Kompozitori Gjergj Leka, është prekur thellë nga ndarja nga jeta e “bilbilit” të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Teksa ai ka shprehur dhimbjen e tij për humbjen, Leka e krahasoi Pagarushën me Vaçe Zelën, duke thënë se i ka krijuar të njëjtën ndjesi, si kur u nda nga jeta Vaçja.

Sikurse është shprehur artisti, lajmi e ka lënë pa fjalë, pasi “Nexhmije Pagarusha, na mësoi motivin e muzikës shqiptare dhe si të këndojmë shqip, gjë që, i mungon sot muzikës shqiptare” – ka theksuar, Leka.

“Lëre, na la pa fjalë. Janë ato lajme që nuk e di, nuk kam fjalë. Të njëjtën ndjesi kemi pasur të gjithë artistët, kur u nda nga jeta Vaçe Zela e madhja, këto ishin dy ikonat që na kishin mbetur. Është humbje shumë e madje, edhe pse e dinim me kohë, që vuante nga një sëmundje jo e mirë. Lajm i papritur. U takova me të, takuam shumë momente. Ajo që të bënte përshtypje, ishte që njerëzit e mëdhenj, janë të thjeshtë. Edhe kur i kërkoje një këshillë, sa ëmbël këshillonte. Nuk do ta harroj kurrë”- janë fjalët nga zemra, të Gjergj Lekës.

Nexhmije Pagarusha është artisja më shqiptare e artistëve. Në të gjithë këngët që na la, mbizotëron motivi shqiptar. Problemet që kemi me muzikën sot është pikërisht ky, mospasja e motivit shqiptar. Pagarusha, na mësoi të gjithëve, si duhet bërë muzikë dhe si duhet kënduar shqip.

Ishin dhe do të mbeten, ikonat e këngës shqiptare: Pagarusha dhe Zela. Rrinin gjithë kohës bashkë, i shikoje gjithmonë me atë buzëqeshje dhe me një respekt të habitshëm për njëra-tjetrën. Ishin në radhë të parë, njerëz me një zemër të madhe. Do të mundohem që nesër, në programin “Na ishte një herë muzika”, të bëj një portret për Nexhmije Pagarushën”, – është shprehur, Gjergj Leka.

Burimi: Konica.al