Duetet e festivaleve shqiptare
Duetet e festivaleve shqiptare

“Teksti… muzika… orkestroi…. këndon…” Ka qenë kjo formula refren në çdo festival të këngës në RTSH. Në çdo fundvit, për 51vite me radhë njëri pas tjetrit.

Cdo këngë ka qenë refren i jetës dhe përjetimeve të përditshme. Janë të shumtë ata që me nostalgji kujtojnë vargjet e tyre të preferuara që iu janë gdhendur prej vitesh në kujtesë.

Nuk ju ka ndodhur ndonjëherë të shihni nënat apo baballarët tuaja teksa këndojnë me vete kur në valët e radios ose në televizion transmetohen këngët e rinisë së tyre?

Vaçe Zela, Tonin Tërshana, por edhe shumë tjerë kanë ndërtuar historinë e muzikës së lehtë shqiptare, kurse ata vetë janë shndërruar në ikona të muzikës që sot i kujtojmë me nostalgji e jo rrallëherë i dëgjojmë në shtëpi, në makinë apo edhe diku në një klub me miqtë.

Duetet janë një nga pikat më të forta të festivaleve që janë pëlqyer e duartrokitur vit pas viti nga publiku, madje edhe janë vlerësuar me çmime të para.

“Cel si gonxhe dashuria” është një nga këngët pjesëmarrëse të festivalit të 23-të të këngës. Gëzim Çela dhe Nertila Koka kanë arritur të rrëmbejnë vendin e parë në këtë festival.

“Nuk e harroj” ka qenë një nga këngët më të bukura të dashurisë dhe simbol i lidhjes së shumë çifteve të atyre viteve. Dueti i motrave Libohova në 1987-ën është pëlqyer dhe është vlerësuar me çmimin e parë.

Në festivalin e 45-të, Frederik dhe Aida Ndoci kanë fituar vendin e parë me “Baladën e Gurit”.

“Identitet” është kënga fituese e festivalit të 51-të nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko. Është një nga duetet më të pëlqyera dhe më të diskutuara që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”.

Ka edhe shumë duete të tjera të vlerësuara nga publiku artdashës i viteve ‘80-’90, por edhe shumë i pëlqyer nga brezi i sotëm. Duket e çuditshme që të rinjtë e adhurojnë këtë lloj muzike dhe ndoshta e vlerësojnë edhe më shumë sesa vetë prindërit e tyre që e kanë jetuar atë periudhë.

Liljana Kondakçi dhe Luan Zhegu kanë pasur shumë duete. “Si zogj me cicërima” është këngë e vitit 1984, e cila është shndërruar edhe në refrenin e filmit shqiptar “Kur po xhirohej një film”.

Do të na duheshin disa orë për t’i përmendur e rikujtuar të gjitha tekstet e  këngëve. Janë shumë, por janë edhe shumë pak në të njejtën kohë. Ato janë foneteka e artë e grupeve, dueteve dhe artistëve të një populli që sot i kujton me nostalgji.

Ndikimi i dueteve shqiptare në jetën bashkëshortore

Ata janë një nga çiftet më simpatike që shpesh gjejnë kohë për të shëtitur, për të dëgjuar muzikë e për të kujtuar kohërat e rinisë së tyre. Ahmet dhe Liri Balliu janë artdashës, por edhe njohës të mirë të muzikës dhe duetit.

Ahmeti shprehet: “Fjala duet vjen nga latinishtja. Ka lindur në shekullin e XV me muzikën e meshës.”

Duke u kthyer pas në kohë, zonja e shtëpisë risjell ndërmend kujtime të fëmijërisë së saj: “Mbaj mend që në shkollë këndoja me motrën “Këngën e nënës”. Mësuesja na pëlqeu shumë.”

Muzika dhe duetet shqiptare kanë qenë një nga elementët më të rëndësishëm si në fillimet e lidhjes së çiftit në vitet ’60, ashtu edhe në vitet pasardhëse: “Muzika për mua ka qenë primare. Në atë kohë zhvilloheshin shumë mbrëmje vallëzimi dhe unë nuk mungoja kurrë. Kur debatonim, kënga ka qenë ajo që na ka pajtuar.

Kujtojnë me nostalgji shumë këngë, por ja cilat janë disa nga duetet e viteve ’80-’90 që iu kanë mbetur në mendje: “Dueti i Liljana Kondakçiut me Luan Zhegun apo i Irma dhe Eranda Libohovës.”

Në pushimet e verës ata shkojnë tek vajza në Danimarkë dhe na tregojnë se çfarë ndodh kur shëtisin të gjithë së bashku: “Unë me vajzën nisim të këndojmë këngë të ndryshme.”

Dëgjojnë këngë të reja, por siç thonë ata nuk do ta harrojnë kurrë muzikën që i rriti dhe jetuan në çdo notë: “Këngë quhet ajo që e këndojnë të gjithë. Janë këngë të pavdekshme.”

Muzika botërore në vitet ’80-‘90

Thuhet se edhe në epokën e gurit njerëzit kanë bërë muzikë. Fillimisht ata janë përpjekur të imitojnë tinguj të natyrës dhe zërat e kafshëve, gjë që vazhdon edhe në ditët e sotme. Kurse instrumenti i parë i përdorur nga njeriu ishte zëri.

Vitet ’80-’90 kanë qenë vendimtare në muzikën botërore. Grupet muzikore, por edhe artistë të ndryshëm sollën një muzikë të re, e cila vazhdon të ndikojë edhe sot artistët e rinj.

Vitet ’80 ishin edhe fillimi rrokut dhe metalit. Grupe si Metallica, Megadeth dhe Slayer krijuan ritme dhe tinguj që shijohen vetëm me volumin në maksimum.

Këngëtarët solo vazhduan të këmbëngulnin dhe të korrnin shumë sukses. Artistë si Michael Jackson, Madonna dhe Phil Collins fituan popullaritet. Por edhe muzikantë të tjerë si Bruce Springsteen, John Mellencamp dhe Bon Jovi nxorën në treg disa nga albumet më të shitura.

Diana Ross, John Lennon, Paul McCartney, Prince dhe Queen ishin ndër më të njohurit dhe më të preferuarit, jo vetëm nga të rinjtë.

Muzika e viteve ’90 solli shumëllojshmëri rrymash duke filluar që nga pop-i, rrep-i dhe muzika alternative. Fillimet e këtyre viteve sollën një popullaritet të madh të muzikës tekno dhe hip-hop, preferencë që vazhdoi përgjatë gjithë dekadës.
Top Channel