Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje mbi zhvillimet në Shqipërinë e pasluftës. Teksa një ditë më parë gazeta tregoi se si SHBA premtoi të njihte qeverinë e Enver Hoxhës, sot po tregojmë një letër që kreu i PKSH i dërgonte Sekretarit Amerikan të Shtetit, ku premtonte se do mbajte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Paris, 11 nëntor 1945

Ambasadori në Francë për sekretarin e Shtetit

Qëndrimi francez për aplikimin e floririt në çështjet e ish-vendeve armike

1.      Italia. Francezët i vlerësojnë argumentet për rikthimin e një pjesë të floririt të Italia dhe kërkojnë të tjera informacione në lidhje me floririn italian që supozohet se është kapur në Brenner. A është ai në duar Aleate? A është përfshirë në plaçkën e luftës? Duke pasur parasysh këto pyetje Franca pranon përfshirjen e Italisë në ndarjen e floririt nëse plotësohen kushtet. Italia të dëmshpërblejë Francën nga plaçka e saj prej 15 ton flori. Sipas francezëve ata në vitin 1941 pranuan nën presion të krijonin llogarinë në flori për pagesat e materialeve italiane të luftës, dhe tashmë kërkon kthimin e tij nga Italia. Pretendimi francez nuk ka të bëjë me plaçkën në flori për pretendimet kundër Gjermanisë. SHBA dhe Britania i bashkohen Francës në kërkesat ndaj Zvicrës që ajo të përfshijë Gjermaninë në plaçkën prej 110 ton flori të Belgjikës.

2.      Floriri shqiptar duhet të kthehet i tëri nga Italia te Shqipëria, nga pjesa e plaçkës së Italisë. Kjo konsiderohet nga francezët e ngjashme me pretendimin e tyre për 15 ton flori nga Italia.

Acarimi i Greqisë

Ambasadori në Greqi (MacVeagh) për sekretarin e shtetit: Kryeministri i vendit më takoi sot për të më thënë se kishte pritur shumë delegacione të zemëruara për njohjen e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Ai tha se i kishte rezistuar kërkesave për takime publike por shtoi se gjuha e letrës së SHBA kishte sjellë hidhërim. Me këtë ai i referohej vlerësimeve për rezistencën shqiptare gjatë luftës kundër Italisë dhe për largimin e gjermanëve. “Për fat të keq çdo grek që ka luftuar në Shqipëri (duke përfshirë dhe mua vetë) e dinë se batalionet shqiptare ishin përkrah Italisë kundër Greqisë dhe nuk ishte prej rezistencës vendase që gjermanët u tërhoqën”, tha greku, duke shtuar se i kuptonte arsyet ndërkombëtare që mund të kenë çuar në njohjen e qeverisë shqiptare por sinjalizoi për një valë ndjesie anti-amerikane që po përfshinte vendin për mungesën e interesimit në çështjen greke. Ai tha se do të ishte më mirë që njohjes t’i shtoheshin kushtet për trajtimin e mirë të minoriteteve greke. [Qeveria greke ka udhëzuar ambasadën në Uashington t’i raportojë Departamentit të Shtetit më 17 nëntor 1945, hidhërimin e thellë për njohjen e qeverisë së Shqipërisë më 10 nëntor. Shtypja dhe keqtrajtimi i kësaj qeverie ndaj popullsisë greke në Epirin e Veriut është përshkruar në shumë komunikime dhe tashmë Greqia është e shqetësuar se me afrimin e zgjedhjeve në Epirin e Veriut ato do të manipulohen. Prandaj qeveria greke kërkon garanci nga SHBA se njohja e propozuar nuk duhet të ndikojë në pretendimet territoriale të Greqisë për territorin e Epirit të Veriut.]

Tiranë, 12 nëntor 1945

Përfaqësuesi në Shqipëri për sekretarin e shtetit: Njoftimi për njohjen e qeverisë së Shqipërisë u dha në 11 nëntor. Gjeneral Hoxha thotë se arkivat e qeverisë ishin djegur dhe grabitur para çlirimi të Tiranës, prandaj nuk ka kopje të traktateve të mëparshme me SHBA. Hoxha kërkon me urgjencë që të jepen kopje të marrëveshje dhe kohën kur ato priten të mbërrijnë në Shqipëri.

Tiranë, 15 nëntor 1945

Enver Hoxha i shkruan zyrtarit të DASH

Kam nderin t’i përgjigjem letrës suaj të 11 nëntorit, 1945 më lidhje me njohjen e qeverisë demokratike të Shqipërisë dhe të deklaroj për qeverinë tuaj sa më poshtë: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë, bazuar në parimet demokratike që përfaqësuesit e popullit kanë mbrojtur në ligjet e tyre, zotohet të mbrojë ato pasi janë të lidhura ngushtë më ekzistencën e saj. Ligjet tona demokratike i kanë siguruar Shqipërisë liritë dhe të drejtat e gëzuara nga njerëzit në të gjitha vendet demokratike. Ligji demokratik për krijimin e asamblesë kushtetuese siguron liritë dhe të drejtat e të gjitha grupeve ose individëve antifashistë. Bazuar në këto parime qeveria jonë do i japë mundësinë të gjitha grupeve të marrin pjesë në këtë event historik, duke u zgjedhur nga votuesit. Liria e votës së fshehtë do të respektohet rigorozisht. Liria e shtypit ka qenë dhe do të jetë një nga parimet themelore të demokracisë sonë. Qeveria jonë nuk ka krijuar asnjëherë pengesa për korrespondentët e huaj për plotësimin e kërkesave të tyre dhe u ka dhënë të gjitha mjetet. Ata me kënaqësi do të lejohen të mbikëqyrin zgjedhjet dhe do të zbulojnë respektimin e ligjeve dhe garancitë e mbrojtjes së tyre nga qeveria jonë. Në lidhje me traktatet dhe marrëveshjet që qeveria jonë ka pasur me qeverinë e SHBA para 7 prillit 1939 ne i referohemi letrës tuaj të 13 nëntorit 1945 ku kemi kërkuar të na dërgoi kopje nga arkivat tuaja pasi arkivat e ministrisë së Jashtme shqiptare janë djegur dhe vjedhur nga pushtuesit. Ne shpresojmë që kjo të mos vonojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Duke nënshkruar garancitë për ruajtjen e parimeve demokratike dhe mbrojtjen e tyre me të gjithë fuqinë, qeveria jonë shpreson të vendosë sa më shpejt lidhjet me Shtetet e Bashkuara për të përforcuar miqësinë që ekzistonte mes dy popujve tanë. Unë ju siguroj që populli shqiptar do të jetë në linjën e parë të mbrojtjes së paqes, pavarësisë dhe integritetit të tokës së tyre. Pranoni vlerësimet e mia të sinqerta, Enver Hoxha.

Tiranë, 15 nëntor 1945

Përfaqësuesi në Shqipëri (Fultz) për sekretarin e Shtetit: Letra sovjetike për njohjen e qeverisë së Shqipërisë nuk përmbante kushte dhe u publikua në edicionin e 10 nëntorit të Gazetës “Bashkimi”. Një ditë më vonë u publikuar përgjigja e Hoxhës. “Bashkimi” publikoi në 10 e 11 nëntor informacion mbi njohjen nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara pa përmendur deklaratën e plotë apo çështjet e tjera. Hodgson shprehu pakënaqësi për mospublikimin e letrës britanike dhe më 14 nëntor tha se mendonte të bënte një protestë te Hoxha, i cili ishte përgjigjur se pranonte të gjitha kushtet e caktuara nga britanikët. Dita e fundit për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjet ishte 7 nëntori, por qeveria duket se e ka shtuar afatin dhe të paktën një i pavarur është regjistruar si kandidat për prefekturën e Tiranës. Kjo reflekton një reagim ndaj kërkesave britanike e amerikane të cilat janë të njohura në vend prej transmetimeve të BBCdhe rrjeteve të tjera. Ndjesia e përgjithshme e popullatës është njëfarë lehtësimi për largimin e pasigurisë dhe marrjen e statusit të pavarur të vendit.

Uashington, 15 nëntor 1945

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri: Informoni gjeneral Hoxha se duke marrë parasysh shkatërrimin e arkivave shqiptare dhe kohën e kërkuar që kopjet amerikane të mbërrijnë në Shqipëri, qeveria e SHBA është e gatshme gjithsesi të vendosë marrëdhëniet diplomatike nëse jepet garancia e zgjedhjeve të lira. Ju duhet të shtoni gjithsesi se në pritje të konfirmimit të traktateve të hershme të pambyllura, qeveria e SHBA pret të marrë garancinë mbi marrëveshjet sapo kopjet e tyre të jenë të gatshme për Tiranën. Kopjet e traktateve në fjalë po përgatiten për dërgim dhe duhet të jenë gati brenda dhjetë ditëve ose dy javësh.

Uashington, 16 nëntor 1945

Sekretari i shtetit për ambasadorin në Francë (Caffery): Departamenti aprovon përfshirjen e Shqipërisë në pretendimet e dëmshpërblimit nga Gjermania prej dëmeve të pësuara nga pushtim i trupave gjermane dhe nga lufta e rezistencës së popullit shqiptar. Por departamenti nuk do të nxisë shumë çështjen shqiptare nëse kjo shkakton rezistencë të fortë nga Greqia. Kontaktoi me përfaqësuesit britanikë e francezë, për të mbështetur qëndrimin e Jugosllavisë por gjithashtu jini i gatshëm të tërhiqeni. Meqenëse ende nuk janë vendosur kanale zyrtare komunikimi mes Shqipërisë, Francës e SHBA, lidhja e Britanisë mund të përfaqësojë të tre fuqitë.

Tirana, 24 nëntor 1945

Përfaqësuesi në Shqipëri (Fultz) për sekretarin e Shtetit: Në lidhje me përgjigjen e Hoxhës ndaj kërkesës së Departamentit për traktatet e mëparshme mes dy vendeve, duket se qeveria shqiptare është e gatshme të veprojë, për aq sa marrëveshjet nuk shkelin ligjet e miratuara nga kongresi i Përmetit në 24 maj, 1944 ku mes të tjerash thuhet: ‘Të gjitha marrëveshjet me qeveritë e huaja, politike e ekonomike të bëra nga qeveria e mbretit Zog në disavantazh të popullit shqiptar, do të anullohen dhe do të hartohen të tjera”. Hoxha thotë: “Ne besojmë se çështje të tilla janë të lidhura me ligjet ndërkombëtare pasi preken nga kushtet e krijuara nga lufta botërore anti-fashiste. Nga ana tjetër ne shpresojmë që kjo çështje të mos krijojë shtyrje të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të cilat nga ana e tyre do të ndihmonin në ekzaminimin e traktateve që mund të ekzistojnë mes dy vendeve tona”.

Tiranë, 28 nëntor 1945

Përfaqësuesi në Shqipëri (Fultz) për sekretarin e shtetit: Kam marrë një komunikatë sot nga grupi shqiptar i vetëquajtur Partitë Demokratike, ku pretendohet se janë elementë monarkistë, Social-Demokratë dhe të Rezistencës. Deklarata është e nënshkruar nga 15 persona të nuk janë të njohur në jetën publike shqiptare. Letrat thonë pak e shumë sa më poshtë: Pas studimit të mundësisë së përfaqësimit si një parti opozitare ne kemi rënë dakord t’i kërkojmë qeverive amerikane dhe britaniket shtyjnë datën e zgjedhjeve në Shqiëpri dhe të na japin garancitë e mëposhtme:

1-      garancinë e jetës, liritë e kandidatëve;

2-      të sigurojnë shtyp dhe propagandë të lirë me mjete të njëjta me ato që përdor Fronti Çlirimtar;

3-      të dërgojë në Shqipëri një komision të fuqive Aleate për të vëzhguar zgjedhjet.

Grupi njofton se programi i tij politik do të hartohet së shpejti dhe besohet se është ai që ka qenë në kontakt me Misionin Britanik në Shqipëri. Megjithëse nuk janë shumë të organizuar ata mund të përfaqësojnë një element të konsiderueshëm opozicioni. Kemi tentuar të krijojmë komunikim dhe marrje të përgjigjes kur mbeten dhe 3 javë kohë nga zgjedhjet.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/