Aktorja Eva Alikaj, një nga emrat më të vlerësuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare, vijon ende të jetë e suksesshme me aktivitetin e saj. Vlerësimi më i fundit ishte në komedinë “Shtëpia pa dritare”, ku siç pohon aktorja ishte një vepër realiste mbi problemet që has sot shoqëria jonë. Gjithmonë në formë dhe me profesionalizëm, aktorja Eva Alikaj spikat në çdo rol që ajo luan, dhe këto kohë është pjesë e një filmi artistik. Në intervistën dhënë për gazetën, Eva Alikaj e cila që me filmin e saj të parë “Njeriu i mirë” u vlerësua si Aktorja më e Mirë, flet jo vetëm për zhvillimet e jetës artistike por dhe problemet që kanë sot teatri dhe filmi. Aktorja, e cila me dhjetëra role ka zënë një vend nderi në artin shqiptar, pohon se art pa para nuk mund të ketë dhe shteti duhet të investojë më shumë në teatër dhe kinematografi. 

-Me komedinë “Shtëpia pa dritare” ju u rikthyet në skenën e Teatrit Kombëtar, një vepër që u duartrokit nga publiku. Si aktore, si u ndjetë? Ndjehem gjithmonë mirë nga mikpritja e publikut, edhe pse roli im nuk ishte kryesor, por ishte një komedi shumë aktuale shqiptare. Mendoj që pavarësisht nga diskutimet, ishte një pjesëz e realitetit shqiptar. Për mua është e rëndësishme që njerëzit vijnë, argëtohen dhe dalin të relaksuar. Mendoj që autori e ka arritur qëllimin e tij. Për atë që donte të thoshte pjesa, autori dhe si regjisor kishte bërë një realizim shumë simpatik. Ka mendime që skenografia nuk ishte shumë e arrirë, por unë dua ta shikoj pozitivisht që ajo ishte një shtëpi pa sistem. Ndoshta ishte një ide e qëllimtë, sepse dhe sot ka shumë ndërtime pas sistem, dhe këtë ka dashur të tregojë dhe kjo komedi, përderisa thithet mirë nga spektatori mendoj që janë të shkrira këto elementë me njëri-tjetrin. Siç ju pohova ndonëse nuk është një rol që më shkon mua, mendoj se e finalizoj mirë në këtë ansambël. Meqë po flasim për shfaqjen e fundit, njerëzit duan të shikojnë komedi, janë të lodhur, duan të shikojnë shfaqje, jo budallallëqe. Duan të shikojnë komedi të këndshme, nëse është e mundur komedi shqiptare. Mendoj që Saimiri ka shkruar një vepër me vlerë, shumë të goditur. Realiteti shqiptar duhet të jetë dhe në dramë, sepse Shqipëria ka aq shumë tema, probleme, konflikte. 

-Ndërkohë që premiera u dha vitin që kaloi në skenën e TK dhe u rikthye sërish, sapo u mor vesh që ju jeni pjesë e komedisë pati jehonë pjesëmarrja juaj. Një mikpritje që ju bëri publiku, por në jo pak vepra të tjera teatrore ka pasur aktore të reja dhe me role kryesore që nuk e kanë pasur këtë vëmendje të publikut sa ju në një vepër. Si ndiheni nga kjo? Mendoj që janë shumë arsye. Në rastin tim ndoshta ndikon dhe fakti, që unë i kam të dokumentuara për të qenë më tepër realiste filmat e mi. Aktorët e rinj nuk e kanë këtë shans, që të kenë aq shumë filma, që të bëhen më popullorë, më të dashur për publikun. Nga ana tjetër, unë kam avantazhin, që kur luaj një rol e luaj me shpirt, dhe publiku nuk është se është i mëshirshëm dhe tolerant, dhe po më do mua më shumë, por unë jap diçka dhe marr një përgjigje. Nëse ti ke një marrëdhënie me publikun ai ta kthen. Unë e kam vënë re dhe në shfaqjet që luan në teatër, dhe është normale që një ditë mund të jesh ndryshe nga tjetra, ke më humor, etj, dhe publiku dhe në duartrokitje më jep atë që jap në skenë, e dalloj këtë. Jam e vëmendshme, që çfarë bëra mirë sot përpiqem ta mbaj herës tjetër, që të marr sërish të njëjtin reaksion, edhe pse kjo nuk ndodh gjithmonë. Ndërsa mendoj që aktorët e sotëm janë më pak të vëmendshëm, më pak sensibël për publikun, nuk e shikojnë si një partner të tyre në teatër. Duket sikur dhe një pjesë e tyre kanë dhe një lloj të vetëndjeri, kanë më tepër se duhet besim te vetvetja, sigurisht duhet të kesh besim tek vetvetja, por duhet të gjesh masën. Ti luan për publikun. 

 -Pohuat që realiteti shqiptar ka tema të shumta, për të cilat mund të vihen vepra në skenë, por kur flasim për artin, si është ky realitet i artit, për vëmendjen nga institucionet që japin dhe buxhetet? Art pa para nuk bëhet, ndaj duhet të ketë më shumë mbështetje financiare nga shteti. Nëse nuk ke para je në një pozicion fatkeqësisht inferior, ndaj më bëre atë pyetjen a duhet financiar arti? Sigurisht që duhet financuar më shumë teatri dhe kinematografia, kanë jo pak probleme me buxhetet e pakta.  

-Teksa shohim sukses me shfaqjet, sa ju shqetëson gjendja e teatrit? Duhet të vendoset dhe hierarkia e vlerave në teatër. Edhe në teatër duhet të ketë shembuj, ku të ketë një nivel që edhe aktorët e rinj të përpiqen të arrijnë. Nuk është e lehtë, sepse dhe natyra e artistëve është ambicioze. Nëse unë si aktore në fillimet e mia kisha kujt ti referohesha, ekzistonte teatri, ekzistonin origjinalitetet, ekzistonte serioziteti, teatri apo filmi ishte në plan të parë dhe mbështetje, tani janë ndryshuar raportet. Është lënë pas dore, është shumë komplekse kjo. Është e trishtueshme, por unë po mësohem me këtë gjë. Mendoj që ka dhe shumë aktorë të rinj që janë të talentuar, dhe shumë shpejt ndoshta do vendoset hierarkia e vlerave në teatër për artistët. Nuk po flas për godinën e Teatrit Kombëtar, sepse është dobësia ime.   

-Jeni aktore dhe në filmin “Contromano”, skenarist dhe regjisor Andamion Murataj. Si vjen roli juaj te ky projekt? Në preferencat e mia janë filmat artistikë me metrazh të gjatë, dhe ky është një film artistik me metrazh të shkurtër, megjithatë është një përvojë, dhe më pëlqen mënyra se si punon Andamioni. Roli im, një femër që në kohën e monizmit ka pasur dramën e saj ritakohet më vonë me të dashurin pasi del nga burgu. Më pëlqen, që në këtë film jam dhe me Edmond Budinën, dhe bashkëpunoj me një projekt me të pas 25 vitesh. Ky rol në këtë film vjen pas atij në filmin artistik “Amaneti”, që e quaj veten me fat që isha në atë film dhe në këtë film të shkurtër, sepse është një përvojë. Më pas kam dhe një tjetër projekt filmik, që besoj do të xhirohet në muajin korrik, një film artistik me metrazh të gjatë dhe do kem një rol kryesor. 

-Që kur ishit studente me filmin tuaj të parë u nderuat me çmimin si aktorja më e mirë e vitit në filmin “Njeriu i mirë”. Çfarë solli ai vlerësim për ju? Isha shumë e re, dhe jam dhe sot krenare për atë çmim, dhe duket se aty u vulos që unë jam aktore e talentuar. 

-Ju folët për teatrin, por si e shikoni sot kinematografinë shqiptare, sa ju shqetësojnë problemet?  Mendimi im është, që nuk më pëlqen që ata që nuk janë profesionistë bëjnë dhe regjisorin dhe skenaristin, bëjnë dhe funksione të tjera në film. Kjo e përkufizon, dhe kjo bëhet sepse nuk është mundësia e një skenaristi të vërtetë. Unë jam për ato dialogje, që duhet ti bëjnë njerëz që merren me këtë, që duhet të jenë specialistë të dialogjeve, të skenarit. Siç është drama në teatër duhet dhe skenari në film. Regjisori ka pjesën e tij, më duket joprofesionalizëm të bëjë çdo gjë, por kjo ka koston e filmit dhe ndaj më pas nuk e marrin vesh se si fillojnë dhe mbarojnë filmat, dhe shikohen akoma filmat e kohës sonë. Filmat sot, ndoshta nuk  i mbushin njerëzit, ka edhe që  lënë për të dëshiruar. 

-Gjatë kësaj kohe ju keni qenë shumë e angazhuar me teatrin, një tjetër rol në projektet tuaj me teatrin? Aktiviteti me teatrin vijon, sepse kemi dhe leximin  dramave shqipe në muajin qershor. Nuk mund të flas për momentin për diçka konkrete, por do të doja të isha sërish me një rol në një vepër shqiptare, mundësisht komedi, mund të ishte dhe vepër e huaj, por të ishte komedi. 

-Jeni në një moment të karrierës suaj që tashmë e keni marrë suksesin dhe vlerësimin. Por në kaq vite me teatrin dhe filmin, një rol që Eva Alikaj nuk e ka të realizuar dhe dëshiron ta interpretojë? Për momentin për mua është e rëndësishme të luaj, sepse dhe me një rol të vogël mund të bësh  diçka, mund të zgjosh diçka dhe mund të japësh për publikun. Me gjithë këtë krizë që ka teatri me buxhetet, me gjithë këto pamundësi, me gjithë këtë diferencë kohe që ka kaluar nga koha ime, unë them që ok jam e aftë akoma të dhuroj diçka. Pengje? Nuk kam. Një dëshirë është, që ndoshta sezonin e ardhshëm të ketë një rol që të më përshtatet mua, ku unë mund të shpërfaq gjithë potencialin tim.   

-Si e shikon veten si aktore në filmat që ju keni interpretuar para ’90. Ka gjëra që mundoni se duhet të ishin më ndryshe në rolin tuaj? Nuk është se i shikoj shumë filmat e mi të viteve më parë, por para disa ditësh takova dikë që ka punuar me mua tek filmi “Treni niset në 7 pa 5”. Dhe e pyeta: Po si isha unë? Përgjigja e saj ishte: “Eva ishe vajzë e mençur, më ke thënë që nuk ka nevojë të jesh vajzë e bukur si aktore, mjafton të jesh e talentuar, pak inteligjente dhe të jesh e rregullt në fytyrë”. Filmi “Njeriu i mirë” ka qenë ndoshta dashuria e parë me filmin, dhe mendoj se aty unë kam dhënë gjithçka. Ndonëse thuhet nganjëherë që mund të jetë “Treni niset në 7 pa 5”,etj, shpeshherë mendoj që kam jam aktore shumë filmike, nganjëherë kur shikoj filma të huaj shumë të mirë, them jam apo nuk jam aktore. Kjo më mban 1 apo 2 ditë pastaj them unë jam, më vjen vetëbesimi. Zakonisht kënaqem me atë që kam bërë në filma, por ka momente që mendoj se mund të ishin bërë ndryshe. Me atë që më ka dhënë qoftë dhe skematizmi i asaj kohe, përpiqesha të jepja maksimumin, ti bëja me jetë figurat, po ta shohësh në këtë këndvështrim jam e kënaqur. 

-Pas disa dekadash me filmin dhe teatrin, e lodhur nga jeta artistike? Jeta ime artistike ka nisur me filmin “Njeriu i mirë”. Edhe më ka lodhur, por ka vite që po mësohem me këtë gjë. Ajo që unë do të doja është që të vendoset një status respekti dhe elitar për artistin, në veçanti në Shqipëri për aktorin. Unë si aktore të vija dhe të respektohesha që të jepja maksimumin në jetën artistike, ka devijuar pak kjo, sepse kemi dhe pak frikë nëse do të kemi rol apo jo kur vijmë të punojmë. Kjo e tkurr artistin dhe bën të humbasin vlerat artistike. Nëse do të vendoset kjo që unë thashë, unë nuk mendoj se teatri mua më lodh, më lodh mungesa e respektit, nuk më lodhin rolet. Nëse një artist lufton për një rrogë, fillon dhe kthehet në një njeri që kërkon punën dhe jo artin. Në kohën time, më kujtohet që merrja rrogën dhe ia jepja mamasë, dhe mua nuk më interesonte atë kohë. Tani është një fatkeqësi, sepse më intereson kjo gjë. Nëse dominon paraja se sa pasioni për artin prishet raporti. Nuk po gjykoj njeri, por atëherë kjo kalon në koston e artit. 

-Për publikun më herët u shfaqët dhe në spektaklin “Dancing with the stars”, ku spikatët sërish me performancën tuaj dhe fizikun? Pjesëmarrja në “Dancing with the stars” ka qenë një nga dëshirat e mia dhe jam e kënaqur që mora pjesë. Më vjen mirë që ato vajza atje ishin më të reja se sa unë, dhe unë nuk dalloja nga trupi në raport me ato. Trupi në formë? Mendoj se është dhe gjenetike. Mendojnë se bëj palestër, por nuk bëj. Atje nuk isha si në skenën e teatrit, kisha dhe pak frikë, por ajo që ia vlen për tu përmendur është që njerëzit e kanë shijuar. Ju pëlqente që më shihnin në një këndvështrim tjetër, dhe sidomos gratë e moshës sime identifikohen me mua dhe thonë: shumë mirë, kështu duhet të jemi. Më vjen mirë që jehona për atë spektakël ka qenë pozitive dhe gratë kanë marrë një lloj fuqie.   

Intervistoi: Julia Vrapi

Foto rikompozuar nga Kozma Borova

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Burimi: www.sot.com.al