Gazetari i BBC-së, Nick Levine, analizon identitetin misterioz të liderit të grupit Queen. Shkrimin e tij, Telegrafi e sjell më poshtë.

Më 1984, dy vjet pasi në Nju-Jork u formua Organizata për Krizën Shëndetësore të Njerëzve Homoseksualë – që mëtonte të luftonte Aids-in – Freddie Mercury e shënon hitin e tij të parë me këngën “Love Kills”. Vargjet e këngës nuk aludojnë te sëmundja që shtatë vjet më vonë do t’ia marrë jetën këngëtarit, por është e mundur që titulli të jetë referencë e kamufluar. “Gjithçka në nëntekst kishte të bënte me Freddie Mercury-n”, thotë Martin Aston, autori i librit “Breaking Down the Walls of Heartache: How Music Dame Out”.

“Love Kills” përfshihet në kompliacionin që përmbledh materialet që Mercury i ka incizuar në karrierën jashtë grupit Queen, përfshirë solo-albumin e tij të parë të vitit 1985, “Mr Bad Guy”, si dhe “Barcelona” të vitit 1988 – në bashkëpunim me operisten Montserrat Caballé. Ky material jep mundësi për të hulumtuar identitetin kompleks të Mercury-t dhe statusin e ikonës “queer” (që vë në dilemë identitetin gjinor – v.j.), në veçanti pas biopikut të suksesshëm të vitit të kaluar, “Bohemian Rhapsody”.

Është e pamundur të dihet se si Mercury do ta kishte përcaktuar seksualitetin meqë, të paktën në publik, kurrë nuk e përkufizoi atë. Gjatë jetës së tij, ditorja “The Sun” e cilësoi si “yll biseksual të rokut”, ndërsa vitet e fundit mediat shpesh e kanë etiketuar si gej. Por, seksualiteti nuk është aspekti i vetëm i identitetit të tij të ndërlikuar. Më 1946 lindi si Farrokh Bulsara, nga prindërit parsi, në ishullin Zanzibar (protektorat britanik, tash pjesë e Tanzanisë). I ndoqi shkollat e stilit anglez në Indi, ku nisi të përdorte emrin Freddie. Mbiemri i adaptuar Mercury vjen më vonë, kur familja e tij emigroi më 1964 në Britaninë e Madhe, e ku në Londrën perëndimore nisi ta kultivonte karrierën muzikore. “Mendoj se ndryshimi i emrit të tij ishte pjesë e supozimit se ka lëkurë tjetër”, ka thënë shoku i tij nga grupi Queen, Brian May, në një dokumentar të vitit 2000. “Mendoj se e ndihmoi të ishte personi që donte të ishte. Personi Bulsara ishte akoma aty, por për publikun do të ishte tjetër”.

Ky karakter gjithashtu e ndihmoi të shmangej nga disa prej paragjykimeve racore të kohës. “Nuk ka vend për njerëzit me ngjyrë kafe në industrinë muzikore perëndimore, dhe Freddie e dinte këtë”, thotë Leo Kalyan, këngëtari “queer” me origjinë nga Pakistani, që Mercury-n e cilëson si “interpretuesin më të madh të të gjitha kohërave”. Kalyan thotë se ishte “mjaft i zgjuar për të ditur se duhej të maskohej si njeri i bardhë, për të patur sukses”, ndërsa shton se trashëgimia e tij nga Azia e jugut nuk është kuptuar ende plotësisht sot, “sepse aziatikët e jugut janë të injoruar, qëllimisht, nga industria muzikore perëndimore”.

Seksualiteti i Mercury-t nuk injorohet tash në të njëjtën mënyrë, por akoma s’ka mënyrë përfundimtare për ta përshkruar atë. “Nëse Freddie do të jetonte sot, ashtu si jetoi në kohën e tij, ndoshta do ta quanim ‘queer’ e jo ‘gej’ ose ‘biseksual’”, thotë Ryan Butcher, redaktori i ueb-faqes LGBT, PinkNews. “Nuk ka të bëjë veç me seksualitetin e tij; ka të bëjë me identitetin e tij dhe personalitetin pompoz që e projektoi në skenë”.

Por, meqë Mercury kurrë nuk doli si LGBT ose nuk anonte te lëvizja e të drejtave LGBT, mund të thuhet se statusi i tij si një ikonë “queer” është i diskutueshëm. Shoku i grupit, Brian May, më 2008 tha: “Gjatë gjithë jetës së tij mendoi se nuk ishte me rëndësi të dinte në është apo jo gej”. Sidoqoftë, Aston thekson se Mercury u bë i famshëm në vitet 1970, në kohën kur artistët rrallë flisnin hapur për seksualitetin. “David Bowie e përshkroi veten si biseksual [publikisht]”, thotë Aston, “por e kishte mburojën e sigurisë te gruaja dhe fëmija”. Aston gjithashtu thekson se ne me lehtësi e marrin aktoren Judy Garland si një ikonë “queer” edhe pse ajo nuk bëri “deklarata për çfarëdo lidhje me homofobinë apo pranimin e LGBT-së”.

Deri më 1986, kur Mercury dhe Queen dhanë performancën e tyre më ikonike në koncertin “Live Aid”, ishin disa interpretues homoseksualë që shfaqeshin publikisht: singli më i suksesshëm në Britaninë e Madhe atë vit ishte “Don’t Leave Me This Way” nga grupi Commards, lideri i të cilit, Jimmy Somerville, ishte krenar si homoseksual dhe shumë i angazhuar në lëvizjen për të drejtat LGBT. Te grupi Wham, këngëtari George Michael ende fshihej, ndërsa këngëtari Boy George i grupit Culture Club kishte arritur famë disa vjet më parë duke folur për homoseksualitetin. “Megjithëse e thash atë kohë se më me qejf e dua një filxhan çaj se seksin, jeta ime seksuale ishte vërtetë e shfrenuar”, tha Boy George për ditoren “The Guardian”, më 2007. “Por, isha rritur për të thënë se ishte e pisët dhe e gabuar dhe se ato nuk duhet të bëhen publike”.

Qasja e Mercury-t për të pajtuar jetën private me personalitetin publik si lider i një grupi roku me shumicën e adhuruesve meshkuj heteroseksualë, ishte gjë e sofistikuar. Meqë kurrë nuk iu përgjigj thashethemeve për seksualitetin e tij, ishte e lehtë që adhuruesit të interpretonte stilin e tij pompoz dhe teatral, siç e quan Aston, si diçka “artificiale” e jo si diçka “queer”. Kënga e Mercury-t, “Living on My Own”, fillimisht e lansuar më 1985 e që arriti vendin e parë dy vjet pas vdekjes së tij me një remiks modern, është shprehje e vetmisë që e paraqet Mercury-n si beqar, por jo domosdoshmërisht si “tamam beqar”. “Ishte mashtrues i dyfishtë”, shton Aston. Ryan Butcher shkon më tej, duke e përshkruar si “agjent pothuajse i fshehtë i komunitetin LGBT, duke i hedhur farërat e kulturës ‘queer’ në mentalitetin heteroseksual”.

Në vitet 1980, Mercury ishte i njohur për kanatieret e bardha të ngushta dhe për mustaqet – stili “Castro Clone” që origjinën e ka në lagjen “Castro” të San Franciskos e që u bë e njohur në nëntokën gej, por më pak te adhuruesit e muzikës. Mund të thuhet se Mercury në shikim të parë fshihej, por ai nuk e lejoi famën e tij të madhe ta ndalonte të vizitonte vendet e njohura homoseksuale në Londër, si “Heaven” dhe “Royal Vauxhall Tavern”. Aktorja Cleo Rocos shkroi në kujtimet e saj më 2013, se ajo, Mercury dhe komediani Kenny Everett madje arritën të çonin Princeshën Diana në lokalin e fundit, duke e maskuar si “drag” (performues mashkull që vishet si femër – v.j.).

Ndoshta një nga mënyrat më të guximshme me të cilat Mercury shprehu veten është videoja e vitit 1984, “I Want To Break Free”, ku ai dhe shokët e grupit Queen vishen si personazhe femra nga seria “Coronation Street” – vendim ky që dëmtoi karrierën e tyre në ShBA. Brian May, më 2017 për këtë tha: “Mbaj mend se ishim në turne promovuese në Miduest të Amerikës, ku fytyrat e njerëzve u ashpërsuan dhe thanë: ‘Jo, nuk mund ta lëshojmë këtë. Nuk mundemi, duket homoseksuale”.

Ndërkohë, në muzikën e grupit Queen gjithmonë kishte detaje për jetën private të Mercury-t. Në hitin e vitit 1978, “Don’t Stop Me Now”, Mercury këndon se dëshiron “të bëjë një grua supersonike” dhe “një burrë supersonik nga ti”. Në video e vesh një bluzë nga Mineshaft, bar i njohur gej në Nju-Jork. Madje, edhe emri i grupit, Queen (Mbretëresha), mund të shihet si aludim për identitetin e liderit. “Është e qartë se çka nënkuptonte”, thotë Kalyan,”por kur i thashë nënës disa vjet më parë, nuk mundte ta besonte. Gjithmonë mendonte se ‘Mbretëresha’ është thjesht diçka mbretërore”.

Në mënyrë të ngjashme, Kalyan thotë se muzika e Mercury-t ka pjesë të trashëgimisë së tij të Azisë së jugut, duke përmendur përdorimin e fjalës arabe “Bismillah” në këngën “Bohemian Rapsody”. “Vetëm një person me vetëdije për kulturën islamike do ta kishte ditur atë fjalë”, thotë ai. Kalyan shton se në mesin e komunitetit të Azisë së jugut, “dihet se Freddie ishte indian që ishte frymëzuar nga këngëtarët Bollivudit, si Lata Mangeshkar”. Por, kur bëhet fjalë për seksualitetin dhe përkatësinë etnike, Mercury favorizoi intimitetin në vend të deklarimeve të drejtpërdrejta. Siç thekson Kalyan, “nuk ka folur për shkollimin në Indi ose dashurinë e tij për Lata Mangeshkar-in. Kjo nuk ishte pjesë e narracionit”. As seksualiteti i tij nuk ishte: më 22 nëntor 1991, Mercury më në fund pranoi se ishte HIV pozitiv, se kishte Aids, por nuk i përmendi marrëdhëniet e tij me Jim Hutton-in. Vdiq rreth 24 orë më vonë. Mercury ishte diagnostikuar me HIV katër vjet më parë, por Butcher sugjeron, në mënyrë spekulative, se miqësia e tij me të ndjerën Diana, Princeshën e Uellsit, ishte faktor kryesor në vendimin e saj për vetëdijesuar njerëzit për këtë sëmundje. Por, këtë – si shumë gjëra të tjera për Mercury-n – nuk do ta dimë kurrë me siguri.

Pothuajse 28 vjet pas vdekjes së tij, Freddie Mercury ende nderohet. “Në këtë fazë nuk është thjesht ikonë, por thesar kombëtar britanik”, thotë Aston. Kalyan e quan “ikonë madhështore
‘queer’” dhe “ikonë me ngjyrë kafe nga Azia e jugut në muzikën perëndimore”. Pavarësisht nëse Mercury do t’i pëlqente ose jo këta terma, është e vështirë të mos e respektosh atë që arriti në jetën e tij. Në një epokë kur homofobia dhe racizmi ishin më të përhapura nga sa janë sot, Mercury ishte “queer”, lider nga Azia jugore në grupin që realizoi një nga këngët më ikonike, “Bohemian Rapsody”, si dhe albumin më të shitur në Mbretërinë e Bashkuar, “Queen’s Greatest Hits”. Sidoqoftë, është e padyshimtë se mistika që kultivoi rreth identitetit, pavarësisht nëse u ndje i detyruar apo jo, vetëm se ka skalitur statusin e tij si një nga enigmat më tërheqëse të kulturës pop. /Telegrafi/

Burimi: Telegrafi.com