Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda saj festën e Ditës së Verës, e quajtur edhe festa e luleve. Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë.

Etnologu Thanas Meksi thotë se “ festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës”. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, citon “Koha jonë” studiuesin. “Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.

Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.

Në mëngjes ishin djemtë ato që bënin derë (vizitë) tek të afërmit e tyre dhe kur dikush i thërriste në emër nuk duhet të përgjigjeshin me “e, e”, pasi nëmeshin me fyerjen “ Marrsh morrat e pleshtat”, por duhet të përgjigjeshin “ urdhëro”.

“Në mëngjes nëna na i lante sytë me ujin që ziente vezën, pasi nënkupton higjienë, pastërti, ashtu si është lëvorja e vezëve. E më pas, mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “kama e ditës së verës”, që do të thotë që vishen pantallonat e shkurtra të reja që i merrnin nga kanistra dhe fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “kamë” ( të parët që hynim në derën e vizitorit) dhe me një sahan në dorë shkëmbenin dhurata e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë”, thotë Shpëtimi, një elbasanas i vjetër.

Por, Dita e Verës kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”. Këtë ditë vajzat shikoheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.

I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. “Në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”, vazhdon Shpëtimi.

Sipas tij, në vitet pas demokracisë aktivitetet janë shtuar, organizohen karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, te cilat shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë. KultPlus.com