Se shpejti, me perurimin e rikonstruksionit modern te Pallatit te Sportit ne Rreshen:

– Po sjell nje shkrim te botuar ne gazeten Mirdita, para 14 viteve, pikerisht kur dhe ketij pallati iu vu emri i voleibollistes legjende, Arjana Arapi –

(Përkujtohet 10 vjetori i Arjana Arapit

Në pallatin e sportit që mban emrin e Arjana Arapit, volejbollistes legjendë të ekipit, në ditët e fillimmarsit, u përkujtua 10 vjetori i saj, me një ceremoni të thjeshtë dhe një kupë sportive me emrin e saj. Kjo traditë përkujtimi nuk ishte e para e këtij lloji, porse kësaj rradhe në 10 vjetor solli emocione të mëdha tek shoqet e saj, trajnerët, drejtuesit e sportit dhe lojtareve të kohës. Në këtë cermonial kishin ardhur dhe prindërit e Arjanës, ashtu si dikur e ndiqnin atë nga shkallët e pallatit apo tek fusha afër spitalit. Pikërisht, e ëma Fatmira, ashtu si dikur ka ndjekur lojën e vajzave voleibolliste, ndërsa u fshihej me kujdes pikave të lotit, që natyrshëm në një përkujtim të tilë, nuk ka si të mos jenë të pranishëm. Ka ardhur dhe babai Doda, motra Valbona dhe Iliri, i vëllai, një familje e tërë me tradita të larta sportive, që i kanë dhënë aq shumë sportdashësit mirditor për vite e vite me rradhë.

Arjana Arapi është nga ato voleibolliste që rrallë i vjen këtij sporti të bukur. Që në shlkollën 8 vjeçare ajo tërhoqi vëmendjen e trajnerit legjendë të asaj kohe, Haki Halilit, për ta afruar pranë voleibollit, në një klasë sportive. Më pastaj aktivizohet me të rejat duke fituar dhe titullin kampion. Më vonë përfshihet me të rriturat nën drejtimin e trajnerëve Jorgji Koculi e Pashk Biba.

Karriera brilante

Për gati 10 vite shquhet si voleibollistja më e mirë e Rrëshenit, ku binin në sy aftësitë universale të saj si shutere, bllokuese, por me aftësi të jashtëzakonshme si pasuese.
Vite më pas, falë pjekurisë së fituar dhe inteligjencies së treguar në lojë, kthehet në një dirigjente të skuadrës. Specialistët kujtojnë se ajo realizonte pasime milimetrike, me një shikim periferik të admirueshëm, e zotëronte topin në mënyrë të magjishme. E zgjuar, krijuese dhe mjeshtre e surprizave, u cilësua si shpirti dhe truri i skuadrës.
Meritat e saj janë të medha kur sëbashku me shoqet e veta, arriti ta fuste ekipin e Minatorit në kategorinë e parë. Për vite të tëra ajo nuk do t’i mungonte formacionit me fanellën nr 10, që e kthej në simbol të voleibollit mirditor.

Shkëputja nga voleibolli

Ka qenë viti 1985, kur vajzat kishin shkuar për të pushuar në Durrës. Pas fazës së parë zhvilloj dhe një takim me Durrësin. Në një moment të vështirë një voleibolliste durrsake kalon topin në një pozicion të vështirë për t’u kapur, por sedra e Arjanës e çoj hedhjen e saj në planzhon në ekstrem të mundësive, duke goditur kokën pas parketit, ku pësoi një tronditje të pariparueshme.
Fillimisht nuk u mendua për dicka serioze, por prej këtu fillon tatëpjeta e saj. Më 1986 dërgohet në Greqi për analiza të specializuara. Në vitin 1987 i nënshtrohet një operacioni në kokë. Diagnoza kishte dalë tronditëse, tumor malinje. Përsëri dërgohet në Podgoricë, por mundësitë e shërimit janë në kufij minimalë. Dhe kështu, më 28 shkurt 1995, zemra e saj pushon së rrahuri.

Pallati i sportit me emrin e saj

Më 23 qershor 2001, pallati i sportit ka qenë i stolisur si rrallëherë. I jepet emri i Arjanës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta, deputetë, etj. Më pas një kupë në nderim të emrit të saj, të cilën e fituan vajzat e Peshkopisë.

Medalja e kampiones

Në ndeshjen e fundit të kampionatit kombëtar të voleibollit 1982-83, Dinamo fitoi me Minatorin dhe u shpall kampione kombëtare. Mjeshtrja e Merituar e sportit Ela Tase, në shenjë respekti për lojtaren më të mirë të Rrëshenit Arjana Arapi, i var në qafë dhe i dhuron medaljen e kampionit. Sot ajo medalje qëndron e varur në këndin më të dukshëm të shtëpisë, si një relike e rrallë për dinastinë sportive Arapi.
Edhe në këtë 10 vjetor të saj, pallati i sportit ka përjetuar të njëjtën skenë si para 5 vitesh, teksa është zhvilluar ceremonia, ndërsa është luajtur ndeshja simbolike Minatori-Teuta, për kupën me emrin e Arjanës, të ciilën e kanë fituar durrsaket. Ndërsa një fanellë sportive, ku dallonte numëri 10-të me emrin e Arjanës, i është dhuruar nga ekipi babait të Arjanës, ish-futbollistit, kapitenit dhe trajnerit Dodë Arapi….)

Marrë nga muri në facebook i gazetarit dhe shkrimtarit të mirënjohur Gjergj Marku