Enver Hoxha (16 tetor 1908 – 11 prill 1985) ka qenë politikani komunist shqiptar që shërbeu si kreu i shtetit shqiptar nga viti 1944 deri në vdekjen e tij, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetari i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes.

I lindur në Gjirokastër më 1908, ai punoi fillimisht si mësues, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ai u përjashtua prej pune pasi refuzoi t’i bashkohej Partisë Fashiste Shqiptare të krijuar nga pushtuesit italianë. U bë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë pas formimit të saj më 1941, kurse më 1943 u zgjodh sekretar i parë i saj. Luftoi në krye të partizanëve kundër pushtuesve italianë e më pas edhe kundër nazistëve gjermanë derisa Shqipëria u çlirua në nëntor 1944 krejtësisht me forca të veta, për dallim prej vendeve tjera europiane që u çliruan nga amerikanët ose sovjetikët.

Gjatë sundimit të tij ai transformoi vendin nga një relike gjysmëfeudale e Perandorisë Osmane në një ekonomi industriale.[3] Rindërtoi vendin e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, ndërtoi infrastrukturën, ndërtoi industrinë e cila më parë nuk ekzistonte, ndërtoi hidrocentrale dhe termocentrale të shumta që përdoren deri në ditët e sotme. Zhduku kënetat dhe epidemitë. U mundua që Shqipërinë ta bëjë të pavarur ekonomikisht nga shtetet tjera. Ai forcoi ushtrinë dhe e pajisi me armatim e avionë luftarakë modernë në mënyrë që vendi të mbrohej nga sulmet e jashtme, në radhë të parë nga shtetet fqinje si Jugosllavia dhe Greqia- sidomos kjo e fundit që kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut dhe që zyrtarisht akoma ishte në gjendje lufte me të. Enver Hoxha arriti ta zhdukte analfabetizmin i cili në vitin 1939 ishte 90-95%. Në kohën e tij u njësua gjuha shqipe, u ndërtuan shkolla, u hapën Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Për më tepër u bë emancipimi i femrës shqiptare dhe u zhduk gjakmarrja.

Hoxha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[4] Regjimi katërdhjetëvjeçar i tij u karakterizua nga zhdukja e opozitës politike e intelektuale, represioni i vazhdueshëm politik në të cilin përfshiheshin kampet e detyrueshme të punës, pushkatimet pa gjyq dhe ekzekutimet e antikomunistëve të piketuar. Dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi i Shtetit. Gjithashtu, diktatura komuniste, u karakterizua nga metodat staliniste të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij, që kërcënonin pushtetin e tij personal. Pjesa më e madhe e kësaj shtypjeje u bë përmes armës së Sigurimit të Shtetit.