Josif PAPAGJONI  –Isha në lozhë teksa shihja Reshat Arbanën në rolin e babait, Andreas, në dramën “Babai”, të shkrimtarit francez Florian Zeller, në teatrit “Skampa” të Elbasanit, regjisor Spiro Duni. Pamja nga sipër është përfshirëse, sikur ke një ekran të madh përballë dhe, ndonjëherë, harrohesh aty dhe pamja të duket si pikturë në lëvizje. Dimensioni i tretë, që i jep veçanti skenës dhe e dallon nga piktura, skulptura dhe arkitektura, krijohet, në fakt, nga aktori që lëviz në hapësirën skenike. Aktori është shpirti i skenës, e gjalla, gjaku dhe limfa e saj, fryma.

Hiqe aktorin dhe skena bëhet saora një hapësirë e vdekur, e ngrirë, boshe. Aktori është jeta. Është skena që bëhet jetë. Aktori është ngrohtësia. Është hapësira e ftohtë që mbushet me frymën e ngrohtë të njeriut. Aktori është Perëndia e teatrit. Në trupin, frymën, shpirtin, fjalën, ndjenjën, mendjen e tij që lëviz e digjet, lind miti. Krijohet magjia, iluzioni. Sendërgjohet subjekti. Vibron sugjestioni që na bën të harrojmë se ku jemi, që na huton, na shastis, na çart e na kredh në jermin e bukur të përjetimit të artit…

Po!… Ndërsa ndiqja syngulur lojën e Reshat Arbanës, atje tek ajo hapësirë konvencionale e skenës, që herë bëhej e madhe sa vetë historia e herë zvogëlohej në atë “kurth” hipnotik të aktit të tij aktorial, brenda meje lëviznin të gjitha çfarë thashë më sipër, që shënjojnë specifika të njohura të krijimit dhe perceptimit të aktit teatror. Por kur shfaqja mbaroi dhe procesi im meditativ e analitik ma rrëmbeu mendjen e zemrën bashkë, i gëzohesha lojës së Arbanës 77-vjeçar, dhe një mikut tim që e pamë së toku shfaqjen, aty në dalje të teatrit, nuk reshtja së thëni: E pe çfarë loje? E pe çfarë vërtetësie, çfarë individualizimi që i kishte bërë personazhit, çfarë saktësie e të vepruarit? Hajde gjeje, të lutem, një aktor të tillë në brezin e sotëm!

S’dua t’i shpërfill ata, jo aspak, por shkolla tejet realiste e aktrimit të Reshat Arbanës me një vërtetësi gati filmike, si të ishte jetë, diçka e njëmendët e njëherazi aq e përpunuar, aq teknikisht e bukur, aq e përkryer madje, ishte treguesi i interpretimit të tij brilant. E shihja se si e bërbëliste fjalën, me përsëritje rrokjesh, tingujsh, ndërprerje të qëllimta, si e llapashiste frazën enkas, për të dhënë kësisoj mbresën e njeriut me kujtesë të dëmtuar, qerthullin e vdekjes që rri përherë bri nesh, futur thellë në zbrazëtitë e trurit mbytur në kotni e trishtim, por edhe për të krijuar një ligjërim sa më origjinal, sa më jetësor, të atypëratyshëm, jo si fraza të gatshme e të mësuara përmendsh.

Unë, në këtë moshë që kam dhe me shkollën e aktrimit që kam kryer, nuk e kam të vështirë të dalloj “hiletë” më të vogla të aktorëve, shtirjen e tyre, teprinë, “lojën”, artificin, sado të fshehura bukur qofshin ato. Kjo përherë më step e më struk disi në vetvete. Është njësoj si gjesti dhe buzëqeshja e një diplomati kur përballë ka dikë që nuk e do, madje e urren, por për hir të interesave të shtetit dhe kombit të tij, duhet ta durojë, s’ka ç’bën, madje të zbardhë dhëmbët gjithë politesë. Por një aktor i formatit të lartë si Reshat Arbana e tejkalonte çdo artific e shtirje.

Dhe “mashtrimin” e tij të bukur prej artisti me një barrë përvojë, që s’është veçse përkryerja e lojës, veçse të përshtaturit në rrethanën e veprës dhe futja nën lëkurën e personazhit, veçse transformimi i tij psikofizik, sikur të ishte vetë ai babai i shastisur, të cilin e mishëronte. Dhe përtej gjymtimit mendor (demencës, alzhajmerit), ne i trembemi asaj hapësire të terrtë kur vdekja na avitet dhe na nxjerr gjuhën me humbjen e koherencës logjike dhe kujtesën e shkatërruar nga sëmundja. Është një tmerr që struket te dhembshuria, keqardhja dhe absurdi, si tri ndrikulla a “shtriga” që na thonë se duhet të mbetemi NJERËZ. Dhe e gjitha kjo – mendim, ndjeshmëri, pikëllim, dhembshuri, mesazh dhe kuptim – të falte një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Unë e di se të gjithë aktorët që e kanë parë Reshatin te ky rol së fundmi, e kanë ndjerë këtë çka po them përbrenda tyre, edhe sikur mos ta pohojnë në formën e admirimit, siç unë po e shfaq në këto radhë. Pse? Sepse ai e ka shkrirë figurën me qenien e tij aktoriale për bukuri. Ti thuajse harron se ai plak i sëmurë atje në skenë, që ngatërron dhomat, mobiliet, ditët, vitet, që i është kthyer në mani humbja dhe gjetja e sahatit (koha e pamatshme, metafora e harresës, bërja nul e saj), që jeton ende me imazhin dhe kujtimin e bijës së vdekur në një aksident vite më parë, që nuk e merr vesh nëse është në Paris, në Londër apo në një azil pleqsh e spital, që grindet aq shumë me vajzën, e cila kujdeset fort për të dhe e ka plagë në zemër ardhmërinë e tij, që është i bindur dhe i sigurt për gjësende që janë shndërruar në fanitje dhe kujtesa të shtypura nga koha, stresi dhe sëmundja, – e pra, ti thuajse harron se ky personazh i mjerë, për të ardhur keq e i mbaruar me tërësej, që të ngjall gjithpo aq shumë mëshirë e dhembshuri, s’është veçse një aktor. Aktori Reshat Arbana, “Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit”, dy tituj që i rrinë për bukuri punës së tij të palodhur, karrierës së pasur artistike, emrit të ngritur me talent, djersë, pasion, shumë përkushtim e dashuri.

Këtë shkrim ia kam kushtuar të tërin lojës së R. Arbanës. Zgjedhja e Spiro Dunit ishte e paqortueshme. Vetë suksesi i shfaqjes!… Aktorët e tjerë si Hysen Mullajonuzi, Mario Elezi dhe Elia Zaharia janë në përplotësim të tij, ndoshta Flaureta Kureta si e bija solli diç më thellë dhembshurinë dhe ngrohtësinë njerëzore që shkonte gjer në sakrificë. Afëremendsh se unë jam një fans i Reshat Arbanës, ani pse një kritik i teatrit. Por e di se nuk e teproj me lëvdata, sepse në rastin e këtij roli, si dhe në shumë role të tjerë që ai ka qëndisur gjithë kujdes në karrierën e tij teatrore dhe kinematografike, ky rol gjendet në sipëraninë e tij, qoftë pse jo i një natyre të thuket tragjike a dramatike, por i një prerjeje dhe forme tjetër gjithsesi prekëse.

Nuk është, të themi një Pilo Shpiragu gjithë shpërthime, klithma, vuajtje, dyshime, luhatje; as një Uill Lomen me fanitjet dhe çartjet e stërmundimit ekzistencial; nuk është një Selim Bruga, një Kuk Emini e të tjerë e të tjerë personazhe të thadruar nga shpirti i tij. Ai është një baba në thelb i dhembshur, por dhe cazë zevzek, me huqe, që i duket se i janë prishur të gjitha, që e ka gëlltitur dhimbjen e humbjes së gruas e sidomos të vajzës së vogël ja ashtu, në heshtjen e burrit dhe pikëllimin e të atit; që edhe pse me ndoca teprime prej natyre ekscentrike, në fund të fundit është një baba i dhembshur për vajzën.

Dhe kur syri ynë vë re se si e keqtrajton dhëndëri i paduruar e cinik, lëndohemi aq shumë në shpirt, e vëmë veten edhe ne në rrethanën e këtij prindi të sëmurë dhe duam, që nga salla ku jemi ulur dhe ndjekim veprimin teatror, të dhurojmë pakëz ngrohtësi njerëzore, pakëz mëshirë dhe dashuri; duam t’i themi “ndal” dorës që e keqtrajton dhe e rreh këtë plak të gjorë e të pambrojtur, dhe po ashtu t’i themi vetvetes “duro”, flake tej shpirtngushtësinë tënde, mos u bëj kaq cinik, kaq i vockël, kaq zëmërak me një plak! Prindi është figurë e shenjtë, nuk mund të braktiset, paçka se gjithkush në këtë jetë kërkon hapësirën e tij jetike, lumturinë dhe paqen e tij. Të durosh, të përkujdesesh për të pamundurit, të sëmurët dhe të duash, janë virtyte që lipsen selitur.

Dhembja që ndjejmë për fatin e Babait është apeli për më shumë mirësi me tjetrin. Pa na e thënë kush në formë didaktike, ne e kemi marrë ndërkohë mesazhin e shfaqjes falë interpretimit të mrekullueshëm të Reshat Arbanës, asaj vërtetësie gjer tek e pabesueshmja, atje ku qenia e aktorit bëhet një me qenien e personazhit, ku kufiri ndarës mes tyre është aq i hollë, thuajse i padukshëm, si i shkrirë, saqë lipset një sy i mësuar mirë që të shquaj filigranën e aktrimit kur arti bëhet jetë dhe jeta art. Pikërisht në këtë urë me dy harqe ecën me aq siguri dhe finesë loja fort e bukur e Reshat Arbanës…/GSH.AL/.