Durrësi është një nga qytetet që ka ndryshuar shumë, sidomos pjesa e brendshme e tij, por porti i sotëm është ndërtuar mbi atë të vjetrin. Habitesh kur sheh kanalizime të tilla të ndërtuar herët, por edhe varka me vela. Këtu foto janë të arkivit të Thanas Mustaqit, i cili i përcjell për publikun përmes profilit të tij në Facebook.

Fotoja e parë është një kartolinë bardhezi e Durrësit. Tregon një pamje të bukur të një rruge me shumë njerëz. Kjo kartolinë u dërgua në Austri në vitin 1909. Pra, ajo është më se njëqindvjeçare.

Fotografia e dytë është e kohës së Luftës I Botërore dhe vendi quhej “Sheshi i Kalasë” (Piazza del Castello). Është i njëjti vend ku është organizuar ceremonia e përcjelljes së trupit të kolonelit Tomson në qershor 1914. Duhet të ketë qenë te Porta e Madhe, afërsisht aty ku është sot sheshi “Liria” (shihni bedenat e kalasë te Shkallët e Armenit, ndërmjet xhamisë dhe amfiteatrit).

Fotoja e tretë është sërish e Luftës së Parë Botërore. Takim në rrugë, shkurt 1916. Majtas trupat austro-hungareze që shkojnë drejt Durrësit, të pushtuar nga trupat italianë, djathtas shqiptarë që luftuan në formacione vullnetare në anën e monarkisë së Danubit.

Loading...

Në foton e katërt dhe të pestë paraqitet plazhi i Durrësit në vitin 1930 dhe Gjiri i Durrësit, e shkrepur nga shkrimtari austriak Friedrich Wallisch, më 1931. Sipas albanologut Robert Elsie, shkrimtari austriak Friedrich Wallisch (1890-1969), në vitin 1914 ndodhej në Shqipëri ku raportoi për sundimin e shkurtër të Princ Vidit. Në vitin 1929 themeloi një Shoqatë Austriako-Shqiptare. Rreth viteve 1930-1931, ai ndërmori në Shqipëri një udhëtim automobilistik dhe bëri një koleksion fotografish të përfshira në vëllimin “Neuland Albanien”, ku ndodhet dhe kjo foto e Durrësit.

Më poshtë janë tre foto të bëra 3 foto të Durrësit në vitin 1941 nga Erich von Luckwald, diplomat dhe autor gjerman. Interesi i posaçëm i Lukwald për Shqipërinë shihet në librin e tij “Albanien: Land zwischen Gestern und Morgen (Shqipëri: Vendi midis së djeshmes dhe të sotmes)”, Munich 1942, në të cilin paraqiti fotografitë e tij të shumta të vendit. Udhëtimi i Lukwald nëpër Shqipëri është bërë në verën e vitit 1936, megjithëse në librin e tij përfshihen edhe fotografi deri në vitin 1941, koha e pushtimit italian, shkruan albanologu Robert Elsie.

Burimi: Konica.al/

Nga Eduard Ilnica