Në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit u sollën nga Stambolli dhe u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, duke parashikuar edhe ndërtimin e një varri të denjë për të më pas. Ky varr u bë e mundur të përurohej vetëm pas tre vjetësh.. Varri monumental u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, duke patur parasysh përkatësinë fetare të poetit dhe vargjet e pafundme që ai i kish kushtuar bektashizmës.

Monumenti ishte i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës. Mbi të, qenë vendosur simbole bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer. Në foto shihen autoritetet fetare tek rrinë me respekt në këmbët e varrit të mbështjellë me flamur kombëtar. Më pranë tij, qëndron vetë Kryegjyshi Sali Njazi Dedei, i cili do të vdiste vetëm pak muaj më vonë, në 28 nëntor 1940 në një atentat që nuk u sqarua asnjëherë.

Në vitin 1967, në kuadër të mbylljes së institucioneve fetare, eshtrat e Naim Frashërit u nxorën sërish për t’u vendosur në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit. Ndërkaq monumenti i vjetër u shkatërrua pa mëshirë, duke i humbur kujtesës sonë kolektive edhe një brilant tjetër, ekzistenca e të cilit na dëshmohet vetëm nga këto foto.zathur.net/