Nga RAMAZAN ÇEKA 

RAMAZAN ÇEKA

Vepra e prof. Fadil Krajës do të mbetet në fondin e artë të dramaturgjisë shqiptare   

Është periudha e viteve 1930, kur Shqipëria karakterizohei si një vend i prapambetur dhe i varfër, i dalë me mundim nga errësira pesëshekullore e pushtimit otoman, por me një trashëgimi tradicionale kulturore që ndriçonte me dritën iluministe të Rilindjes Kombëtare duke krijuar vatra përparimi, sidomos në qytetet kryesore të vendit si: Shkodra, Tirana, Elbasani, Korça, Gjirokastra etj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe që në djepin e nënës shkodrane që përkundej pranë një vatre të tillë plot dritë e ngrohtësi, të mos lindnin edhe djem e vajza të talentuar që do ta mbanin gjallë këtë zjarr me veprat e tyre. Në një vatër të tillë shkodrane ku kultura dhe arsimi ishin ushqimi i përditshëm, lindi në vitin 1931 edhe shkrimtari i ardhshëm i cili do të kishte një krijimtari të shumanëshme e cilësore dhe me vlera mbarëkombëtare, veçanërisht në fushën e dramaturgjisë, Fadil Kraja.

Mësimet e para për historinë, për gjuhën e bukur shqipe, për zakonet dhe traditat e bukura shqiptare, Fadili i mori që në prehërin e nënës së tij, mësueses së paharruar Hajrie Hanëmi (Zonja Hajrie), mësuesja e parë në Shkodër (1920), e cila kishte  mbaruar Robert Kolezh në Stamboll. Muziaknte dhe rekordmene e kultivimit të luleve në Shkodër, e vetmja grua e asaj kohe që përveçse e arsimuar dhe e emancipuar ka ditur t’i bie instrumentit shumë të vjetër “UDI” që kishte 12 tela dhe ishte i vështirë në akordim. Mbanë gjithashtu titullin “Mësuese e Popullit”.   Bashkëshortja e Krajës, mjeke kirurge e parë dhe e vetme në Shkodër në ato vite.  

Fadil Kraja mbasi mbaroi gjimnazin e Shkodrës, ku spikati talenti i tij për letërsinë, u diplomua në Universitetin e Tiranës në fakultetin e filologjisë gjuhë-letërsi, dhe vazhdoi me pasion profesionin e mësuesit të cilin e trashëgonte dhe nga familja e tij. Ai kontribuoi për vite me radhë si një mësues i nderuar në fshat e qytet duke nxjerrë nga duart e tij nxënës e studentë që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme e në mënyrë të veçantë, në fushën e letërsisë dhe të artit.   Në vitin 1950, filloj punën për herë të parë si mësues në fshatin Mjedë në shtëpinë e Hasan Metit, pasi në atë kohë nuk kishte shkollë në këtë fshat. Mësimi aty filloi me rreth 50 nxënës të ardhur nga 8 fshatra: Shelqet, Spathar, Laç, Qyrsaq, Hajmel, Ganjoll, Kaç, Naraç, me 4 mësues; Isak Ramadani, Fadil Kraja, Rifat Barbullushi, Gita Shani.

Prof. Fadil Kraja kujton për atë kohë një lidhje interesante mes tij dhe dramaturgut të madh shqiptar Kolë Jakova : “Nuk ishte koincidencë por është fakt. Në 40 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në fshatin Mjedë ishim të ftuar themeluesi në vitin 1935 i kësaj shkolle (atëherë fillore) Kolë Jakova në shtëpinë e Elez Agies në Vaun e Dejës dhe unë që hapa për herë të parë ciklin 7 vjeçar në vitin 1947- dhe me buzëqeshje vashdon- në këtë shkollë, në këtë fshat Kolë Jakova shkroi dramën e tij të parë, në këtë fshat, në këtë shkollë mua më lindi ideja të bëhesha dramaturg, gjë që më vonë e bëra realitet. E, sa për poezitë e para, ato i kam shkruar që në bankat e gjimnazit dhe i kam botuar në gazetën “Letrari i ri” që aso kohe botohej në Tiranë”.    Fadil Kraja ka luajtur një rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës.

Më pas punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Mbi 20 vjet Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën, shkrimtar në profesion të lirë dhe sot gëzon pension të posaçm, ku nuk e ka kursyer asnjëherë punën e tij duke i dhënë një ndihmesë të madhe edhe dramaturgëve të rinj.    Për disa kohë ka drejtuar Klubin e Rinisë dhe më vonë anëtar i përhershëm i këshillit artistik në Teatrin “Migjeni”.   Fillimet e para në krijimtari datojnë që në moshë të re. Vëllimi i parë poetik “Kanga ima” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh” etj., vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Ndodhitë e Nereidës”, romanet: “Britma e një gruaje”, “Pengu i diellit”, “Balada e nënës”. Skenare filmash dhe librete operash.  

Këto që po përmendi më lart janë një pjesë e krijimtarisë së tij, pasi në këtë shkrim e pamë më të udhës të ndalemi pak më gjërë në krijimtarinë dramaturgjike.    Është autor i mbi 100 dramave dhe komedive të suksesshme, të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në SHBA, ku mund të veçojmë: “Fisheku në pajë” 1967, e cila mbanë rekordin se u shfaq vetëm në Shkodër 500 herë, duke vijuar me “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Njerëz të ditëve tona”, “Shpartallimi”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Luani i shtëpisë”, “Mos më shkim hisen e diellit”, “Jorgani”, “Ditari i një mësuesi”, “Dopio gjashta”, “Dy jetë”, “Midis dy dhimbjeve”, “Surpriza”, “Martesë me internet”, “Nata e fundit”, e dhjetra të tjera, si dhe shumë drama për fëmijë.

Fadil Kraja është fitues i dhjetra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.   Është Laureat i Çmimit të Republikës, duke u bërë kështu një shkrimtar që ka ndërtuar identitetin e tij shumë planesh.   Eksperienca e tij e gjatë, kontributi i shquar, sidomos në fushën e dramaturgjisë ishin një shtysë për ta nderuar atë si një mjeshtër të madh të fjalës nga institucioni më i lartë i Shtetit, Presidenti i Republikës i cili i akordoi titullin “Mjeshtër i madh”, që vinte mbas vlersimit të madh që i bënte atij qyteti i lindjes duke e shpallur “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”. Fadil Kraja është i pari personalitet në fushën e krijimtarisë në Shkodër, që nderohet me këto çmime të larta.   Tifoz i flaktë i “Vllaznisë”  

Personaliteti i Fadil Krajës rrezaton mirësi dhe popullaritet, është i njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë. Në një bisedë të lirë me Prof. Fadil Krajën mësuam se nga penda e tij e artë, Teatri i Gjakovës për herë të parë është inaguruar me dramën “Fisheku në pajë” dhe në vitin 2000, kur Gjakova po digjej, në këtë teatër po jepej drama “Dasma e trojeve tona”. Teatri i Strugës me dramen “Hisja e diellit”, Teatri i Tuzit me dramen “Tronditje” dhe i shqiptarëve në Detroit të SHBA me dramen “Jorgani”. Dramat shquhen për patetizem dhe dashurinë për atdheun e popullin.   Këto momente janë të pa harruara për Fadil Krajen, i cili është më shumë se shkrimtar, dukshëm i shquar e me profil që rrezaton ide dhe mesazhe të cilat, falë pasionit të tij të madh dhe aftësisë së madhe të komunikimit bëhen impersionuese kur transmetohen në skenat e teatrove që gati-gati të kujtojnë lojën e aktorëve grekë.  

Është ndër ata krijues që tërë kohën u angazhua për një shoqëri të hapur shqiptare. Përmes dramave të tij e sidomos ato që janë të karakterit historik, Fadili din të bëjë një lidhje kohore prej së kaluarës në të tashmen, duke dhënë një vizion edhe për të ardhmen. Në një moment ai është shprehur: “Në qoftëse në Shkodër në themelet e kësaj kështjelle të madhe të kulturës e të artit me të cilën krenohet Shqiperia, kam vënë edhe unë një guralec, do të jem shumë i lumtur”.   Aktorët e shquar të Teatrit “Migjeni” të shkodrës shprehen për Fadil Krajën: “Kudo qe jemi ne, kudo që është pena e Fadil Krajës ne jemi krijesat e tij”. Fadil Kraja i dha jetë krijimeve të tij falë bashkëpunimit me një trupë aktorësh virtuozë siç ishte trupa e teatrit të Shkodrës.   Fadil Kraja është një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë  kombëtare. Askush më mirë se miku dhe bashkëpunëtori i tij më i mirë, regjisori Serafin Fanko nuk mund të bënte një përmbledhje të asaj që solli bashkëpunimi i tij me Fadil Krajën. Të dy i bashkoi puna,  gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe suksestet e skenës. Drama e parë që vuri në skenë pas studimeve, regjisori Serafin Fanko ishte “Fisheku në pajë” që i garantoi një sukses të madh të dyve.  

Fadil Kraja i dha skenës shqiptare vepra të mrekullueshme të interpretuara nga aktorët e mrekullueshëm si: Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, Bruno Shllaku e Paskualina Gruda (një çift i mrekullueshëm, që drama “Gjaku i Arbërit” i bashkoi për jetë), si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjoze të Prishtinës.   Serafin Fanko ka treguar: “Më kujtohet premiera “Baca i Gjetajve”. Jepej me 16 prill 1979 të nesërmen e tërmetit të madh. Salla e Teatrit “Migjeni” ishte e tejmbushur. Në mes të shfaqjes ndodhi një lëkundje e vogël tërmeti. As spektatorët, as aktorët nuk u kujtuan për të. Përkundrazi çdo gjë vazhdoi e qetë. E dhamë atë dramë në 27 qytete shqiptare dhe një vit më vonë në Gjakovë. Salla atje ushtonte nga thirrjet. Në Preshevë një plak i ndezur nga batutat e Fadil Krajës të interpretuara nga i madhi Ndrekë Luca doli në skenë dhe i vuri qeleshen e ti aktorit. Ndreka e mbajti atë qeleshe dhe atë ditë tha “Dua të varrosem me këtë qeleshe”. Amaneti u mbajt.   

Opinionet, mendimet, vlerësimet dhe kujtimet e miqëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe studentëve të tij janë të shumtë, si Tinka Kurti, aktore, artiste e popullit, Isa Alibali, studiues, ish drejtues i teatrit “Migjeni”, Profesor Hasan Lekaj, Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Hadi Shehu, aktor kosovar, Rikard Ljarja aktor, Bedri islami shkrimtar, publicist, Skënder Temali shkrimtar, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve Shkodër, Osman Kazmaj mësues, Drejtori i Qendrës Kulturore-Ulqin dr.Nail Draga.    Në dramat dhe komeditë Fadil Kraja ka krijuar me qindra personazhe. Por nuk janë vetëm dramat pjesë e vetme e krijimtarisë të Fadil Krajës. Ai është edhe tregimtar dhe romancier. “Kandidatja e fundit” dhe ” Dhimbja që të ther shpirtin”, e cila u promovua në teatrin e Gjakovës duke e recituar aktorët e këtij teatri. Janë dy prej vëllimeve me tregime të tij ndërsa e provoi penën e tij edhe në gjininë e romanit. “Britma e një gruaje” dhe “Zemra e një nëne”, që janë vlerësuar shumë nga kritika. Po kështu Fadil Kraja shkruan dhe boton me sukses në gjuhën italiane veprat “L’aquela ferita” dhe “La gravidanza derita” të botuara në Romë dhe në Firenze.   Përveç veprimtarisë krijuese Fadil Kraja vazhdon të shkëlqejë edhe me kontributin e tij akademik.  

Rreth dy vite më parë në qytetin shqiptar të Tuzit, në Mal të Zi, u ftua në një simpozium nga shoqata joqeveritare rinore “Koha e re”, ku me kumtesen e tij i bëri një pasqyrim të thellë shkencor historisë shumë shekullore të Malësisë, lidhjes së saj me qytetin e Shkodrës, kontributit të kësaj krahine të madhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare, por u ndal edhe në evidentimin e vlerave kulturore e shpirtërore, si një pasuri e madhe e kulturës kombëtare.   Në Klinë të Kosovës u bë një promovim i librit “Dhuna” me autor Lekë Imeraj, një libër shkencor-filozofik, ku i ftuar nderi ishte prof. Fadil Kraja. Ky promovim siç tregon profesori, do të mbetej për të një aktivitet krejtësisht i veçantë.  

Tridhjetë e psë vite më parë, edhe në këtë qytet të Kosovës u shfaq drama “Baca i Gjetajve” që përveç ndikimit në ndërgjegjen kombëtare të banorëve të kësaj ane, solli edhe raprezalje nga pushteti sllavo-komunist i Beogradit. Disa nga drejtuesit e kulturës të asaj kohe u burgosën. Surpriza që ata i bënë shkrimtarit të shquar Fadil Kraja ishte një dhuratë krejtësisht e veçantë. Ky ishte një album me fotografi të bëra para 35 viteve gjatë shfaqjes së dramës “Baca i Gjetajve” në këtë qytet. Prof. Fadil Kraja e cilësoi këtë si dhuratën më të veçantë që kishte marrë ndonjëherë në jetën e tij artistike.   Pena dhe mendja e këtij artisti të shquar, janë të mprehta edhe në këtë moshë, të cilat tregojnë se krijimtaria e Fadil Krajës është vitale dhe e pashterrshme.    

Mund të ju duket e çuditshme, por kjo penë edhe sot e kësaj dite, është e mprehtë dhe e mbushur me bojë dhe mbi letër, i madhi Fadil Kraja, vazhdon të hedh, për çudi, jo kujtime, por vepra të reja.   Imagjinoni një moshë të tillë me plane krijuese dhe gati paradoksale: Nga dora dhe mendja e Fadil Krajës, para pak javësh trupa profesioniste e Teatrit “Migjeni” vuri në skenë komedinë “Një krismë armiqësore” e cila korri sukses jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por fitoi çmim të parë dhe flamurin e festivalit mbarëkombëtar të Komedisë shqiptare në Mitrovicë, Kosovë.    Më 10 korrik 2014 në ekranin e TV shqiptar u shfaq dokumentari “Një rrugëtim me Fadil Krajën” që në përmasat e tij kishte sjellë me sukses rrugën e gjatë të jetës dhe veprimtarisë së këtij shkrimtari të madh, me një përgjegjësi profesionale, si një detyrim që artistët i kanë një artisti të madh. Dokumentari ishte një realizim artistik dhe krijues nga një staf që dhe vetë është i një niveli të lartë.   

Prof.Fadil Kraja para dy vitesh, pas një qëndrimi të shkurtër në Amerikë, i befasuar nga sukseset e biznesmenit të shquar në SHBA z.Ndue Ftoni, shkroi romanin me titull “Guzo” kushtuar këtij burri me zemer të madhe, duke e quajtur ndër të tjera edhe mecenat, sepse i ndihmon të gjithë artistët në SHBA, duke e quajtur atë një njeri që ndihmon Shkodrën, sepse organizoi për të paren herë dhe do ta bëjë të përvitshme “Nata Shkodrane”, me humor dhe muzikë nga Shkodra.  

Para se të shkruaj atë që mund të quhet “epilog” i këtij shkrimi, nuk mund të rri pa përmendur këtu një plan krejt tjetër krijues, prof. Fadil Kraja së shpejti do të prezantohet me një penë melankolike, por edhe optimiste njëkohësisht, me një monografi kushtuar “Mjeshtrit të Madh”, humoristit të shquar Zef Deda.        

Tavolina e Fadilit tek lokali i njohur si “Tullat e kuqe” në qendër të qytetit të Shkodrës, është kthyer tani gati në proverbiale. Në këtë tavolinë, që në të vërtetë nuk është rrumbullake, ka vend për të gjithë. Aty ulen mësues, pensionistë, shkrimtarë, artistë e piktorë, qytetarë të thjeshtë, nxënës dhe studentë, rapsod popullorë, inxhinierë e politikanë, sportistë e humoristë, të cilët e bëjnë këtë tavolinë katrore, një sofër të madhe ku të gjithë rrinë të barabartë si në tavolinën e famshme të mbretit Artur.   

Shkrim i vitit Korrik 2016 

Burimi: albdreams.net