Eglantina Kume
Eglantina Kume

Nga Gezim Kabashi

Eglantina Kume është një nga protagonistet e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, i xhiruar në vitin 1967 nga regjisorët Piro Milkani dhe Gëzim Erebara. Filmi që u kushtohej dy dëshmoreve gjirokastrite u hoq shumë shpejt nga repertori i kinemave, ndërsa jehona e tij vazhdoi shumë më gjatë edhe në … Kinë. Aktorja Eglantina Kume rrëfen për ATSH historinë e saj artistike. Me nurin e pandryshuar të moshës 17-vjeçare, Egla edhe tani që ka lënë pas 64 vjetët është një grua tërheqëse. Në fund të viteve 1960 u largua shumë për t’u vendosur në Tiranë, ndërsa 20 vjet më parë iu desh t’i drejtohej emigracionit. Duke e ndarë jetën e saj në tri pjesë të mëdha, thuajse të barabarta në kohë, ajo nuk e heq asnjëherë nga mendja Durrësin.

Ajo e përkufizon “qyteti ku ëndërrova aq bukur, personazhi i poezive të mia, qyteti i personazheve të mi”. Vajza simpatike që u bë ikonë e kinemasë shqiptare, kur ishte maturante nuk kishte menduar ndonjëherë se recitimet e rinisë së hershme do ta afronin me një shpejtësi marramendëse drejt kamerës kinematografike. “Isha një nxënëse  mesatare, që dashuroja letërsinë dhe sajoja albume me artistë shqiptarë apo të huaj”,-tregon Eglantina, e cila në të njëjtën kohë ishte një nga vajzat më aktive në grupet teatrale të shkollës dhe të Shtëpisë së Pionierit.

Rrjedha e jetës së saj ndryshoi një mëngjes pranvere, kur në oborrin e shkollës ka përfunduar para kamerës së njërit prej regjisorëve më të shquar të kinemasë shqiptare.  Mjeshtri Dhimitër Anagnosti, i cili po xhironte “Duelin e heshtur” i kërkoi maturantes Eglantina Kume të interpretonte një nga rolet e pakta episodike të filmit që mbështetet tërësisht te katër aktorët e shquar Ndrek Luca, Rikard Ljarja, Reshat Arbana dhe Bujar Kapexhiu. “Pas dy ditësh u ndodha në sheshin e xhirimit që ishte në derën prej hekurash të portit detar, pikërisht përballë bankës së shtetit”.

Vajza nga Durrësi kujton detajet e makijazhit, leximin e tekstit, provat dhe dialogun me partnerin Fitim Makashi. “Mora zemër kur pashë që regjisori Anagnosti mbeti i kënaqur”, -vazhdon Egla, që nuk harron të shtojë se një pjesë e kësaj merite i takonte edhe aktorit të teatrit të Durrësit, Spiro Urumi, mësuesi i saj i parë i fjalës artistike. Dialogu i një vajze të thjeshtë qytetare me të fejuarin e saj marinar që hap filmin “Duel i heshtur” e kishte pagëzuar Eglantina Kumen në rolin e saj të parë, por mbi të gjitha i kishte çelur ëndrrën për studimet në Institutin e Lartë të Arteve.

Protagonistja 17-vjeçare, si e luajti heroinën Bule Naipi
Dy muaj pas xhirimit episodik te “Duel i heshtur”
mbërriti propozimi për kinoprovën e filmit të ri “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Regjisorëve Pirro Milkani dhe Gëzim Erebara iu duhej një vajzë e re, e thjeshtë dhe e pafajshme për rolin e Mira Koranit, e cila mishëronte heroinën Bule Naipi. Eglantina i rikthehet përsëri 1967-s, vitit të saj me fat. “Isha një nga 12 konkurrentet për protagonisten.
Regjisorët nuk u mjaftuan me një prove-rrëfehet Egla. Vetëm pas tre kinoprovash Erebara dhe Milkani vendosën që gjimnazistja nga Durrësi të fillonte xhirimet për filmin që do të bënte të njohur Eglantina Kumen deri në Kinën e largët.

“Xhirimet në qytetin e Gjirokastrës ishin shumë të vështira për mua”, thotë Egla. Përveç përgjegjësisë, kisha dhe emocione të forta, pasi interpretoja përkrah aktorëve të njohur Naim Frashëri, Edi Luarasi apo Rikard Ljarja, fotot e të cilëve dikur i koleksionoja me aq dashuri në albumet e mia”. “Skena e parë që xhiruam  në tarracën e kalasë së Gjirokastrës ishte soditja e qytetit pas torturave të gjermanëve”, kujton Egla. Pak vite më vonë, largimi nga teatri i aktores Edi Luarasi mohoi edhe të drejtën e shfaqjes së tij.

Por suksesi i filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” ishte i jashtëzakonshëm. Në ato vite nuk njiheshin autografet, reklamat mungonin, pasi ende nuk ishte krijuar Televizioni, por 17-vjeçarja e ka përjetuar kënaqësinë e madhe jo vetëm në mbrëmjen kur u shfaq premiera në Tiranë. “E ndjeja edhe kur dilja në qytetin e lindjes; në vagonin e trenit Durrës-Tiranë, i cili mbipopullohej për të parë “heroinën”; e ndjeja edhe në letrat e pafund që më mbërrinin në shtëpi nga të gjitha anët e vendit”.

Arti i shtatë … vetëm si regjisore
Lidhjet e Eglantina Kumes si aktore me kinemanë, artin e shtatë, u ndërprenë pas përfundimit të Institutit të Arteve. “U emërova në TVSH. Drejtori i asaj kohe, Todi Lubonja dhe regjisori Mihal Luarasi kishin planifikuar të krijonin një bërthamë aktorësh të telespektaklit”, thotë Eglantina, duke ndaluar më pas në vitin 1972.  “Unë kisha marrë pjesë ndërkohë në filmat “Lugina e pushkatarëve” dhe “Yjet e netëve të gjata” dhe përgatitesha për telespektaklet e para. Gjithçka dështoi menjëherë pas arrestimit të bujshëm të Lubonjës dhe Luarasit. “Ndryshimi i emërimit si regjisore emisionesh në TV  i vuri kryq ëndrrës së vjetër, tamam kur u diplomova në këtë degë”. “Si e kujtoni TVSH e fillimviteve 1970? – e pyesim.

“Megjithë atë që ndodhi, televizioni u bë një përvojë shumë e vlefshme për mua – përgjigjet Eglantina. Sigurisht që vështirësitë ishin të jashtëzakonshme. Ndonjëherë bënim emisione live në mungesë të mjeteve të domosdoshme bashkëkohore-dëshmon Egla për fillimvitet ‘70 në median e vetme televizive shqiptare. “Isha regjisore e emisioneve për fëmijë, të cilat në atë kohë zinin shumë më tepër vend në program sesa sot. Emisionin e drejtoja vetë dhe në transmetimin e filmave për të vegjël dubloja zërat e personazheve me zërin tim, falë përgatitjes aktoreske.

Shpesh drejtoja emisione të rubrikave të tjera paralel me punën si regjisore”. Por Eglantina Kume, nuk mund të mos e kujtojë pengun e saj të madh, largimin e detyruar nga krijimtaria aktoriale. “Në vitin 1975 u largova edhe nga TVSH si një nga të 150 kuadrot  që u shkurtuan me urdhër nga lart dhe u emërova në kinostudion “Shqipëria e re” si regjisore montazhi”. Edhe 16 vjet të tjera nuk do të ishte përballë kamerës si aktore.

“Ngadhënjim mbi vdekjen”, suksesi në Kinë
“Në vitin 2007 një TV kinez më ftoi të udhëtoja drejt vendit të madh aziatik”, -tregon Eglantina Kume. Një regjisor i njohur po punonte për një cikël emisionesh mbi filmat e vendeve të lindjes që pasqyronin luftën. Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” zinte vend në këtë grup. “Në fakt unë dija diçka për pritjen e këtij filmi në Kinë. Bashkëshorti im, Fatmiri, i cili kishte udhëtuar si instrumentist në disa qytete në vitin 1969 më kishte treguar për suksesin e “Ngadhënjimit””.

Në kinematë kineze në atë kohë shfaqeshin vetëm tre filma kinezë dhe tre shqiptarë. Portreti i Mirës ndodhej në fasadat e ndërtesave të mëdha. “Në aeroport më pritën shumë ngrohtë”, kujton Mira, që ka udhëtuar me të birin Helion. Grupi i xhirimit nisi menjëherë punën. Ishim gjatë gjithë kohës së bashku, edhe kur më ftonin në emisione të ndryshme radiotelevizive. Ndjeja respektin e plot
njerëzve, jo vetëm intelektualë, por edhe qytetarëve të brezit tim, të cilët më shtrëngonin dorën apo më kërkonin një autograf. Më rikthyen dinjitetin e munguar të kohës së komunizmit
në Shqipëri”, shprehet Egla.

Rikthimi i Eglantina Kumes në atdhe
Eglantina dhe bashkëshorti i saj violinist, Fatmiri, janë larguar drejt Greqisë në vitin 1991. “Vështirësitë e një të huaji janë të dhimbshme, dramatike, komike, heroike”, thotë Egla. Të gjitha i provova bashkë me burrin tim. Luftuam për mirëqenien e familjes, shkollimin e fëmijëve, integrimin tonë në një vend me paragjykime raciste si Greqia”. “Nuk e gjeta veten plotësisht në “vëllimin e dytë” të jetës time”, -thotë me keqardhje Eglantina Kume. Mungesën e artit e ka kompensuar me letërsinë. Artistja e ekranit ka shkruar pesë libra me poezi e prozë.

Ajo ka fituar çmimin “Kadmus”, ndërkohë që libri i fundit me tregime titullohet “Rrëfimet e Athinës” dhe është publikuar nga shtëpia botuese “Toena”. “Para disa vitesh pata fatin të interpretoj në një serial televiziv grek rolin e një nëne shqiptare”, shprehet Egla. Nuk i tregoj dot me fjalë emocionet dhe nostalgjinë që provova gjatë xhirimeve të këtij seriali”. Mbas shumë sakrificave profesioni i dashur, nuk e kishte lënë në baltë. Egla punësohet si folëse në programet e celularëve Vodafone në gjuhën shqipe, ku punoi disa vite.

Burimi: Shqiptarja.com