Nga Gëzim Kabashi 

Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijra bashkëatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika.  

Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijra bashkëatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika.  

Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 28 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën brenda pak ditësh mbi 25 mijë shqiptarë. 

Në Durrës, e kujtojnë fillimin e marsit sikur të ishte dje. Por më shumë e kujtojnë ata që u larguan në kërkim të një jete më të mirë. 

Një prej tyre, Mimi Turra, ka arritur të përkthejë në gjuhën shqipe librin e tij “Il mare di ghiaccio – diario di un esodo”. “Është një libër i shkruar pak ditë pasi mbërritëm në Brindizi –tregon Mimi, ndërsa mediat lokale italiane nënvizojnë se libri “ndihmon për të kuptuar se çfarë do të thotë “ëndrra italiane” për një popull të izoluar me forcë brenda kufijve të tij për disa dhjetëvjeçarë radhazi”. 

Një tjetër, Sandër Miraj, dërgon nga SHBA foto të tjera nga eksodi i marsit 1991, “për të mos harruar”. 

Tre vjet më parë, në 25-vjetorin e eksodit të marsit Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me ATSH-në dhe Bashkinë e Durrësit organizuan ekspozitën fotografike “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”. 

Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane. 

Ekspozita solli për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së Gani Xhengo dhe Arben Çela kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991.

Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia” në Durrës përmes fotove bardhezi iu rikthyen emocioneve të një çerek shekulli më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit.   

Eksodi  i madh – Durrës 1991 

Një gjë është e sigurtë: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijra e mijra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit.

 Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës. 

Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë nga autoritetet policore të kohës me autobuzë nga Tirana drejt portit të Durrësit.

 Më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani. 

Durrësi gjatë gjithë muajit shkurt 1991 përjetoi disa tentativa të njerëzve për ti hapur dyert e portit, përpjekje që shpesh herë nënshtroheshin vetëm nga zinxhirët e tankeve të diktaturës në rrugë. 

Qyteti bregdetar nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit të 28 viteve më parë.  Të ardhur nga e gjithë Shqipëria burra e gra të të gjitha moshave guxonin për herë të parë ti drejtoheshin lirisë së ëndërruar. 

Pamjet apokaliptike të djemve dhe vajzave që ngjiteshin nga cimat dhe litarët në vaporët e tejmbushur janë në memorien e shqiptarëve edhe pas një çerek shekulli. 

E po ashtu në gusht 1991, kur shpresat e mijra shqiptarëve të tjerë që shkuan me anijen “Vlora, u kyçën në stadiumin e Barit. 

Eksodi 1991 

Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish. 

6 mars 

Motopeshkatorja    “Panajot Papa”      141 vetë 

Anija                     “Alba”                  600 vetë 

Motopeshkatorja    “Ibrahim”              273 vetë 

Motopeshkatorja    “Fadil Dauti”         35 vetë 

7 mars 

Anija                     “Lirija”                  4000 vetë 

Anija                     “Kallmi”                1000 vetë 

Anija                     “Tirana”                3000 vetë 

Anija                     “Apollonia”           300 vetë 

Anija                     “Gj. Sokoli”          300 vetë 

Motopeshkatorja    “Zagri”                  100 vetë 

Motopeshkatorja    “Kepi i Rodonit”   150 vetë 

Motopeshkatorja    “Mitat Dauti”         100 vetë 

Motopeshkatorja    “26 marsi”             15 vetë 

“Inxh. Ilia Plasa”    150 vetë 

Anija                     “Legend”              5000 vetë 

Anija                     “Sazani”                400 vetë 

Anija                     “Butrinti”               500 vetë 

(Të dhënat nga libri-album  “Brindizi, il porto della speranza” , 

Mario Ada Editore 2006) G.M./b.ha./Shqiptarja.com