Kongresi i 10-të i PPSH, u kthye në “arenë” debatesh” e konfliktualiteti politik e madje kërcënimesh fizike mes delegatëve. Këtë rrjedhë konfliktualiteti dhe pikënisje për t’u shkëputur nga trashëgimia e Enver Hoxhës, kongresit ia dha fjala e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli. Krejt natyrshëm, spontanisht, pa asnjë frenim dhe me kurajo, shkrimtari Agolli, hodhi poshtë raportin e kongresit, të mbushur me ditirambe për Enver Hoxhën dhe veprën e tij 44 në krye të Shqipërisë e të PPSH. Ishte një guxim të flisje në kongresin e komunistëve nostalgjik kundër Enver Hoxhës, idhullit të komunistëve e të shumicës së shqiptarëve por ja që Dritëro Agoli e bëri hapur dhe me nervozizëm goditjen kundër diktatorit dhe simbolit udhëheqës të PPSH, paçka se ishte një herezi dhe u mallkua prej delegatëve të kongresit.

Agolli hodh në tavolinë, atë që Ramiz Alia e mbante të fshehur poshtë saj

Atë që u mundua ta “maskonte” byroja politike në kongres, e zbuloi Agolli. Pra, shkrimtari publikoi dhe ligjëroi kritikat e tij kundër Enver Hoxhës. Ai hodhi në tavolinë e kongresit, platformën reale të rënies së PPSh dhe nxjerrjen e saj nga skena politike, skemë të cilën në atë kongres, Ramiz Alia e mbante të feksur poshtë tavolinës, duke pritur daljen e zërave kundër dhe pastaj të vijonte lojën e inskenuar për krijimin e PS dhe sulmin kundër figurës së Enver Hoxhës dhe shkëputjen prej ideologjisë së tij. Dritëro Agolli, në shënimet e tij, kujton, se “për të përgatitur atë raport, ku ndodhej kritika e madhe ndaj Enver Hoxhës, ishte detyruar të mbyllej për 24 orë në shtëpinë e tij, duke refuzuar çdo lloj kontakti me pjesën tjetër të PPSH. Agolli kujton shkëputi linjën e telefonit, mbylli derën që të mos i përgjigjej askujt, të ndërpriste çdo lloj komunikimi për të përgatitur i lirë dhe i pavarur nga ndikimet e kurrkujt qëndrimin e tij për Enver Hoxhën dhe PPSH.

Në ditën e dytë të kongresit, në mëngjes Agolli u shfaq në sallë dhe kërkoi fjalën. Sipas tij, askush nuk e dinte se çfarë shkruhej në ato letra, as Ramiz Alia. Kritikohej fort figura e Enver Hoxhës dhe kjo nuk kishte shumë shanse të pritej mirë nga delegatët. Shkrimtari Dritëro Agolli foli kundër Enver Hoxhës, por mori reagimet e ashpra pikërisht të asaj pjese të PPSH, që kërkonte ta mbante në këmbë këtë parti në grahmat e fundit të sistemit komunist në Shqipëri. Dhe kjo pjesë ishte shumica. Pasi përfundoi fjalën, në sallë filluan shpërthyen zërat dhe u shtuan tensionet. Shkrimtari Agolli, tashmë në shënjestër të sharjeve, denigrimeve e mallkimeve të nostalgjikëve të Enverit, pas fjalës së ashpër që mbajti, nuk u kthye më në vendin e tij të delegatit në sallën e kongresit.

Agolii: Kisha frikë të kthehesha në sallë mes nostalgjikëve të tërbuar

Nuk ishte e lehtë, që të flisje kundër Enver Hoshës përballë nostalgjikëve të tij. për më tepër, pas sulmit ndaj Enveri Hoxhës, të futeshe mes tyre. Shkrimtari, tregon se kishte frikë të kthehej atje, mbasi turma ishte tërbuar dhe kërkonte “gjak”, “varje në litar”, “pushkatim” kundër tij dhe atyre që do të flisnin kundër Enver Hoxhës. Reagimet e sallës ndaj kritikave të tij për Enver Hoxhën, kishin qenë agresive. Agolli gjeti një vend pranë disa gazetarëve të huaj, që po ndiqnin punimet e kongresit dhe qëndroi mes tyre në ankth, por edhe krenar që kishte thënë diçka që nuk e thoshte dot askush, madje as Ramiz Alia, i cili në heshtje miratonte gjithçka kundër Enver Hoxhës, mbasi ishin vijë e skemës së tij për krijimin e një force të re politike, ndryshe nga PPSH.

Për disa minutash, Agollit iu dërguan qindra letra kërcënuese ekstreme, ku ai kërcënohej dhe sulmohej nga delegatët e kongresit. Pas këtyre reagimeve, Dritëro Agolli u shfaq me një reagim tjetër publik, ku shkruante konkretisht kështu: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt, të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që iu polli ju, po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë, kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët! Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit”.

Agolli u mbështet nga Servet Pëllumbi

Me gjithë reagimet e ashpra të shumicës, Dritëro Agolli u mbështet nga disa figura të tjera të rëndësishme të partisë, si psh, Servet Pëllumbi, etj. Servet Pëllumbi dhe të tjerë, dolën në podium për të mbështetur Agollin. Ata kritikuan të shkuarën komuniste të PPSH si dhe udhëheqësin e saj. Fjala e Agollit dhe mbështetësve të tij në atë kongres, provokoi përplasje ndërmjet atyre që u quajtën reformatorë nga njëra anë, dhe byrosë politike e mbështetësve të tyre në kongres nga ana tjetër. Të mbledhur në holl, disa nga byroistët dhe disa delegatë, ata më fanatikët mbështetës të Enver Hoxhës, u kundërpërgjigjën duke ngritur grushtin lart dhe duke thirrur parullën tradicionale komuniste “Parti- Enver, jemi gati kurdoherë”.

Kjo parullë vinte si një kërcënim për atë pjesë të “re” të PPSH, e cila ishte përgatitur të merrte në dorë drejtimin e partisë, por konservatorët, nuk dukeshin aq të përgatitur për ta lënë drejtimin e partisë. Togfjalëshi që qarkullonte shpesh mes tyre ishte: “ne na zgjodhi Enveri, dhe s’mund të na shkarkojë Ramizi”. Për të shmangur çdo lloj incidenti, ishte përgatitur me kujdes gjithçka nga Ramiz Alia. Delegatët e Fierit sulmuan ashpër Byronë Politike, duke kërkuar një shpjegim mjaft specifik. Ata ngarkonin me faj byronë politike dhe Komitetin Qendror si shkaktar të degradimit të partisë së tyre. Akuza nuk kishte të bënte me atë çfarë kërkonte shumica e popullit shqiptar, se PPSH e Byroja Politike kishin mbajtur Shqipërinë të izoluar duke dhunuar të gjitha të drejtat dhe liritë e individit, por kishte të bënte me problemet brenda llojit. Kishte të bënte pikërisht me fajet e byrosë, pse e kishin lënë partinë të dobësohej deri në këtë.

Petro Koçi e Kiço Londo kërkuan përjashtimin e byroistëve nga PPSH
 
Seanca e mbyllur e kongresit të 10-të zgjati nëntë orë, e ndarë në pesë pjesë. Asnjëherë më parë nuk ishte zhvilluar një betejë e tillë brenda partisë së vjetër. Asnjëherë nuk ishin ndarë në dy fronte të tilla. Nuk bëhej më fjalë për “grupe armiqësore”, që zbuloheshin nga partia dhe Enver Hoxha. Ishte një situatë krejt tjetër. Disa komunistë të rinj, po kërkonin të merrnin pushtetin e byrosë politike, të cilin ia u kishte lënë trashëgim Enver Hoxha. Ramiz Alia qëndronte i dyzuar midis dy palëve. Kjo seancë u drejtua nga Gramoz Ruçi, ish-sekretar i PPSH në Tepelenë, që ishte zgjedhur nga Ramiz alia për të drejtuar Ministrinë e Brendshme në kohën e protestave masive të pranverës së atij viti. Në këtë seancë u vunë para “gjyqit” të partisë ish-anëtarët e byrosë politike dhe të KQ të partisë. Por nga ky “gjyq” u përjashtua Ramiz Alia, i cilësuar si iniciator i ndryshimeve demokratike në PPSH dhe në Shqipëri.

Delegatët e Fierit: Kiço Londo, Petro Koçi, etj, propozuan përjashtimin nga partia të Byrosë Politike. Në emër të delegatëve të Fierit, Petro Koçi, kërkoi që të nxirrej përgjegjësia e plotë e udhëheqjes së lartë të partisë, konkretisht e anëtarëve të byrosë politike dhe kandidatëve të byrosë politike të PPSH, për katër çështje: për politikën e dështuar të partisë, që çoi në krizën ekonomike e sociale të kohës, për shkëputjen e tyre nga masa e anëtarëve të thjeshtë dhe nga populli, për privilegjet dhe korrupsionin e tyre gjatë qëndrimit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe për braktisjen prej tyre të partisë, në çastet e vështira të jetës së saj, veçanërisht gjatë fushatës elektorale. Në këtë seancë sekrete, as që mendohej për t’u bërë analizë vendimeve të kriminale të PPSH, por bëhej fjalë vetëm për kritikë rutinë ndaj udhëheqjes së PPSH, për mangësitë e tyre në menaxhimin e mirë të punës së partisë, në funksion të jetëgjatësisë së kësaj partie. Anëtarët e byrosë politike u përjashtuan të gjithë nga partia. Pas krijimit të PS, Ramiz Alia bëri kërkesë për t’u anëtarësuar në PS.

Anëtarëve të byrosë politike nuk iu kërkua llogari për gabimet që ishin bërë nga PPSH-ja në të shkuarën, si psh, përse bllokohej pluralizmi, përse kishin ndodhur ato gabime me njerëzit, etj. Por u kërkohej vetëm një gjë: pse e kishin çuar vendin në kolaps ekonomik dhe pse nuk kishin ditur të qeverisnin. Dy delegatët e Fierit, Petro Koçi e Kiço Londo, kishin pikëpamje të reja anti-PPSH në politikën për vendosjen e pluralizmit. Nuk kërkoi njeri pse ata (byroja politike) nuk kishin pasur rol liberal në zhvillime, që të mbanin qëndrim ndaj kushtetutës, etj. Por bëhej fjalë për PPSH, dhe jo për kapitalizëm.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/