrit Popullor,
V E N D O S I :

1) Teatri Popullor të shtojë përpjekjet për të siguruar për skenën një repertor me përmbajtjen të shëndoshë ideologjike dhe nivel të lartë artistik, që t’i shërbejë çështjes së edukimit të masave në këtë etapë të revolucionit. Ai duhet të sigurojë vepra që ofirmojnë të renë revolucionare, vepra që kanë në qëndër heronjtë e kohës, masat që luftojnë me hov revolucionar për ndërtimin e jetës së ré. Në veprat e repertorit të Teatrit Popullor të zejë vendin e duhur heroi pozitiv.

Për të siguruar një repertor të tillë, drejtoria e Teatrit Popullor duhet të forcojë e të zgjerojë rrethin e bashkëpunëtorëve, shkrimtarëve e dramaturgëve duke siguruar ndihmën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Të sigurojë një numur pjesësh të reja nga plani vjetor i premierve me qëllim që të krijojë rezerva për vitin pasardhës.

Në Nëndor të çdo viti drejtoria e teatrit Popullor t’i paraqesë për aprovim Komitetit Ekzekutiv repertorin dhe premierat për vitin e ardhëshëm.

2.- Drejtoria e Teatrit Popullor të luftojë për përmirësimin e punës për ngritjen ideo-profesionale të trupës. Për këtë të organizohen rregullisht diskutime rreth premierëve si dhe sesione shkencore. Për edukimin ideo-profesional të trupës të çfrytëzohet edhe puna e saj në prodhim. Që t’i shërbejë më mirë këtij qëllimi, puna prodhuese të zhvillohet pa ndërprerje në ndërmarrjet industriale, ferma dhe kooperativa bujqësore ku të kombinohet dhe me aktivitetin artistik.

3) Të sigurohet ngarkesë pune e plotë normale për çdo aktor. Për këtë të pregatiten paralelisht 2-3 pjesë e midis tyre dhe pjesë me një akt, komedi, pjesë të veçanta për fshatin dhe për fëmijët e moshës shkollore.

4) Teatri Popullor të japë 25-30% të çfaqjeve në kooperativat bujqësore, reparte ushtarake, në shkollat e qëndra pune të rrethit. Të japë çfaqje edhe jashtë rrethit, duke organizuar në të njëjtën kohë ardhjen e trupave të tjera.

5) Të thjeshtohet proçedura e aprovimit të pjesëve të reja brënda përbrenda teatrit. Drejtoria duhet të aktivizojë më mirë dhe të gjallërojë këshillin artistik në diskutimin e pjesëve të reja dhe të mbajë përgjegjësi të plotë për nivelin ideo-artistik të pjesëve.

6) Kolektivi i Teatrit Popullor të japë një ndihmë më të madhe lëvizjes amatore në organizimin e aktiviteteve artistike të rrethit si të Olimpiadave teatrale, të festivalit të estradave etj.
7) Drejtoria e Teatrit të marrë të gjitha masat për realizimin dhe tejkalimin e numurit të premierave, të çfaqjeve, spektatorëve dhe të të ardhurave.

8) Të forcohet metoda dhe stili në punë. Me qëllim që të mos ketë shpërdorim të kohës së punës të dublohen rolet dhe të vendoset një disiplinë rigoroze në punë në gjithë kolektivin.
9) Seksioni i Kulturës dhe Seksioni Komunal i Komitetit Ekzekutiv të marrin masa për meremetimet e nevojëshme të depos së dekorit.

10) Seksioni i Kulturës i Komitetit Ekzekutiv të kontrollojë zbatimin e këtyre detyrave.
PËR KOMITETIN EKZEKUTIV K.P.RRETHIT
SEKRETARI: KRYETARI:
(Adem Rada) (Pjetër Kosta)/ShkodraWeb