Shkrimtarja e librit “Vila me tre porta”, Vera Bekteshi e ftuar në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili në TCH ka folur mbi kushtet çnjerëzore të jetës në kampet e internimit të diktaturës komuniste.

Ajo ka rrëfyer me lot në sy momentin kur solli në jetë djalin e saj, por edhe lindjen në kushte mizerabël të së motrës, e cila ka sjellë në jetë një vajzë, që shkrimtarja e do si të sajën.

“Lindja ime në kushtet më të mira në maternitet. Nuk kisha shkuar ende në internim. Lindja ishte e vështirë si të gjitha gratë e tjera. S’ka lindje të lehtë. Për mua u treguan një çikë më mirë për arsye që kuptohen. Kurse Besjana (mbesa) bënë ç’mos që të lindte në kampin e përqendrimit. Nuk na lajmëruan kur lindi. Burrin e kishte ushtar. Atë ditë qe furtunë e madhe. Ajo ishte një lindje precipitoze. Lindi me rojën dhe sanitaren, sepse kjo ju lut mos e thërrisni mamin se e ka porosi nga burri. Ka lindur në korridor në çimento me një batanije ushtarake. Vajza lindi e mirë e shëndetshme, por ishin dy botë krejt të ndryshme”, u shpreh shkrimtarja.

(gazeta-Shqip.com)