Nga Olsi S. Ferazini

Në shekullin e pesëmbëdhjetë, në një fshat të vogël afër Nurenbergut, jetonte një familje me tetëmbëdhjetë fëmijë. Tetëmbëdhjetë! Për të siguruar ushqimin për familjen e tij të madhe, babai, një argjendar me profesion, punonte pothuajse tetëmbëdhjetë orë në ditë në dyqanin e tij, dhe bënte çdo punë tjetër që mund të gjente në lagje. Megjithë gjendjen e tyre në dukje të pashpresë, dy nga fëmijët më të rritur kishin një ëndërr. Ata të dy donin të ndiqnin talentin e tyre për art, por ata e dinin mirë që babai i tyre nuk ishte në gjendje ti dërgonte asnjërin prej tyre në Nuremberg për të studiuar në Akademi.

Pas shumë diskutimesh të gjata midis tyre dhe me shokë të tjerë, të dy djemtë më në fund hartuan një pakt. Ata do të hidhnin një monedhë, dhe kush humbiste në gjetjen e krahut të monedhës, do të zbriste në minierat e afërta që të punonte dhe me të ardhurat e tij, do ta mbështeste vëllain e tij ndërsa ndiqte akademinë e arteve. Pasi, vëllai fitues i parë i hedhjes së monedhës përfundon studimet e tij, ai do të ndihmojë vëllain tjetër të marrë pjesë në akademi dhe ta mbështesë atë financiarisht duke shitur arte ose duke punuar në miniera nëse është e nevojshme.

Albrecht Durer, vëllai që fitoi në hedhjen e monedhës,u nis për në Nuremberg. Albert, vëllai tjetër shkoi të punojë në miniera dhe për katër vitet e ardhshme, financoi vëllain e tij, punët e të cilit në akademi kishin pothuajse një sukses të menjëhershëm. Pikturat e Albrechtit, copëzat e tij të drurit dhe vajrat që ai përdorte ishin shumë më të mira se shumica e profesorëve të tij. Në kohën kur u diplomua, ai kishte filluar të fitonte pagesa të konsiderueshme për veprat e tij të porositura.

Kur artisti i ri u kthye në fshatin e tij, familja Durer organizoi një darkë festive në lëndinë, për të festuar kthimin e tij me triumf dhe sukses. Pasi kaluan momente të paharrueshme me gosti dhe muzikë, Albrecht u ngrit nga vendi ku ish ulur në krye të tryezës për të pirë një dolli për vëllain e tij të dashur për vitet e sakrificës që i kishin mundësuar Albrecht të përmbushë ambicien e tij. Fjalët e tij përmbyllëse ishin, “Dhe tani, Albert, vëllai im i bekuar, tani është radha juaj. Tani mund të shkoni në Nuremberg për të ndjekur ëndrrën tuaj dhe unë do të kujdesem për ju.”

Të gjitha familjarët kthyen kokat nga Alberti për të parë reagimin e tij ndaj fjalëve të vëllait, i cili nuk përmbahej në lot.

Më në fund, Alberti u ngrit dhe fshiu lotët nga faqet e tij. Ai shikoi rreth e qark fytyrat e lumtura që po e ndiqnin me interes reagimin e tij, dhe më pas, duke treguar duart e tij të venitura prej punës në minierë, ai tha me butësi, “Jo, vëlla. Nuk mund të shkoj në Nuremberg. Tani është tepër vonë për mua. Shikoni duart e mia si janë bërë këto katër vjet në miniera! Kockat në çdo gisht janë thyer të paktën një herë, dhe së fundmi, kam vuajtur nga artriti aq keq në dorën e djathtë, sa nuk mund të mbaj as një gotë për të kthyer dollinë këtu me ju, aq më pak të bëj linja delikate në pergamenë ose kanavacë me një laps ose një furçë. Vëllai im, për mua, është vonë. “

Kanë kaluar më shumë se 450 vjet. Tani, qindra portrete mjeshtërore të Albrecht Durer, skica me stilolaps dhe bojë argjendi, bojëra uji, qymyr druri, prerje druri dhe gdhendje bakri varen në çdo muze të madh në botë, por shanset janë të mëdha që ju, si shumica e njerëzve, të njihni punët e mjeshtrit Albrecht Durer.

Albrecht Durer – 21 Maj 1471 – 6 Prill 1528

Një ditë, për të kujtuar sakrificën e vëllait të tij Albertit për gjithçka që ai bërë për të, Albrecht Durer vizatoi me përpikëri duart e venitura të vëllait të tij, pëllëmbë së bashku me gishtat e hollë të shtrirë në drejtim të qiellit. Ai e quajti vizatimin e tij të fuqishëm thjesht “Duart”, por e gjithë bota pasi mësuan historinë e kryeveprës së Albrecht Durer, e quajti këtë kryevepër, borxhin e dashurisë për të vëllain “Duart e lutjes”.

Morali: Kur t’ju bjerë rasti të shihni të tilla vepra, hidhni një vështrim të dytë. Mos harroni sakrificën që të tjerët mund të kenë bërë për suksesin tuaj në jetë. Gjithmonë, respektoni ata dhe kujdesuni për ata, gjithmonë ktheni kokën pas dhe vështroni çfarë bënë ata për lumturinë tuaj.

“Duart e lutjes” nga Albrecht Durer

Nga Olsi S. Ferazini për faqen Na Ishte Dikur – 1 Shkurt 2020