Fadil Hasa
Fadil Hasa
Rolet e tij duket se kanë shenjuar historinë e humorit në Shqipëri, atij humori të pastër, i cili të bën të qeshësh me gjithë shpirt. Është aktori i mirënjohur i humorit Fadil Hasa, i cili me dhjetëra personazhe që ka sjellë me numrat e humorit ka marrë shumë vlerësime nga publiku. Gjatë viteve që ai ka qenë pranë Estradës së Durrësit, ajo ishte një kohë e artë në jetën artistike. Çdo rol i realizuar me profesionalizëm e ka përcjellë më së miri mesazhin në publik me problemet që trajtonte humori shqiptar, dhe kjo për aktorin e njohur Fadil Hasa ka qenë prioritet për aktorët. Në moshën 75 vjeçare aktori i njohur vjen me një rrëfim mbi jetën e tij sot, tregon kujtimet e viteve kur Estrada e Durrësit jetonte mes shumë aktiviteteve dhe shpreh keqardhjen që në gjithë Shqipërinë nuk funksionojnë si dikur estradat. Në intervistën dhënë për gazetën, aktori i njohur për këtë situatë bën përgjegjës shtetin dhe bashkitë, që kurrë nuk patën në vëmendjen trupat e estradës. Jo pak kritika aktori i njohur i humorit ka dhe për humorin e ditëve të sotme, që sipas tij nuk përcjell tamam problematikën që kërkon publiku. Në vitin 1974, aktori Fadil Hasa hyn në Estradën e Durrësit si një aktor profesionist, ndonëse ashtu sikurse pohon edhe vetë, fillimi ishte pak i vështirë. Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Sheqeri”, “Tekniku i lavatriçes”, apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar. Ka luajtur edhe në filma si : Kronikë provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit dhe Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit. Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, aktorit Fadil Hasa ju dha çmimi i Aktorit më të Mirë, për rolin e luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.
-Jeni një nga emrat e mirënjohur të humorit shqiptar, si po vijon aktiviteti juaj artistik?
T’ju them të drejtën projektet tani janë shumë të rralla, për të mos thënë fare. Po kalojmë një periudhë ndoshta pak më të zgjatur të tranzicionit, sidomos në aspektin e humorit shqiptar. Mund të gërshetohen shumë gjëra për këtë. Ka humbur pak interesi, për artin nuk ka atë vëmendje që ka pasur dikur.
-Thatë që ka humbur interesi për humorin, artin, çfarë mund të na thoni sot mbi gjendjen e estradave shqiptare, ato trupa artistike që kanë mbetur?
Gjendja e estradave me atë që unë konstatoj në qytetin tim të Durrësit, por kështu është në të gjithë Shqipërinë është e rrënuar, përderisa prej tyre shteti është tërhequr, i ka lënë në dorë të bashkive. Ky është gabim i madh për mua, sepse është tjetër interes, bëhen shfaqje nëpër teatro, bëhen në sheshe ku nuk merret vesh asgjë, dhe kur ke një projekt estrade thonë që kanë mbaruar lekët. Kjo më duket se është sëmundje e të gjithë estradave që janë sot. Unë nuk e di se kush është sot në trupën e Durrësit, por edhe ata që mund të jenë vijnë dhe marrin një rrogë qesharake, bëjnë ndonjë punë të dytë, sepse e kanë nevojë familjare, ndaj nuk janë më ato estrada si dikur, siç ju thashë ka humbur interesi që ka qenë. Në kaq vite nuk u pa asnjë projekt në favor të trupave të estradave në vendin tonë. Në përgjithësi arti jo vetëm në vendin tonë, por dhe në shtete të tjera është defiçitar, nuk i mbulon shpenzimet e veta. Ministria e Kulturës, bashkitë kanë fonde të vogla, dhe janë përgjysmuar trupat e estradave, kanë mbetur me 2 apo 3 vetë, kur për të bërë një shfaqje të bukur me estradën duhen të paktën të jenë 20 veta si trupë artistike, përfshirë dhe këngëtarët, etj.
-Sa artistë ka pasur dikur Estrada e Durrësit?
 E gjithë trupa artistike e Estradës së Durrësit ka qenë 35 vetë, me artistët e humorit, këngëtarët, orkestra, por sot janë 3 vetë.
-Si e kujtoni humorin kur këto trupa artistike ishin me shumë shfaqje, programe të pasura dhe shumë publik?
Para ’90 interesi i atij shteti që ekzistonte ishte për ta shfrytëzuar për interesa politike të vetat artin, por gjithsesi kishte një interes jashtëzakonisht të madh, kishte kujdes të madh. Në këto 23 vjet unë kam konstatuar, ndoshta e kam gabim, por ne shqiptarët e duam një njeri më të zgjuar mbi kokë. Ne duhet të kemi një më të zgjuar se sa vetja për të bërë diçka të bukur, por po na le të lirë ne nuk dimë të bëjmë gjë. Edhe sot të lirë jemi. Unë nuk jam nihilist, janë bërë gjëra të bukura por jo sa përpara viteve ’90 në art. Arti ka pasur vëmendje të madhe, dhe janë bërë gjëra që nuk i fshin dot historia.
-Për shumë vite pranë Estradës së Durrësit, çfarë kujtoni sot nga aktivitetet e saj?
Fat i madh i trupës së Durrësit, sepse ka pasur dy nga regjisorët dhe shkrimtarët më të mirë në Shqipëri, ishte Gjergj Vlashi dhe Haxhi Rama. Të dy regjisorë dhe shkrimtarë të shkëlqyer, ndaj ne nuk kishim nevojë për ti shtrirë dorën dikujt tjetër aman na shkruaj materiale. Estrada e Durrësit aq sa unë kam qenë pranë saj në shumë aktivitete në rang kombëtar nuk është ndarë kurrë pa çmime.
-Ju vetë, kë veçoni nga numrat tuaj të humorit ndër vite, personazhet që keni interpretuar?
Në jetën time artistike unë kam pasur një partnere shumë të mirë, ishte aktorja Aishe Stari, dhe kemi qenë në skenë duke interpretuar së bashku për 25 vjet. Rolet e mia më të mira janë ato që kanë mbetur në publik, kujtoj batutat me personazhet sheqer, sheqer-kryp, kryp, apo personazhi në numrat e humorit “Dajrja dhe parja”, etj., që kanë mbetur në publik.
-Sot nuk ka më estrada si dikur, megjithatë humori edhe pse shumë më pak nuk mungon. Si është në nivelin e tij artistik humori sot që shfaqet në televizione të ndryshme?
Sot bëhet humor interneti, dhe nuk më pëlqen, por dhe këtu ka një ndarje. Djemtë dhe vajzat e reja janë jashtëzakonisht të talentuar në interpretim, por brumi, materiali i humorit ka probleme. Mund të shikojmë një shfaqje një orë e gjysmë, dhe nesër nuk kujton asgjë, sepse nuk janë ato probleme nga hallet e mëdha që ka populli sot. Tre minuta është një numër humori dhe nuk mund të zbërthesh të gjithë problemin, por të paktën ti prekësh problemet që të thonë bravo. Ne sot rrimë në rradhë dhe për të bërë një pashaportë, na del shpirti në radhë për të paguar një taksë makine, etj, këto janë probleme që has shqiptari, që thotë i lumtë goja atij Fadil Hasës, që e preku këtë temë për humorin, por sot tema të tilla nuk ekzistojnë.
 -Si i keni marrëdhëniet me kinematografinë, pasi jeni shpallur dhe aktori më i mirë në festivalin shqiptar të filmit, ku ju ishit protagonist në filmin “Mao Ce Dun”?
Ai ka qene një fat për mua, rrallë vjen. Interpretoja personazhin e Hekuranit, ka qenë një film i cili u mirëprit nga publiku. Me këtë film unë kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse në pesë festivale ndërkombëtare të filmit, sot po e them për herë të parë, 5 herë jam nominuar për çmimin si aktori më i mirë, në festivalin e filmit në Moskë, Egjipt, etj.
-Vetëm ky rol do të mbetet në kinematografi, a keni të tjera projekte?
Janë tre skenarë që më janë ofruar, por thonë kur të bëhen paratë për filmat. Një skenar është i Ismail Kadaresë, për gratë ruse që kanë qenë martuar në Shqipëri dhe kanë hequr picirin gjatë diktaturës, një skenar që ka një dramë. Më kanë thënë lexoje dhe zgjidh një rol, por deri tani asgjë nuk ka konkrete.
-Jeni vlerësuar në kinema, por angazhimi juaj gjatë kohës që ishit me estradën ka munguar?
Ato vite, para ’90, aktorët e estradave nuk u angazhonin se thonin janë karagjoza. Jo vetëm unë, por asnjë aktor i humorit nuk ka qenë i angazhuar për filma, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Ky ishte mentaliteti ato vite, por nga kjo ajkë aktorësh mund të kishin zgjedhur 5 apo 6 dhe mund të kishin bërë punë.
-Të vlerësohesh si një prej aktorëve të njohur të humorit ndër vite, si aktor ku mendoni se ka qenë puna juaj për ta bërë për vete publikun?
Në jetën time si aktor humori kam pasur gjithmonë vëmendje të mos bëhem i përsëritshëm. Unë dhe gjithë kolegët e mi mbahemi mend, sepse kemi prekur ato probleme që populli i kishte çdo ditë në shtëpi, ky ka qenë sekreti ynë. Ne nuk kemi bërë kurrë humor për humor, nuk kemi thënë fjalë banale në humor. Ne ishim të edukuar në shpirt, se nuk ia vlen për një fjalë që publiku mund të qeshte edhe një herë më shumë.
-Në aktivitetin artistik shumë mbahet mend dhe koncerti i Vitit të Ri. Trupat e estradës ishin të angazhuara për këto ditë festash, por prej vitesh kjo gjë ka humbur në ekranin e TVSH. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Në TVSH janë zhdukur shumë aktivitete të tilla, që publiku i ka mirëpritur, ashtu si dhe koncerti i madh i Vitit të Ri. Ndoshta kjo humbi për shkak të fondeve, por të tilla programe nuk duheshin humbur. Sot lavdërohen në Top-Channel se bëjnë spektaklin “Portokalli”, dhe shumë mirë bëjnë, por problemi qëndron se sot nuk ka konkurrencë. Është vetëm një spektakël, dhe vetëm atë do të shikosh. RTSH që merr taksat tona, janë 15 trupa me aktorë nëpër Shqipëri, dhe ti thotë që një shfaqje kërkon në vit nga secila trupë, dhe kështu çdo muaj në ekran do të kesh një shfaqje të re. RTSH mund ta regjistrojë dhe e shfaq për publikun, dhe këtë nuk ë bën, por është RTSH që duhet ta mendojë këtë, sepse merr taksat tona.
-Edhe pse sot trupat e estradës nuk janë aktive si dikur, por DVD me humorin e atyre viteve nuk mungojnë në treg apo dhe në ekrane të ndryshme televizive shihen numrat e humorit të atyre viteve. Keni probleme me të drejtën e autorit?
E kemi parë veten si aktor humori në ekrane të ndryshme, por nuk e dimë se çfarë ndodh. Jemi jashtë kësaj, as nuk na pyet njeri dhe as nuk dimë se si shfaqen.
-Sot jeni pensionist, si janë ditët e aktorit të njohur të humorit Fadil Hasa?
Ditë të bukura (qesh), vazhdoj të jetoj në Durrës.
-Çfarë ju ka falur Durrësi gjatë viteve?
Më ka mësuar notin, më ka dhënë kripën dhe humorin (qesh).
-Sot jeni 75 vjeç, dhe siç keni pohuar dhe vetë keni rreth 45 vjet jetë artistike. Sot pas kaq vitesh, kur e mendoni jetën tuaj artistike me humorin, ka pengje si aktor?
Jo nuk kam pengje. Unë kam qenë një nga kryesorët e trupës së Estradës së Durrësit që jam respektuar dhe nderuar me çmime. Ato që unë kam dëshiruar mi kanë dhënë.

Intervistoi: Julia Vrapi
Interviste e vitit 2014
Burimi: Sot.com.al