“Gëzhoja e vjetër” është ndër të shumtët filma të Kinostudios të asaj kohe, ku i thurren lavde Sigurimit të Shtetit, që në bashkëpunim të ngushtë me vigjilencën popullore, arrijnë ta bëjnë zap “armikun që s’fle”, e që kështu ta mbajnë gjallë luftën e klasave.

Ai, Pandi Mylla, ish-biri i një tregtari “të përmbysur”, yshtet nga Kaziu, një ish-mik të atit, eksponent po ashtu i klasave të pëmbysura, që të vjelë informacione nga Servet Saraçi, shok ushtrie me Pandin, të cilët që të dy kanë lënë pas një proçkë të atyre kohërave, plagosjen padashje të dikujt, duke mbetur nga ajo ngjarje vetëm gëzhoja në duart e Pandit, që shërbën si një mjet presioni në çaste të caktuara kundërt Servetit të ndershëm dhe proletar.  Dhe dihet më pas fati i këtij të fundit, i cili e pagoi me jetë mosdorëzimin përballë shokut të tij të kthyer në armik, për t’i ofruar të dhëna mbi uzinën ku punonte.

Por epilogu i filmit është diçka krejt tjetër. Fjalia e fundit e hetuesit, shef Thanasit, në bashkëbisedim me kolegun e tij në zbardhjen e vrasjes, shef Fatmirin, është jo diçka ngushtësisht ideologjike si mesazh, por tejet universale, sa vetëm arti mund t’i bartë e t’i shfaqë çudi të tilla. “Mungesa e sinqeritetit atij i kushtoi jetën”, i thotë Thanasi, Fatmirit.

Dhe po të kihet parasysh që në vend të kësaj fjalie mund të ishin dhjetra të tjera me theks ideologjik, si fjala vjen “mungesa e ndërgjegjës komuniste në një çast të caktuar atij i kushtoi jetën”, ose “shoqëria me të deklasuar i mori jetën”, të ngjan si e habitshme zgjedhja e thjesht “sinqeritetit” si virtyt njerëzor, për të qenë mesazhi final i filmit në epilogun e tij.

Loading...

 

/tesheshi.com/