Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon raportin sekret të Drejtorit të Sigurimit ku mes të tjerash thuhet: Në Fier gjatë diskutimit rreth dramës “Historia e një vajze” të shkrimtarit Kleanth Dusha, vënë në skenë nga regjizori Leka Bungo, janë bërë kritika se kjo dramë ka mjaft skena shëtitjesh me femra të çthurura dhe vajza studente që kanë dashuruar, por që kanë prishur dashuritë e tyre, nëpërmjet të cilave edukohet keq rinia, mbasi nxitet instikti i çthurjes, ka froidizëm, të gjithë heronjtë janë negativë”.

Ashtu siç theksuam dhe në kapitullin parardhës, raport-informacionit të zv/ministrit të Arsim Kulturës, Mantho Bala (i cili asokohe mbante edhe detyrën e Kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve), dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së lidhur me problemet që kishin dalë në Teatrin (BYLIS) dhe Estradën e Fierit, i paraprinte një raport-informacion sekret i zv/ministrit të Punëve të Brendëshme dhe njëkohësisht Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Feçorr Shehu, i cili po ashtu i drejtohet Komitetit Qëndror të PPSH-së. Ku sipas praktikës, raporti i tij i e jepej sekretarit përkatës, Hysni Kapos, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit dhe njëkohësisht, Ramiz Alisë, që mbulonte Artin, Kulturën dhe Propagandën.

Dhe ky dokument pasi është parë prej tyre, më shënimet përkatëse, i është dërguar edhe Enver Hoxhës, i cili gjithashtu ka vënë shënime mbi atë dokument. Por ajo që bie në sy, është se nga raport-informacioni i Mantho Balës, është shkëputur një ekstrat prej gati një faqe, (ku bëhet fjalë vetëm për Leka Bungon), e cila i është dërguar e veçantë Enver Hoxhës, gjë e cila duket dhe nga faksimilja përkatëse me firmën e Enverit. Siç do të shohim dhe në dokumentin në fjalë të zv/ministri Feçorr Shehu, aty ai ka bërë një “tablo sinoptike”, rreth situatës politike që mbizotëronte askohe në të gjithë vëndin, lidhur me ato që thuheshin e komentoheshin pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur më 15 mars të vitit 1973 në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe gjthashtu në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror.

Ajo që bie në sy te ky raport, është se me emër përmëndet vetëm regjizori Leka Bungo, (bashkë me autorin e dramës Kleanthi Dusha), gjë e cila ka sjellë më pas dhe survejimin e ndjekjen e tij nga Sigurimi i Shtetit. Gjë e cila konfirmohet edhe nga një dokument i vitit 1989, kur Bungo ka bërë një kërkesë për të shkuar si vizitor në Greqi, tek të afërmit e nënës së tij, me origjinë dhe kombësi greke. Bashkë më këto dy dokumente që po publikojmë në këtë kapitull të librit, po japim edhe një karakteristikë të Teatrit Bylis të Fierit, e cila është lëshuar për regjizorin e njohur, Leka Bungo, ku midis të tjerash bie në sy një fjali ku thuhet: “Mëndje madhësia e ka çuar deri atje, sa që në punën e tij (Leka Bungo), duhet t’ja kalojë teatrove të tjera, për këto ka anuar nga modernizmi, konvencionalizmi në regjizurë, në podjumomaninë etj”. Për më shumë, na njohin tre dokumentet në fjalë të cilat po i publikojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe Arkivin Qëndror të Shtetit.

Republika Popullore e Shqiperisë                   SEKRET 

Ministria e Punëve te Brëndshme                Ekzemplar. Nr. 2

Drejtoria e Parë

Nr.1511. Prot.

Lenda: “Mbi komentet e elementëve armiq lidhur me problemet e revolucionarizimit të kulturës e të artit“

                                         Tiranë më 29. II. 1973

SEKRETARIT TE PARE TE KOMITETIT QENDROR TE P.P.TE SHQIPERISE

                  SHOKUT RAMIZ ALIA

                                                 TIRANE

Lidhur me fjalën e shokut Enver në Presidiumin e Kuvëndit Popullor dhe në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror, si gjithnjë ka një aprovim unanim nga tërë shtresat e popullit, ato komentohen pozitivisht dhe përkrahet lufta e Partisë kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste në art dhe letërsi dhe në mënyrën e veshjes e të jetesës. Shumë komente bëhen pse këto gjëra nuk kapeshin edhe nga shokët e tjerë që drejtojnë institucione të artit e të kulturës dhe për liberalizmin që shfaqet në mjaftë raste nga prindërit, arsimtarët, etj ndaj disa të rinjve që manifestojnë me veshjen e sjelljet e tyre ndikimin borgjezo-revizionist. Elementë armiq ashtu si çdo herë edhe rreth këtij problemi bëjnë komente që në përmbajtjen e tyre i kundërvihen kësaj lufte si psh: Disa njerës të sektorit të artit thonë: “Ne shqiptarët, jemi të çuditshëm, fryhemi menjëherë. Por një vajzë që lëshon flokët mbi qafë, shih se çfarë bëhet. Puna që bëjnë këta është për të bërë revolucion në Afrikë dhe jo të edukojnmë rininë në Europë.

Qëllimi i romaneve nuk është për të bërë vetëm edukimin klasor revolucionar, por për edukimin estetik të rinisë, por për derisa problemet artistike merren nga shija e një personi, nuk mund të bëhet gjë e saktë. Ne jemi ekstremistë të mëdhenj dhe kemi frikë mos përsëritet historia e viteve 1965 që ka qënë kulmi i triumfit të anti-arsyes”. Ata vazhdojnë, “E reja kur hyn ndesh në luftë me të vjetrën, kështu e ka kjo, tërhiq e lësho, derisa të hyjë e reja në art, kulturë, e veshje”. E kanë fjalën për ndikimet e huaja të ideologjisë borgjeze dhe e quajnë këtë si të re e jo regresive e reaksionare. Përpiqen të filozofojnë se çdo gjëje të bukur, sipas mendimeve të tyre, siç është festivali në fillim i pritet rruga, por pastaj ajo do ta çajë me doemos rrugën e re se është e re, përparimtare. Për të argumentuar mendimet e tyre trillojnë anekdoda e barcaleta.

Në Fier gjatë diskutimit rreth dramës “Historia e një vajze” të shkrimtarit Kleanth Dusha, vënë në skenë nga regjizori Leka Bungo, janë bërë kritika se kjo dramë ka mjaft skena shëtitjesh me femra të çthurura dhe vajza studente që kanë dashuruar, por që kanë prishur dashuritë e tyre, nëpërmjet të cilave edukohet keq rinia, mbasi nxitet instikti i çthurjes, ka froidizëm, të gjithë heronjtë janë negativë. Disa elementë armiq thonë se: ”Rinia tek neve mbahet nën tutelë, prandaj e detyrojnë të bëjnë gjëra të pa pëlqyera, ndërsa në vëndet e tjera të rinjtë bëjnë çfarë të duan, prandaj nuk po ndodh asgjë.

Kina u kthye me Amerikën dhe këta po kthehen. A nuk janë kthesa këto festivale, muzika e arti në vëndin tonë?“. Një punonjëse e Radio-Televizionit komenton me të tjerët se “Festivali i këngës shënoi sukses dhe u prit me entuziazëm nga të gjithë, mirëpo dalin disa injorantë dhe shkruajnë letra kundër dhe çdo gjë prishet. Fetsivali është modern, por njerëzit nuk e kuptojnë dhe të mëdhenjtë nuk duan modernizmin. Tani të rinjtë nuk dijnë si të vishen, si të krihen dhe për çdo gjë duhet pyetur Byroja Politike. Kjo është e padurueshme. Pa kaluar ky brez udhëheqjeje dhe pa ardhur jë brez i ri, me pikëpamje moderne, kështu do të ndodhi, shtrëngime pa logjikë dhe në kundërshtim me dëshirat e të rinjve”.

Në këtë sektor dhe disa shokë me përbërje të mirë kanë shprehur pakënaqësi për kritikat e bëra festivalit, flasin që u anulluan disa filma dhe emisione sepse në të dikush ka baseta, dikush flokë të gjata, etj kurse tani spikeret duken të shëmtuar se janë qethur, por s’ke ç’i bën se duhet të jemi brënda e të mos na kritikojnë. Por këto probleme kohët e fundit ndërmjet diplomatëve të vëndeve kapitalisto-revizioniste, po zhvillohet një diskutim i gjërë rreth ndikimit që po ushtron perëndimi në jetën e vëndit tonë. Për të argumentuar mendimet e tyre armiqësore, ata kanë sjellë mjaft shembuj negativë, që sipas tyre, përbëjnë fizionominë e shoqërisë sonë socialiste. Ato që ndodhën në Bashkimin Sovjetik dhe në vëndet e tjera të Europës Lindore, po i shikojmë edhe në Shqipëri.

Ja, edhe këtu, me gjithë masat e marra po shohim se rinia e ka kanalizuar jetën e saj me atë të perëndimit. Ajo dalëngadalë po përpiqet që t’i përshtatet jetesës së perëndimit, asnjë masë apo ndërhyrje, qoftë kjo e organeve qëndrore nuk po jep rezultate. Përkundrazi i kanë ndezur edhe më shumë të rinjtë, të cilët janë të vendosur të ndjekin rrugën e Perëndimit. Pikërisht këtu fillon “pantallonat, rrypat e gjerë me togza të mëdha, favoritet, dhe fedonat po përgjithësoheshin. Ato po bien në sy nëpër rrugë, lokale, shkolla, qytete, e fshatra. Dalëngadalë po duken edhe të rejat me minifunde e tualete flokësh të kthyera në favorite. Edhe në aspekte të tjera thonë diplomatët, masave që po merren po i kundërvihet pjesa tjetër e të rriturve apo e të moshuarve ndonëse thuhet: “Të mos merren bakshishe”, këto janë në lulëzim.

Asnjëri nuk refuzon kur jep bakshishin. Edhe muzika që ishte problem për këta, tani është zgjidhur në favor të muzikës moderne. Dikur emisionet e radiove të huaja me muzikë moderne e të lehtë i quanin normale, degjenerim, kurse sot, ne po dëgjojmë radiot e tyre këngë me melodi të tilla. Duke diskutuar rreth këtyre problemeve, disa diplomatë kanë arritur në përfundimin se gjoja influenca e perëndimit është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Asnjë masë disiplinore nuk mund t’ja presë hovin kësaj rruge, e cila po shton forcat e saj dhe po shkon drejt majave të larta. Çdo shtypje në këtë drejtim, sjell me vete eksplozion, flokët e gjata, veshja dhe muzika janë karakteristikë e jetës së lirë që bëhet në perëndim. E ardhmja i takon së lirë nënvizon ai. Komente e diskutime të kësaj natyre kanë bërë veçanërisht diplomatët italianë, turq, francezë, grekë, suedez, etj të cilët shpeshherë thonë se: “Merita kryesore në këtë drejtim i takon televizionit italian, që, simbas tyre, po ushtron një ndikim shumë të madh veçanërisht në rradhët e brezit tonë të ri” .

Zv. Ministri i Punëve të Brëndshme

            Feçor Shehu

Marrë nga Memorie.al