Është koha të jemi bashkë, të përpiqemi bashkë, të luftojmë bashkë, të mos bijem pre e panikut, por të jemi sa më shumë të kujdesshëm. Është koha të dëgjojmë vetëm ekspertët, ata të vërtetët, këshillat e tyre; të mos neglizhojmë asgjë, të shmangim lëvizjet e kota dhe daljet në ambjente publike, të vetëizolohemi nëse kemi ardhur nga vende të prekura dhe të qëndrojmë në shtëpitë tona duke respektuar vendimet e organeve përkatëse.

Asgjë nuk duhet konsideruar e tepërt sepse shëndeti ka vlerë mbi gjithçka! Higjiena, shmangia e kontakteve të afërta dhe çdo këshille tjetër është thelbësore!

Faleminderit mjekëve, infermierëve dhe të gjithë strukturave të tjera që po bëjnë sa munden në kushte që nuk janë aspak të lehta. Do të ketë kohë boll më pas për të gjykuar, për të nxjerrë përgjegjësi e për të bërë akuza, për të treguar shumë gjëra, por sot është momenti për t’u përgjigjur të gjithë bashkë, ballë kësaj sfide të re për njerëzimin. Është koha të tregohemi më të përgjegjshëm dhe të bëjmë sa të mundemi në këtë betejë të përbashkët sepse kjo është vërtetë e tillë. E në këtë betejë nuk ka ngjyra, sepse virusi nuk ka parti!

Duhen marrë masa urgjente për të mbyllur çdo biznes i kujtdo qoftë që nuk respekton kushtet e domosdoshme të sigurisë duke mos lejuar asnjë pronar të përfitojë nga pamundësia e punonjësve të thjeshtë! Menjëherë!

Po kështu duhen ndalur abuzimet me çmimet në farmaci e kudo! Menjëherë!

Abuzuesit dhe të papërgjegjshmit duhen ndalur! Kushdoqofshin!

Asnjë panik, por kujdes maksimal! T’i japim jetës vlerën që ka, familjes sonë, të afërmve, fëmijëve, miqve, njëri tjetrit… Është koha për ta mbrojtur familjen tonë të madhe, Shqipërinë tonë! Shpresoj shumë që kjo situatë të kalojë sa më shpejtë e me pasoja minimale për çdo shqiptar kudo që ndodhet! E përsëris për çdo shqiptar kudo që ndodhet! Shpresoj me shpirt sepse JU populli im jeni pasuria më e madhe! Jeni forca dhe pasioni, vullneti dhe mundësia e kësaj toke! Ti bëjmë ballë kësaj beteje sepse ne mundemi! Bashkë mundemi! Është një betejë e përbashkët dhe si të tillë duhet ta shohim.

Ju falenderoj shumë të gjithëve dhe ju uroj ditë sa më pak të vështira!