Dikur një elefant u shfaq me drejtuesin e tij në një fshat, banorët e të cilit ishin të verbër . Sapo u përhap lajmi se një elefant gjendej në sheshin e fshatit, të gjithë u nisën me shpejtësi që ta preknin atë. Drejtuesi i elefantit u lejoi të verbërve t’i afroheshin dhe ta preknin në mënyrë që të gjithë të merrnin eksperiencë. Meqënëse ishin shumë banorë, secili preku një pjesë specifike të elefantit. 

Më vonë u mblodhën të gjithë në qendrën e fshatit për të provuar vërtetësinë e eksperiencës së tyre. Dikush që e kishte prekur elefantin tek këmba thoshte se elefanti është një kolonë, dikush tjetër që e kishte prekur tek bishti thoshte se është një shkop elastik, tjetri që e kishte prekur tek barku e përshkruante si një mur oval.

Sigurisht që nuk vonuan të zënë fill debatet dhe zënkat me njëri-tjetrin duke mbështetur secili teorinë e tij: “Elefanti yt nuk është i vërtetë, është një fantazi, i imi është i vërteti.”

Në një moment ku debati i të verbërve ishte ndezur keqazi, i zoti i elefantit i ndërpret dhe u thotë:

“Është e vështirë të keni një imazh të plotë të elefantit. E vetmja gjë që mund të bëni është të kombinoni të gjitha eksperiencat tuaja në lidhje me atë që quani ‘elefant’. ”

Kështu, totali i eksperiencave tuaja, duke shtuar edhe diçka më tepër, është në tërësinë e tij qenia që quhet “Elefant”…

Burimi: Akropoli i Ri