Historia e krijimit dhe arritjet e njërës prej estradave më të suksesshme në Jug të vendit

Lëvizja artistike amatore e Memaliajt, qytetit që u krijua nga vërshimi i rinisë së fshatrave të rrethit dhe, më shume se gjysma e rretheve të vendit, në fillimet e viteve ’50-të, ka qenë e begatë dhe e pashtershme për gjysëm shekulli. Por zhanri më i preferuar ka qenë humori, që u kultivua gjerësisht nga grupi amator i Estradës së Klubit të Kulturës.

Shfaqjen e parë amatorët e dhanë në vitin 1958, me drejtues e protagonistë Spiro Taçin, Sotir Sotiriun, Spiro Krecin, Jorgo Bolin, Eqerem Gogon e ndonjë tjetër. Dhe, që nga kjo kohë, ajo pati një jetë të pandërprerë artistike, duke u bërë burim çlodhjeje dhe argëtimi për punëtorët e nëntokës.

Grupi jepte shfaqje në qytet, në fshatrat e rrethit dhe në shumë qendra industriale si në Patos, Selenicë e në Kuçovë, por një nga kulmet e arrin në Takimin Kombëtar të Beratit, në tetor 1972, ku nderohet me çmimin e parë. Në këtë takim morën pjesë rreth 25 estrada amatore nga e gjithë Shqipëria. Në fakt ndërmarrjet industriale që përfaqësoheshin në këtë manifestim mbështeteshin nga forcat krijuese e artistike më të mira të rretheve të tyre. “Variete gazmore” titulli i shfaqjes që u përgatit dhe u shfaq në atmosferën artistike e krijuese që “polli” edhe festivalin e 11′ të këngës në radio-televizion, ku krijimtaria kulturore-artistike e kishte “litarin” më të gjatë.

Megjithëse shfaqja nuk mbështetej në ndonjë element kryesor aktoresk, grupi i aktorëve, solistëve dhe orkestrantëve ishte me nivel të lartë, por në mënyrë të veçantë shquhej puna fine e udhëheqësit Fatmir Meçe dhe regjisorit Mote Bozo, të cilët me “limë” të hollë kishin “axhustuar” çdo element e komponent të spektaklit. Por edhe loja kolektive e Rako Laskës, Muharrem Malkaj, Ruzhdi Sharrës u pëlqye shumë. Një moment tjetër kulmor i Estradës është Festivali i Estradave Amatore të klasës punëtore më 1984 të rretheve jugore, midis tyre Korçës, Vlorës, Gjirokastrës, Tepelenës.

Të gjithë e kuptojnë se sa e vështirë ishte përballja me shfaqjet e grupeve artistike të Uzinës së Instrumentave të Preçizionit Korçë, vënë në skenë nga artisti i merituar Taqo Orgocka, apo grupi i NPV-së Gjirokastër me udhëheqës artistik Roland Çene, apo grupi i Parkut të mallrave Vlorë, libretin e të cilit e kishte shkruar Flamur Laro. Edhe në këtë festival grupi i estradës Memaliaj u ndërtua me çmimin e parë.

Ajo që dilte në evidencë ishte niveli i lartë i interpretimit të shumë aktorëve si Agim Lika, Adriatik Hysesani, Sejmen Gjokoli, Myzafer Abedini, Figali Gërbi. Këtu do të manifestohej potenca aktorale e Agron Llakës, që me imitimet e tij do të shpërthente skenave të estradave profesioniste të të gjitha qyteteve të vendit, do të entuziazmonte pa masë rininë që mbushte sallat e shfaqjeve dhe të Pallateve të Sportit, shikuesit e shumtë të TV. Humorin e shoqëronte një muzikë profesionale me instrumentistë të arsimuar.

Estradave të Minierave, nëntor ’90, grupi i estradës së minatorëve meritonte flamurin e takimit. Këngëtarë të rinj ishin afirmuar si Bashkim Deshiku, Sokol Lulo, Elsa Hadëri. Por shumë kohë ishte konsoliduar dhe kishte krijuar një potencë të madhe trioja parodike Abedini-Llakaj-Hysesani, që kishte shumë origjinalitet humoristiko-vokal. Paroditë e krijuara nga bashkëpunimi i Enver Bukrit, Flamur Latos, por edhe i Robert Mamës me Dhimitër Perin e Artan Xhaferin që krijoi posaçërisht këtë informacion materiale që mirëpriteshin gjithnjë e më shumë nga spektatorët memaliotë e më gjerë.

Vitet e fundit të veprimtarisë së Estradës u afruan shumë elementë të rinj që jo vetëm interpretonin, por ndonjëri edhe krijonte materiale të suksesshme si Adelian Muçi, Bilbil Meta, Elsa Hadëri dhe Petrit Abedini. Muzikën e ngre në nivel drejtori i orkestrës, i talentuari Artan Xhaferi. Shfaqjeve ua rrisin nivelin dekoret funksionale të përgatitura nga Dhame Cango, Vangjel Kokoli e Njazi Sako, të cilët me orë të tëra merreshin me punimin e tyre.

Si u realizuan këto arritje?

Në rradhë të parë ishte dëshira e djemve të minierës për t’u marrë me art e në mënyrë të veçantë me humor. Në Memaliaj ka debutuar për herë të parë aktori i skenës dhe kinematografisë Birçe Hasko, mjeshtri tjetër Agron Llakaj e Mehdi Malkaj. Nuk mund të arrihen suksese pa një vijueshmëri artistike e jetë të gjallë. Grup artistik dhe artist nuk bëhesh dot për një ditë. Janë organizuar disa festivale humori midis qendrave të punës e lagjeve të qytetit. Njerëzit merrnin pjesë me dëshirë, banorët e familjarët e ndiqnin me dashuri dhe interes këto shfaqje. Vështirë e kishin juritë për të dhënë çmimin e festivaleve. Gara ishte e ashpër. Pothuaj në çdo festival do dilnin 2-3 “kokrra” që do t’i bashkohej “maratonës” së humorit. Këto që po shkruaj nuk janë fantazi apo nostalgji e abuzim me harresën.

Jo! Ndonjë, sidomos ndonjë amator, do të thotë se ka ende për të thënë për amatorët e shkëlqyer e të palodhur të estradës amatore të Memaliaj. Çdo vit, sidomos vitet e fundit, organizoheshin dy premiera, që jepnin shfaqje në qytet, në sektorët e prodhimit, në fshatra ku banonin punëtorë, si dhe turne pothuaj në të gjithë qytetet e Shqipërisë si Gjirokastër, Sarandë, Fier e Vlorë, Pogradec e Elbasan, Përmet e Ersekë, Berat e Tiranë e deri Burrel e Dibër, si dhe tre shfaqje rresht për studentët e Institutit të Lartë Bujqësor të Kamzës. Shumë artistë të shquar të vendit kanë dhënë shfaqje të përbashkëta me humoristët dhe këngëtarët memaliotë.

Përmendim këtu Artisten e Popullit Violeta Manushi, Artistin e Merituar Tonin Tërshana, Artistin e Popullit Luftar Pajën, Bilbilin e Gjirokastrës Petrit Lulo, Artistin e Popullit Nikolin Xhoja e solistja e estradës profesioniste të Fierit Brunilda Sota, Artistët e merituar Spiro Shati e Meropi Xhoja, këngëtari i mirenjohur Muharrem Dino e Artisti i Merituar Theofil Haxhijani, Parashqevi Simaku etj.

Shfaqet e përbashkëta me këta artistë jo vetëm kënaqin pa masë spektatorët që s’mungonin për net të tëra por edhe rrisnin përgjegjësinë në interpretimet amatore. Bashkë me rritjen e cilësisë artistike të shfaqjeve u rrit dhe u kualifikuan artistët amatore. këtu u rritën e u kualifikuan edhe udhëheqësit artistike Fatmir Meçe, Agim Lika, Dhimitër Peri e Artan Xhaferri, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh.

Një rezultat të mirë për estradën amatore ka dhënë bashkëpunimi me autorë kualitativë. Bashkëpunimi me Gafur Shametin, Aleksandër Laro, Enver Bukuri, Maliq Lila, Dhimo Dhima, Mem Sherifi etj, të cilët kanë ndier kënaqësi që bashkëpunonin me amatorët memaliotë. Kur e pyetën Spiro Krecin nëse ishin mundësitë të ngriheshin grupe artistësh të lagjeve, ai u përgjigj me humor: “Ne Memaliaj jo vetëm në bazë lagjeje, por edhe në bazë pallati mund të ngrihet grup estrade”. Le t’i shërbejnë këto rradhë jo vetëm nostalgjisë për ato veprimtari, por edhe mesazh mirënjohje për ata artistë amatorë që e bënë qytetin e tyre të qeshë edhe kur ai kishte halle shumë.

Humoristët në skenë dhe jashtë saj….

Ajo që paraqesin aktorët në skenë ishte humori “i axhustuar” nga autocensura, “i qethur” e “i krehur” nga këshillat artistike e teoricienët “e mëdhenj” të shfaqjeve artistike, por “ajsbergu” i vërtetë i humorit shpërthente jashtë saj, në korjerën e Veipit me 20 vende i populluar me dyfishin pa përmendur këtu rekuizitën dhe instrumentet muzikore. Gjenim vend të venim në këtë makinë edhe kontrabasin e Spiros një bojë e gjysëm njeriu. E si mund të duronte Myzua pa hedhur “gjylet” e kur pasi kishin zënë vend 10 veglat e orkestrës, sistemoheshin nja 30 aktorë e këngëtarë pa dallim seksi, dhe oazi nisej triumfalisht në tingujt e gërnetës së Ciros, dilnin tufa dashamirës të estradës ose të afërm të amatorëve, që do të bënin ndonjë sebep në qytetin ku do të jepej shfaqja.

Këto rrethana e detyronin Agronin të fliste jo majë urës e thanës, por majë kontrabasit. “Mjerë ai që do të mbushte ndonjë thes me portokalle në Lukovë a Ksamil, mjerë ai që do të binte në sy për ndonjë “takim sekret” me ndonjë të njohur në qytetin pritës. Por me skiç do ta kishin organizatorët e turneut që shfaqnin probleme “të vogla” të organizimit të punës dhe masat e marra që vinte për “faj” të tyre. Pasi betoheshin e stërbetoheshin se nuk do të vinin më në “turne-torturë” (dhe që të nesërmen pyesnin nëse kishte planifikuar drejtoria ndonjë lëvizje në drejtim tjetër), fillonte humori e satira, pa doganë, pa censurë e pa autocensurë, shpesh edhe me fjalë “të kujdesshme” për “të rregulluar” dobësitë e të metat e shfaqura.

Mbrëmja e përvitshme e Vitit të Ri që organizohej çdo fundviti ku shpërndahej ndonjë fletënderi, stilolaps apo vepër, dhe i vihej rrotull një copë sallam a ndonjë gotë rakie 2-3 orë rresht, fillonte “breshëria e batutave të humorit me njëri tjetrin, ku shpërndaheshin “komplimentat” për drejtuesit apo për ndonjë kryetar të Bashkimeve Profesionale që ua kishte plasur buzën për ndonjë fletë kampi për dimër në Vlorë a behar në Voskopojë.

Grupi i Estradës nga njëri vit në tjetrin ngrihej cilësisht qoftë në përbërje e qoftë në tematikë e në përmbajtje por ai edhe pasurohej në formë. Kalimi nga shfaqje tradicionale me skeçe, mikrokomedi, monologje, intermexo në format e varietes, ku muzika (kënga, parodia, imitimi) zinte gati 80% të materialit bëri që ajo të kishte një sukses gjithnjë e më të madh. Gjetja muzikore dhe efektet në orkestrimin e melodisë parodike, bërë me mjeshtëri nga Fatmir Meçe (Kujtojmë një parodi për emulacionin socialist sipas motiveve të muzikës verdiane. Paroditali shkollën e natës me melodinë e këngës “Dhe ushtari i liruar” (përshtatur nga Fatmir Meçe), “Bakshishi” dhe “Kur martohen vajzat e fshatit” (përshtatur nga Dhimitër Peri).

Estrada në periudha të ndryshme ka patur protagonist kryesore të ndryshëm të cilët kishin fansat e tyre. Të njëjtën gjë do të mundësonte për këngëtarët në vitet ’60 -të dhe shquheshin këngëtarët Petref Goxhaj, Shkëlqim Pashollari, aktorët Eqerem Gogo, Qejvan Maçi, Jorgo Boli. Në vitet ’70 shquheshin Muharrem Malkaj, Rako Laska, Mehdi Malkaj, Petro Mosko, Fatbardha Majko, Rajmonda Gjokthomi, Albert D. Zhupa. Pastaj në vitet ’80-të erdhi një brez edhe më i suksesshëm me Agron Llakën, Mariza Muçi, Liljana Kreci, dhe pastaj Bilbil Meta, Elsa Hadëri, Sokol Lulo, Bashkim Deshiku,…etj. Të gjithë këto grupe kishin karakteristikë të veçantë. Kishin një natyrë origjinale dhe satirën në humorin memaliot “prurjet e tyre por ajo që i bashkonte këto breza ishte dashuria për humorin, dashuria dhe respekti për bashkëqytetarë dhe mbi të gjitha përgjegjësi e lartë qytetare për të realizuar gjëra të bukura si gurë të çmuar në gjerdanin e artit të asaj që pati 40 vjet. Kishte emrin Estrada amatore e Memaliajt, njëra nga më të suksesshmet në jug të vendit.

Po tani…?

Gjatë viteve të trazicionit, si kudo, lëvizja kulturore artistike ka pushuar. Tempulli i artit dhe kulturës, skena është katandisur keq. Kohët janë të tjera. Ekonomia e tregut ka ligje të tjera, por ajo nuk e mohon lëvizjen amatore. Drejtuesit aktual të Bashkisë janë të vendosur të ringrenë kulturën. Kjo do të jetë në të mirë dhe të aktiviteteve artistike.

Xhaferr Kuçi*

*Drejtor i Pallatit të Kulturës Memaliaj (1975-1988)

Burimi: http://www.tiranaobserver.al