Këngëtarja e njohur e viteve 1990 prej vitesh larg skenës artistike të Tiranës, Enxhi Nini, është rikthyer në shqipëri. Artistja që mbahet mend kur këndonte në Festivalin e Fundvitit, këngët “Ti je vetja ime”, “Lot i bardhë” apo “Një valixhe me kujtime” rikthehet për herë të parë, si violiniste në Festivalin Different Trains tek ArTurbina në Tiranë. Pas më shumë se 20 vjetësh artistja që për dhjetë vjet radhazi është ngjitur në skenën e La Scala-s, e që prej vitit 2010 është pjesë e orkestrës së “Rai”-t, rrëfen punën që ka bërë për të qenë pjesë e skenës italiane, si violiniste.

“Kthehem në Tiranë, pas shumë vitesh, që nga periudha që kam qenë në Lice. Formimi im artistik ka filluar në Shqipëri, në tetëvjeçare edhe më pas në shkollën e mesme. Mund të them se kjo gjë u kompletua në Itali kur nisa edhe studimet”, thotë ajo. Rrëfen se në Itali ka gjetur një mënyrë tjetër të qenit pjesë e botës së artit. “U perfeksionova dhe krijova përvojat e mia në orkestër, në muzikë dhomë dhe si violiniste. M’u desh një punë e madhe që të arrija që të bëhesha pjesë e orkestrave të mira, si Rai apo La Scala në Milano. Pavarësisht lodhjes, ai ishte synimi“, shprehet artistja.

Ajo luan me një violinë të viteve ‘700. E ka marrë nga ish- profesorit i saj në Romë, me shpresën që një ditë do të bëhet e saja. “Violina është jeta ime, si çdo gjë tjetër që kam afër meje, nuk mund të jetoj pa të”,-thotë Nini.
Ajo interpretoi në Tiranë dy ditë më parë dhe tha dje se tashmë këtu është shumë më ndryshe. “Gjithmonë këtu vijmë plot emocione.

Jemi në vendin tonë, edhe kemi përpara miq, familjarë, edhe mësues, që kanë shumë vite që nuk na dëgjojnë edhe që nuk na shohin, por edhe që ndjejnë ndryshimin, si violiniste apo si muzikante”, tregon artistja.
Festivali “Different Trains” mbyllet në datë 13 maj tek Katedralja Ortodokse, në orën 19.00 me koncertin e dytë të Tedi Papavramit dhe François-Frédéric Guy, të cilët luajnë tre sonata të Beethoven.

Burimi: GSH.AL