Nga Xhahid Bushati

Më trishtoi largimi nga jeta i njeriut të ditur Ahmet Osja. Një trishtim deri në dhimbje! Sa herë që e takoja më pyeste: “Ç’po shkruan?.. E di, e di, ti nuk rresht së shkruari. Ashtu të vazhdosh!” – kjo ishte porosia e tij dhe largohej ngadalë-ngadalë…

Po nxjerr disa shënime nga takimet e mia me Profesorin e nderuar, për t’i thënë: “Ishe dhe mbete i nderuar! Të qoftë dheu i lehtë, dhe që Ti e deshe aq fort dhe vure gjithë jetën tënde në shërbim të dheut Nanë”!
1. E takoj thuajse çdo ditë njeriun e gjithëditur që quhet Ahmet Osja. Që në fjalët e para të përcjellë fjalë mirësie e urtësie. Ritual i një njeriu që e njeh mirë “Universitetin e Jetës”. Nuk iu është trembur dhe nënshtruar sprovave dhe vështirësive. I ka kapërcyer me besimin e njeriut të matur e prej shkencëtari.

Ai nuk ecën i vetmuar. Në dorë, gjithnjë, mban gazetën e ditës.
Ai ecën, gjithnjë, ecën… 80 vitet e jetës së tij që i mbushi më 20 qershor, sikur ende “jetojnë” mes realiteteve të largëta prehistorike e historike, aromës së tokës, ajrit, natyrës, kuriozitetit, qiellit, miteve, legjendave … vizionit. Vitet e jetës së këtij njeriu të palodhur, sjellin si Formulë Pagëzimi: njeriun dhe njerëzoren, realitetin dhe ëndrrat që duhet të çelin jo vetëm në këtë realitet por edhe në të nesërmen e tij.

Takimi i parë me Ahmet Osjen është në vitin 1991. Plot 18 vjet më parë. E kisha ftuar në një nga emisionet e mia, atëhere, kur isha gazetar në radio Shkodra. Më pëlqen ta them këtë gjë dhe do ta them përsëri, sepse një pjesë e jetës sime është “regjistruar” në ato valë e në shirita pafund magnetofoni. Dhe ajo bisedë e largët e kthyer në tekst, rrinte “fjetur” rreth 18 vite në njërën nga dosjet e mia. Fatlum që e kisha ruajtur intervistën, dhe po e rrëfej për herë të parë…

Xh.B. – Kur zgjoheni në mëngjes?
Ahmeti – Për vetë natyrën e zanatit tim, sepse unë jam agronom, zgjohem herët dhe shpesh herë me një orar jot ë caktuar, sepse ashtu më dikton nevoja: të jem i ndodhur në një punë ku më kanë kërkue ose ju kam premtue. Dua që në jetën time të jem sa më korrekt. Megjithatë, zakonisht, nga ora 6 e 30’ jam i ngritur.

Xh. B. – Ju tërheq më shumë kafeja e mëngjesit apo lajmet në televizor?
Ahmeti – Mua informacioni më tërheq më tepër. Nuk më konkuron asgjë informacionin. Jam shumë i predispozuar jo vetëm ta dëgjoj, por të më jepet mundësia bëj rrugë për të gjetur informacion. Kjo ka dhe shpjegimin e vet, pse jam i dhënë pas informacionit. Kafenë unë e sakrifikoj.

Xh. B. – I planifikoni punët?
Ahmeti – I planifikoj. Më qëllon edhe 2 apo 3 ditë përpara. Mundohem të jem korrekt me njerëzit. Arsyeja është se, sot gjithçka kushton. Ndoshta kam nevojë të marr një informacion dhe të jap. Me bashkëbiseduesin kam lënë një cak. Në qoftë se nuk i ndodhesh aty, i prish punë. I krijon mundësi që pritësi të mos të besojë ma. Fillimisht njerëzit duhet të binden se tek ti gjejnë saktësinë e orarit, mbasandej pjesa tjetër mbetet sa je i zoti për të qenë i dobishëm, për aq sa të jepet mundësia. Orari është në dorën e secilit njeri. Unë i jap shumë rëndësi planifikimit të punëve gjatë ditës.

Xh. B. – Thonë për agronomët që s’kanë orar…
Ahmeti – Agronomët (duke futur dhe veten) dhe biologët, duke qenë pjesë e shkencës së biologjisë janë mjaft të saktë; se vetë biologjia është e saktë. Shpesh njerëzit orientohen me tregues biologjikë. Për shembull, me orën, ka bimë dhe kafshë që ta tregojnë… Pra, biologjia është tepër e saktë. Njeriu që punon me biologjinë e shikon vetë këtë marrëdhënie dhe edukohesh. Ndoshta në këtë vështrim zanati më ka edukuar.

Xh. B. – A ju ka qëlluar t’i thoni vetes: “Edhe kjo ditë më iku kot…”.
Ahmeti – A po, po. Unë moshën e njeriut e ndaj në dy kohë: – në kohën kur ke dëshira, dhe -në kohën kur vijnë kujtimet. Koha e dëshirave është koha kur njeriu futet në punë, pram und të punojë, etj. Pastaj fillojnë dëshirat. Dëshirat janë shumë më të mëdha sesa gjithë ato që mund t’i menaxhosh. Duke pa se sa kam arritur sot t’i realizoj dëshirat.

/Ora News.tv/