E papritur dhe e dhimbshme vdekja e regjisorit Gjergj Xhuvani. Bota e filmit humbi një krijues, nga më të mirët e tre dekadave të fundit. Kineasti i njohur u shua në një spital në Romë, nga infarkti. Xhuvani është pjesë e brezit të artistëve shqiptarë që krijuan dhe kontribuan në periudhën e demokracisë.

Djali i vetëm i shkrimtarit të shquar Dhimitër Xhuvani, Gjergji, u lind në Tiranë në vitin 1963, në atë kohë të errët të “Tunelit” të diktaturës komuniste.  Gjergji u rrit e u edukua me librat dhe filmat e babait dhe filmi i hyri në gjak që i vogël, madje edhe dëshira për të shkruar, ndaj edhe krijimet e para i përkasin letërsisë.

U diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1986, për regji, por karrierën e tij në film e nisi në vitin 1979, si figurant, në moshën 17-vjeçare, me filmin “Radiostacioni”, ku aktori dhe regjisori rikard Ljarja i dha një rol gjermani.  Më pas ka interpretuar disa role të vegël në film, më i spikaturi ndër ta është në filmin “Hijet që mbeten pas”. Për katër vite, punoi si asistent regjisor dhe në moshën 24-vjeçari realizoi filmin e tij të parë “Bardh e Zi” në vitin 1990, ku shkroi dhe skenarin e tij, sipas tregimit të Nasi Lerës.

Xhuvani, që në fakultet u njoh me gruan e tij të ardhshme, aktoren e shquar Luiza Papathanasi (Xhuvani) që më vonë do jetë në shumë filma të tij, duke nisur nga i pari. Në vitin 1993 realizoi filmin “E diela e fundit”. Një vit më pas me te madhin Kadri Roshi  “Një ditë nga një jetë”, për të ardhur te filmi “Dashuria e fundit’’, ku Luiza luante rolin e një prostitute dhe me të cilin Gjergji dhe Luiza fitoi Kupën e Festivalit  të 10-të të Filmit Shqiptar. Më pas në vitin 1999, i frymëzuar nga ngjarjet e zeza të 97-s, realizoi filmin “Funeral Business”,  duke kontribuar si producent dhe skenarist.

Duhet shtuar se disa nga filmat e tij janë frymëzim ose bashkëpunim me veprën e babait të tij, Dhimitrit, shkrimtarit dhe skenaristit të shquar të filmit shqiptar. Madje bashkëpunimin e fundit e pati në filmin televiziv me 10 seri, “Në kërkim të kujt”, që u realizua pas vdekjes së Dhimitrit, më 2009.

Kulmi i karrierës së tij regjisoriale erdhi në vitin 2001, kur  realizoi filmin e njohur “Parrullat”, me skenar të Ylljet Aliçkës, një komedi-dramë nga epoka e diktaturës. Ky film bashkoi një numër aktorësh të njohur të ekranit shqiptar, si: Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Fadil Kujofca, Marko Bitraku, Niko Kanxheri etj.

Filmi pati sukses dhe u hyri për  herë të parë në një festival të kategorisë së parë, si Festival de Cannes. Në vitin 2001 filmi ishte pjesë e konkurrimit “Quinzième de réalisateurs”, ku fitoi edhe një çmim.

Më pas do të vijnë të tjerë filma të suksesshëm të Xhuvanit: “I dashur armik” (2004), “Lindje, Perëndim, Lindje” (2008), ku u vlerësua pozitivisht nga kritika dhe u përfshi për herë të dytë në listën e filmave të huaj më të mirë për çmimet «Oskar’’ në vitin 2009, por sërish qëlloi i pafat. Në 2011 realizoi me Top Channel filmin seral “Në kërkim të kujt” (2011), me 10 seri, një film televiziv që pati interes dhe plotësoi karrierën e tij.

U rikthye në sheshin e xhirimit në vitin 2017 me filmin “Engjëjt janë larg”, një film mbi ngjarjet e dhimbshme të Kosovës në 1999. Aktualisht ishte në fazën e post-produksionit me filmin “Liqeni im”, me skenar e regji të tij, një film i shumëpritur që ka marrë mbështetje ndërkombëtare.

Ka realizuar edhe disa filma dokumentarë, mes të cilëve “Tirana 1996”.  Ndër vite ka fituar disa çmime si regjisor. Interesant është fakti se të gjithë filmat e tij Pogradeci është pjesë e dekorit, duke nisur nga filmi “Bardh e zi” dhe mbyllur me “Liqeni im”.

Gjergj Xhuvani ka qenë mbi 20 vjet pedagog në Universitetin e Arteve dhe ka nxjerre disa breza studentësh që sot e nesër do jenë krearë që ishin studentë të tij. Arti dhe kinematografia shqiptare humbën një nga figurat më të nderuara, i cili i dha dimension filmit shqiptar edhe në periudhën e vështirë të demokracisë.

Aktoret Shqiptare