Fatmira Nikolli – Nuk bëhet fjalë për shembje në deklaratën e kryeministrit”. Kështu u shpreh dje Erion Isai, drejtor i Qendrës së Kulturës për Fëmijë dhe i Teatrit të Kukullave. Pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama të shtunën e kaluar, ku tha se “Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron përpara fëmijëve tanë”, ka qenë i menjëhershëm reagimi skenës kulturore që dalin kundër ideve të Ramës për shkatërrim të institucioneve kombëtare.

Dje Isai tha se “kryeministri në deklaratën e tij, ka thënë që nevojitet dhe do të kemi një teatër të ri kukullash, aty ku sot ndodhet Garda e Republikës. Unë deklaratën e mësova atë ditë nga fjalimi gjatë kohës që isha prezent në takim. Godina si teatër kukullash këtu ku jemi nuk është e vlefshme”. Drejtori shtoi se godina ka sigurisht një vlerë historike. “Unë besoj se godina do ta vazhdojë rrugëtimin e vet historik, sepse është parlamenti i parë shqiptar dhe në opinionin tim personal godina nuk duhet të shembet. Jam i bindur që nuk bëhet fjalë për shembje, por bëhet fjalë për ndërrim destinacioni. Pra, teatri i kukullave të ketë një godinë të veten dinjitoze, ashtu siç fëmijët tanë e meritojnë”, theksoi ai. Sipas Isait, duke investuar në mentalitet dhe në teatër, duke investuar në teatrin e kukullave dhe Qendrën Kulturës për Fëmijë po hidhen bazat e para të kulturës tek fëmijët. “Ne nuk po investojmë në një shfaqje, por po investojmë në një mendësi kulturore, për fëmijët dhe për një brez të ri. Po përgatisim sot një brez të ri, që do të jetë publik i Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve dhe po përgatisim dhe po mundohemi të sjellim një brez me një gusto të mirë të kulturës. Jam i bindur që do të kemi një Shqipëri me bijë dhe bijë të reja të edukuara. Ndaj kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për teatër kukullash dhe pse Tirana ka nevojë për një godinë historike si Parlamenti i parë shqiptar”, vërejti Isai.

I pyetur se çfarë do ndodhe me godinën kur teatri do jetë zhvendosur, ai tha se nuk i takon atij të flasë për këtë. “Nuk më takon mua të them se çfarë do shërbejë kjo godinë kur të ketë ndërrim destinacioni. I takon kryeministrit. Ai tha se çfarë do ndodhë me Teatrin e Kukullave, por se çfarë do ndodhë me godinën i takon Ministrisë se Kulturës dhe kryeministrit ta vendosë. Me logjikë i bie të jetë një muze për parlamentin po si do jetë është përtej kompetencave të mia. Unë jam drejtori i Teatrit të Kukullave dhe i qendrës së Kulturës për Fëmijë”.

Ai u shpreh se nuk ka pasur dijeni më herët për deklaratën e Ramës, por se gjendja e teatrit nuk është optimale. “Unë që ditën që kam qenë në këtë detyrë, kemi diskutuar me ministret se çfarë mund të bëjmë për teatrin. Që duhet të jetë dinjitoz e dimë të gjithë. Deklarata e kryeministrit është pjesë e këtij shqetësimi. Që të kemi godinë dinjitoze. Ne ndërkohë vazhdojmë punën siç kemi bërë. Nuk ka asnjë vendim për zhvendosje, as për mbyllje, i presim prindërit dhe fëmijët këtu. Godina këtu është e mbrojtur nga IMK, ndaj çdo vendim do shihet. Është rrugë e gjatë përpara”,-u shpreh Isai.

ÇFARË THA KRYEMINISTRI
Të shtunën e kaluar para mbështetësve në sheshin “Nënë Tereza”, kryeministri tha: “Sheshi Skënderbej sot është një kryevepër urbanistike, e konfirmuar ndërkombëtarisht, e cila i bën Shqipërisë shërbime të mira duke i dhënë Shqipërisë çmime, komplimente dhe foto të pafundme nga vizitorët. Por Muzeu Historik është ende një fantazmë e të shkuarës mu në mes të sheshit. Opera është në kantier dhe fatmirësisht këtë vit do të rihapë dyert dhe do të tërheqë shumë më tepër vizitorë në qënien e saj tërësisht të rilindur. Por në krah të saj Biblioteka Kombëtare është i madhi i munguar në transformimin tonë të derikëtushëm.
Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron përpara fëmijëve tanë. Uroj dhe besoj që deri në fund të këtij mandati qeverisës ne do t’i hapim themelet e Bibliotekës së re Kombëtare dhe të teatrit të ri të fëmijëve, këtu pranë te Garda, ndërsa në mandatin e ri të Erionit do t’i hapim edhe dyert e këtyre dy institucioneve. Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar të cilin do ta ndërtojmë se s’bën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht ashtu si ‘Qemal Stafën’ e vjetër, Arenën e Re Kombëtare”,-deklaroi Rama

FESTIVALI
Deklaratat e djeshme Erion Isai i bëri pas konferencës për mediat ku foli për sezonin artistik në teatër. Një festival ndërkombëtar me shfaqje kukullash do të mbahet nga teatri me 12 trupa nga e gjithë bota. Festivali mbahet nga data 3 deri në datë 9 maj 2019. Gjatë paraditeve në ambientet e Teatrit të Kukullave, edhe në pasdite në sheshin “Skënderbej” fëmijët do të kenë mundësi, që të shijojnë magjinë e kukullave. “Kemi si qëllim shkëmbimin kulturor, për të marrë përvojat e botës, se si një teatër kukullash bëhet edhe zhvillohet, por edhe për t’u prezantuar atyre një Shqipëri të bukur. Më pas do të rikthehemi sërish me Festivalin për Fëmijë, ku çdo këngë që do të paraqitet do të ketë edhe video-klipin e saj. Në 1 qershor do të jetë nata finale”, shprehet Erion Isai, drejtori i Teatrit të Kukullave.

Sipas aktores Shegushe Bebeti repertori i shfaqjeve do të jetë i larmishëm, duke përfshirë jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit.

“Shfaqjet e repertorit janë të ndryshme, ka për fëmijë, familjare, për më të rritur, në teknikën e kukullave edhe në teknika të ndryshme, të cilat na ndihmojnë shumë për të fituar jo vetëm eksperiencë, sepse dihet që ne akoma nuk kemi një shkollë të mirëfilltë për Teatrin e Kukullave, por edhe për të mësuar më shumë”, thotë aktorja Shegushe Bebeti.

Shqipëria do të prezantohet me tri pjesë teatrore në këtë festival. “Nuk e kemi vendosur akoma. Por Tirana do të ketë pjesëmarrje të veçantë, sepse do të ketë tre shfaqje, një në fillim, një në zhvillim, edhe një më pas”, përfundon Erion Isai, drejtor i Teatrit të Kukullave.
Buxheti artistik për Teatrin e Kukullave është vetëm 3.5 mln lekë. 75 për qind e buxhetit për shfaqjet është siguruar nga mbështetja e bizneseve privatë.

Burimi: GSH.AL Gazeta Shqiptare