Nga: Meri Lalaj

Këtu e më se gjysmë shekulli më parë, atë një shtator të bukur, të ngrohtë me diell, ne po futeshim për herë të parë në dyert e Fakultetit Histori-Filologji. Vëreja kureshtare bashkëmoshatarët dhe midis tyre syri më zuri një vajzë të bukur, shtathedhur, belhollë, veshur me një fustan të thjeshtë ngjyrë blu dhe me një gërshet ngjyrë të errët që i tundej pas shpine. Kjo ishte Sadije Kecaj që do vazhdonte studimet në degën gjuhë-letërsi. Ajo ishte e bukur midis vajzave të bukura “një xhinde Shkodre, një kaproll”. Ne jetonim në konvikt dhe ditë e natë ishim pranë njëra tjetrës, ndonëse Sadija vazhdonte në gjuhë-letërsi dhe unë në gjuhë angleze.

Kalonin ditët, muajt, vitet e shkollës dhe ne kalonim provim pas provimi. Kur ishim në vitin e fundit, Helena u martua me Ismailin, atë natën e dasmës, Dritëroi nuk kërcente, por rrinte ulur me një kupë rakie në dorë dhe me tufën e flokëve që i vareshin në ballë, dukej sikur nuk shihte asgjë në të vërtetë ai vështronte veç Sadijen dhe aty zu fill dashuria e tyre. Një mëngjes vere, ne pamë Sadijen të lumtur të veshur me një fustan të kaltër si tek vargjet: “Ti çele herët, moj bajame!”Ata të dy u martuan.

Dhe miqësia ime tashmë me çiftin Agolli nuk rreshti gjatë gjithë viteve. Sadija më ndihmonte të botoja shkrimet e mia në gazetën “Mësuesi” dhe në revistën “Skena dhe Ekrani”, në të cilat ajo ishte redaktore. Sadija ndihmonte të gjitha shoqet me aq sa mundej, dera e shtëpisë së tyre ishte gjithnjë e hapur ditën dhe natën, ndonëse ishin kohëra të vështira e mund të hanim një pjatë me trahana apo një rriskë bukë me djathë, por shtëpia e tyre qe e mbushur plot e përplot me poezi, Dritëroi shkruante pa u ndalur dhe Sadija shtypte në makinën e shkrimit gjithçka që shkruante ai, atëkohë  po përkthente Robert Bërnsin që e donte fort ne recitonim vargje të poezive të sapopërkthyera.

Nuk mund ta harroj kurrë sa shumë më ndihmuan Dritëroi dhe Sadija për të drejtën e studimit të sime bije, Manjolës, të cilën ma mbajtën një muaj në shtëpinë e tyre derisa u rregullua në fakultet dhe në konvikt. Mbaj mend se kam qenë në shtëpinë e tyre në ditët kur zhvillohej Kongresi i Dhjetë i Partisë, më 12 qershor në momentin kur Dritëroi si burrat e vërtetë, që i dalin zot këtij vendi po kritikonte regjimin e diktaturës atje në sallën e Kongresit, Sadija ecte poshtë e lart mesores së shtëpisë shumë e shqetësuar sesi do merrnin fill ngjarjet, ndërsa unë dhe ime bijë po lexonim kopjen e diskutimit të tij. Në gjithë këto vite, ne takoheshim edhe në Pogradec kur ata vinin me pushime.

Vetëm se ikja jote, o Sadije, ishte shumë e papritur më pikëllove fort, ne kishim lënë të pinim bashkë kafe sapo të ngrohej moti, Helena në Paris u dëshpërua, po kështu Vasilika Burnazi në Pogradec, Adelina Balashi në Athinë, Adelina Gina telefonoi duke qarë nga Nju Jorku, ajo nuk mund të harrojë si i ke ndenjur pranë kur i iku nga jeta vëllai, Shpëtim Gina dhe ti shkoje me tren përditë për të qenë pranë saj në Lushnjë. Unë e kuptoj ti ike pasi i kryeve të gjitha detyrat këtu mbi tokë: si bashkëhorte, si nënë, si gjyshe, ti ike pasi botove dy librat e lënë në dosje dorëshkrim nga Dritëroi, ti ike pasi përfundove edhe librin e fundit me kujtime të të tjerëve për Dritëroin (dhe vetëm para dhjetë ditëve më telefonove katër herë për të qenë e saktë në kujtimin për takimin tënd të parë me Dritëroin).

Ti ike duke lënë në pikëllim më të dashurit e tu: bijën tënde Elona, birin tënd Artan, nusen Majlinda, mbesat e bukura Anna dhe Drisarta dhe nipërit e hijshëm Luel dhe Emil. Ti fluturove për në botën tjetër për të qenë pranë njeriut që aq shumë e deshe gjithë jetën, për të qenë pranë poetit Dritëro. Lamtumirë Sadije, të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë! /KultPlus