Elez Kadria
Elez Kadria

Roli i tij emblematik në filmin “Shokët” u kthye në një batutë urbane ku Elez Kadria (I binte shpesh rasti) luajti një armik të klasës që synoi të sabotojë pronën socialiste.

Shkodrani erudit me pamje e emër kreshniku, si dhe zë bariton- tejet unik, ka ndërruar jetë në qytetin e tij që e deshi aq shumë-Shkodrën.

Një artist multidimensional i cili prej 25 vjetësh nuk u tundua asnjëherë nga kurthi i politikës si shumë kolegët e tij, ka ndërruar jetë në moshë relativisht jo të madhe; 74 vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Aktori epik i Teatrit “Migjeni”, i cili  kërkohej nga regjizorët më të mëdhenj shqiptarë për role të vështira, la gjurmë me talentin e tij, duke përjetësuar portretin, plastikën por edhe zërin e tij të mrekullueshëm në historinë e artit shqiptar, si në skenë ashtu dhe kinematografi.

Loading...

Por i ndjeri Elez Kadria, ishte një qytetar model jo vetëm i Shkodrës, pasi mishëroi gjatë jetës së tij thelbin e intelektualit që përcjell tek njerëzit dhe gjeneratat artin dhe qytetarinë.

Pas rrëzimit të sistemit komunist, kur shumë nga kolegët e tij iu futën një rrethi vicioz të protagonizmit politik dhe duke i shërbyer ndarjes sektare në qytet, Elez Kadria nuk u tundua nga ky kurth.

Sa herë ka pasur mundësi ai ka dhënë mesazhe qytetarie dhe kundër përçarjes që në Shkodër herë pas here merr forma “frankeshtajnore” duke sjellë ndarje dhe helmim.

Elez Kadria, ashtu edhe në jetën e përditshme ishte ai burri me pamje e zë kreshniku që flet kur duhet dhe si duhet.

Por në veprimtarinë e tij artistike, Elez Kadria ishte një aktor multidimensional dhe me një kulturë të thellë pavarësisht se në shumë filma ka role diversantësh dhe armiqsh, që edhe kur i kishte të tilla kurrë nuk u bë antipatik për audiencën. Ai ishte me plot fjalë një “Kadri Rosh-gegë”, që skaliste fjalën artistike si kremjeshtrat baltën në skulpturë.

Por përveç aktrimit, Elez Kadria, si shumë kolegë të tij të artit shkodran ishte dhe dramaturg e regjizor që shkëlqeu me vënien në skenë të kryeveprave të artit klasik, të cilat i donte shumë.

Një cv e shkurtër

Elez Kadrija ka lindur më 6 maj të vitit 1941 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu” pranë Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) fillon në vitin 1965 punë si aktor në Teatrin “Migjeni”. Ka mbaruar studimet e larta pas Universitare në Akademinë e Arteve për regjisurë në vitin 1970 në Tiranë. Në vitin 1972 emerohet regjizor titullar i Teatrit Migjeni, detyrë që e ka mbajtur deri në vitin 1980. Deri në daljen në pension ka punuar gjithnjë si regjisor dhe aktor. Roli i tij i parë në kinematografi do të jetë roli i Fatosit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Ka interperetuar gjithsej në 10 filma artistikë dhe televizivë. Veprat e fundit regjisoriale e regjisorit Elez Kadrija janë regjia e komedisë “Milioner pa asnjë kacidhe” e Dionis Bubanit të vënë në skenë në Teatrin Migjeni në datën 12 nëntor 2005 dhe drama e Fadil Krajes me titull “Midis dy dhimbjeve”. Disa nga rolet e tij ne vite jane keto: 1984 : Koha nuk pret – Abdullah Varoshi (Miku) 1984 : Militanti – Majori Ndrec Kola, Komandanti i Xhandarmërisë,  1983: Fundi i një gjakmarrje – Dani, 1983: Gracka – Qamil Borodina, 1982: Besa e kuqe – Pjetër Ukakuqi,Kryetari i Komunës, 1982: Shokët – Gjon Vusha, 1979: Ditët që sollën pranverën – Kapobanda, 1977: Një udhëtim i vështirë – Sekretari i Partisë, 1966: Oshëtimë në bregdet – Maliqi, 1963: Detyrë e posaçme – Fatosi.

/tesheshi.com/