Edhe ne kishim një Notre Dame në miniaturë Sado modeste, ama ishte e jona. Po neve na e hodhi në erë injoranca e viteve ’70. E absurdi vijon… Historia e trishtë e shkatërrimit të monumenteve të kulturës, shkatërrimit të memories tonë kolektive vijon edhe sot, madje ndoshta edhe më e dhimbshme.

Injoranca kësaj here, nuk po na shkatërron vetëm objektet fetare! E armatosur me babëzinë e eskavatorëve edhe makutërinë e betoniereve nuk po kursen asgjë. Nuk po kursen Krujën qëndrestare të Kastriotëve, kalldrëmet e qytetit të Argjirosë heroike, Dyrrahun mitik të Taulantëve e as Butrintin, Trojën e re, së cilës i këndon Virgjili (pa llogaritur plot site arkeologjike që zbulohen ditën e mbulohen natën tinëzisht). Simbolet tona, identiteti jonë, e shkuara jonë zhgulet me rrënjë çdo ditë, por askujt nuk ia ndjen!

Por befas, një ditë digjet Notre Dame! Të gjithë ne kujtohemi për të bukurën, për simboliken, për kulturën, për të shkuaren që u fshi nga faqja e dheut. Edhe pse nuk na lidh asgjë me të, të gjithë ndërgjegjsohemi e nxitojmë ta shpërndajmë në rrjetet sociale dëshpërimin tonë.

Dikujt mund t’i duket absurd krahasimi i Notre Dame me disa “ngrehina muresh”. Vlerat arkitekturore mund të jenë të ndryshme, ama vlerat shpirtërore duhet të jenë të njëjta. Ata, që dikush i quan “ngrehina”, na kujtojnë nga vijmë e se kush jemi, e janë shumë më tepër se thjesht ‘ngrehina”. Janë NE!

Padyshim që ngjarja e djeshme është e dhimbshme, 800 vite histori të shkrumbuara sikur flakë kashte. Ama francezët do i dalin ta rindërtojnë, sepse janë të vetëdijshëm që Notre Dame, e simbole të tjera të memories kolektive, janë ajo çka i bën francezë. Do e bëjnë edhe pa dhembshurinë tonë.

Po më këta tonat si do vete halli? Kujt do i dhimbsen, po nuk u pikëlluam ne për humbjen e tyre?

/Gjurmë Historike/