Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së njohur me origjinë arumune, Hobdari, pinjollët e së cilës pasi ishin shkolluar e diplomuar në kolegjet dhe universitet më të njohura të Ballkanit dhe Europës, u kthyen në Shqipëri duke hapur laboratorët, farmacitë dhe klinikat mjeksore, si dhe fabrikat e para moderne në Tiranë që në vitin 1914-të, duke qenë themeluesit e Industrisë së Lehtë në Shqipëri. Dëshmia e Nasi Hobdarit, njërit prej më të moshuarave të këtij fisi, për historinë tragjike të disa prej Hobdarëve më të famshëm, si Aleksandri, i cili pasi ishte diplomuar në Akademinë Tregtare të Athinës, u kthye në Tiranë ku me dy vëllezërit e tij, Alqin dhe Jorgjin, hapi fabrikat e para të sapunit, çokollatave, akullit, pijeve freskuese, etj., e deri fabrikën e duhaneve “STAMLES” dhe Centralin Elektrik të Tiranë (SITA) që furnizoi me energji elektrike të gjithë kryeqytetin dhe pati oferta bashkëpunimi me kompaninë e famëshme gjermane,  “SIEMENS”, etj. Si ua shtetëzoi regjimi komunist në vitin 1947-të të gjitha fabrikat e linjat prodhuese dhe disa prej tyre, përfunduan burgjeve të regjimit komunist të Enveri Hoxhës, si “ar, miq të popullit”?!

Ndonëse familja jonë Hobdari, ishte ajo që hapi dhe ngriti e para Industrinë e Lehtë në Shqipëri që në vitin 1914-të, menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, ne na u shtetëzuan të gjitha fabrikat që kishim. Në atë kohë vetëm Alqi dhe Aleksandër Hobdari, u mbajtën në punë si teknolog në ato fabrika, ndërsa të gjithë të tjerët nuk i panë më me sy ato fabrika dhe linja prodhuese që shënuan dhe fillimet e para të ngritjes së Industrisë së Lehtë në Shqipëri. Madje disa nga djemtë e fisit tonë, si Asti dhe Petraq Hobdari, përfunduan burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si të dënuar politik”. Kështu e kujtonte Nasi Hobdari, njëri nga pinjollët më të moshuar të fisit të njohur me origjinë arumune, i cili na rrëfente të gjithë historinë e trungut dhe rrethit farefisnor të familjes së tij, që nga shekulli i XVII-të e deri në ditët e sotme.

Kush është familja Hobdari, prej nga është origjina e tyre dhe si e nisën ata aktivitetin e tyre tregtar pas sygjerimit të Xhemal Pashë Zogut në mesin e shekullit të XVIII-të? Kush ishin pinjollët e këtij fisi të madh, ku u diplomuan ata dhe kush ishte Aleksandër Hobdari, njëri nga më të njohurit e tyre, që Perandori Hiro Hito i Japonisë, e dekretoi me detyrën e Konsullit të Nderit në Tiranë? Cilat ishin fabrikat që ngritën Hobdarët në Tiranë, kush i administronte ato dhe përse u dënuan me burg politik Asti dhe Petraq Hobdari, në vitet e para të pasluftës?

Hobdari, Kryetari i Dhomës Tregtisë në 1921-in

Një nga pinjollët më të famshëm të atij fisi të njohur që ngriti të parën Industri të Lehtë në Shqipëri, ka qenë Aleksandër Hobdari, i cili lindi në vitin 1888-të në qytetin e Tiranës. Pasi mbaroi shkollën fillore në vëndlindjen e tij dhe gjimnazin grek në qytetin e Durrësit, në vitin 1910-të, Aleksandri përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Akademinë Tregtare të Athinës. Pas studimeve ai u kthye në Tiranë, ku me veprimtarinë e tij në fushën ekonomike dhe tregtare, u bë një nga emrat më të njohur të kryeqytetit shqiptar. Lidhur me aktivitetin e tij si industrialist i parë në në Shqipëri dhe Kryetari i Dhomës së Tregëtisë, nipi i tij, Nasi Hobdari tregonte: ”Fillimisht, Aleksandër Hobdari bashkë me vëllezërit dhe të afërmit e tij, punoi në Tiranë për ngritjen e Fabrikës së Sapunit, instalimin e Mullirit të parë të Blojës me fuqi motorike në vitin 1916-të dhe ngritjen e një fabrike të vogël për prodhimin e akullit dhe të pijeve freskuese në vitet 1918-19. Në vitin 1925, me inistiativën e Aleksandrit dhe të disa tregtarëve të tjerë të qytetit të Durrësit, u themelua Shoqëria e parë aksionere e duhanit, e pagëzuar me emrin “STAMLES”. Kjo shoqëri që në fillimet e saj ishte e organizuar shumë mirë dhe pajisjet e saj që ishin sjellë nga Greqia prej firmës së njohur ”Papastartos”, ishin të një teknologjie shumë të përparuar për kohën. Këtë shoqëri në dy vitet e para të saj 1925-1927, e drejtoi Aleksandëri. Në vitin 1927, ai mori një inisiativë mjaft kurajoze për kohën, duke themeluar në Tiranë Shoqërinë Aksionere “SITA”, aktiviteti kryesor i së cilës ishte ndërtimi në Tiranë i një centrali Elektrik të fuqishëm për furnizimin me energji të kryeqytetit. Vlen për t’u përmendur fakti që; statuti i kësaj shoqërie ishte mjaft i përsosur dhe me të gjitha kërkesat e kohës, ashtu siç ishin statutet e ndërrmarjeve më të zhvilluara të asaj kohe në shtetet perëndimore. Ndër të tjera në atë statut që ishte përgatitur nga vetë Aleksandër Hobdari, theksohej se aksionerët duhet të ishin vetëm nënshtetas shqiptar dhe për këtë arsye që nga ajo kohë kjo shoqëri u krijua dhe mbeti vetëm me kapital shqiptar.

Duke patur parasysh se kjo shoqëri ishte e para dhe më një kapital të konsiderueshëm, fillimisht u hasën mjaft vështirësi për shitjen e aksioneve dhe për këtë Aleksandëri bashkëpunoi ngushtë me patriotin tiranas Musa Vathi, i cili njohej si një njeri mjaft i ndershëm dhe me autoritet të madh në të gjithë qytetin e Tiranës. Motorrët “Diezel” dhe gjeneratorët me pajisjet e tjera elektrike u sollën nga qyteti Gratzit të Austrisë. Krahas ndërtimit të Centralit Elektrik, kjo shoqëri kreu edhe instalimet e rrjetit elektrik, shpërndarës si dhe instalimet elektrike në ndërtesat industriale dhe banesat private në të gjithë qytetin e Tiranës. Të gjitha ato punime u kryen me një cilësi të lartë dhe konform të gjitha standarteve që kishte në atë kohë Federata Elektrike Gjermane (V.D.E.)”, tregonte Nasi, lidhur me veprimtarinë industriale të familjes Hobdari dhe të parit të saj, Aleksandrit, i cili pasi kishte ngritur në vitin 1925 shoqërinë aksionere “STAMLES”, në vitin 1927, ngriti shoqërinë tjetër aksionere me emrin “SITA” që u morr me ndërtimin e Centralit Elektrik që do të furnizonte me enrgji elektrike qytetin e Tiranës.

Ngritja e Centralit Elektrik

Si u bë e mundur ngritja e Centralit Elektrik të Tiranës dhe kush ishin njerëzit që e financuan dhe e ndërtuan atë? Një nga personat që ka punuar në atë kohë me Aleksandër Hobdarin, ka qenë dhe patrioti i njohur tiranas, Musa Vathi, i cili në kujtimet e tij të ruajtura nga i biri, Besimi, në mes të tjerash ka shkruar: ”Gjatë viteve 1925-1927, që unë isha anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, pata mjaft divergjenca me shumë nga drejtuesit e asaj Bashkie, pasi nuk isha dakort me trajtimin e keq që i bëheshin kryeqytetit në atë kohë. Gjatë asaj kohe që unë fillova punë në Dhomën e Tregtisë së qytetit të Tiranës, si sekretat i saj, u njoha me një djalë të ri dhe tepër energjik, të quajtur Aleksandër Hobdari, i cili ishte një njeri shumë i aftë dhe organizator i përsosur për çështjet ekonomike. Me Aleksandrin punova deri në vitin 1927, sepse në atë kohë ai u largua dhe u mor me themelimin e Shoqërisë “SITA”(Shoqëri Industriale Tregtare Anonime). Në atë kohë sipas porosive që na jepte Alëksandëri, unë së bashku me disa shokë të tjerë, iu vumë punës dhe u morëm me shitjen e aksioneve, e me të ardhurat që do të grumbullonim, synonym që të investonim në elektrifikimin e qytetit të Tiranës. Bashkë me Aleksandërin ne shkonim nëpër tregtarët e Tiranës dhe iu shpjegonim lidhur me të mirat që do të vinin pas ngritjes së Centralit Elektrik, si për ata vetë, ashtu dhe për qytetin e Tirtanës. Po kështu iu shpjegonim atyre lidhur me të mirën që kishte blerja e aksioneve për të ardhmen, pasi me ngritjen e godinës së centralit (ndërtesa e Sigurimeve Shoqërore para gjimnazit “Qemal Stafa”), e cila kushtonte rreth 500 franga ari, fitimet do të ishin mjaft të mëdha. Pas gjithë asaj pune të madhe dhe të lodhëshme që ne bëmë, aksionet u shitën të gjitha dhe me kapitalin që ne grumbulluam, u ndërtua godina e Centralit dhe u blenë të gjitha makineritë, kabllot telat, gabinat e materialet e tjera, të cilat u sollën të gjitha nga Austria dhe Gjermania. Në fillim shumë tregtarë që blenë aksionet e atij centrali, patën frikë se mos po i’u shkonin dëm fondet që kishin dhënë, por më vonë faktet treguan të kundërtën sepse ajo shoqëri u fuqizua dhe punoi me fitime deri në vitin 1945, kur u shtetëzua nga regjimi komunist”.

Ofertat e “SIEMENS”-it

Shoqëria Aksionere “SITA” që u ngrit asokohe nën kujdesin e Aleksandër Hobdarit, pati një sukses të madha dhe fitimet e saj u shtuan ndjeshëm duke e fuqizuar atë së tepërmi nga ana financiare. Nisur nga ai fakt, ajo shoqëri pati oferta të shumta nga firma të njohura dhe tepër prestigjoze të Europës Perëndimore, për të investuar në Shqipëri. Lidhur me këtë, Nasi tregonte: ”Në vitin 1929, Shoqëria gjermane “SIEMENS”, i ofroi Shoqërisë “SITA” që të bashkëpunonin për ndërtimin e një hodrocentrali mbi lumin Kir në qytetin e Shkodrës dhe ndërtimin e një Radiostacioni në qytetin e Tiranës. Një vit më vonë në 1929-ën, po nga Shoqëria “SIEMENS” erdhi një ofertë për ndërtimin e një TEC-i në qytetin e Elbasanit dhe Shoqërisë “SITA”, nga firmat e huaja perëndimore që nën garancinë e saj kërkonin të investonin kapitalet e tyre në Shqipëri”.

Hobdari, Konsull Nderi i Japonisë

Në fillimin e viteve’30-të, Shoqëria Aksionere “SITA”, u fuqizua shumë dhe mori në sipërrmarje edhe monopolin e prodhimit të kripës në Vlorë dhe Kavajë. Ajo arriti që ta shpërndante kripën me një çmim të unifikuar në të gjitha skajet më të largëta të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat më të thella malore. Përveç kësaj, ajo shoqëri mori edhe monopolin e tregtimit të shkrepseve, duke i importuar ato nga Suedia, si dhe hapi një dyqan për shitjen e pajisjeve elektrike të importuara nga Gjermania nëpërmjet firmës “SIEMENS”. Me zgjerimin e këtyre aktiviteteve, Shoqëria “SITA” u bë një shoqëri aksionere shumë e fuqishme dhe vlerat e aksioneve të saj filluan të ngriheshin nga viti në vit. Nën kujdesin e Aleksandër Hobdarit, ajo krijoi një administratë model, duke iu paguar punonjësve të saj rregullisht sigurimet shoqërore. Në ato vite, me nismën e Aleksandërit, u ndërtua edhe një linjë për pastrimin kimik dhe larjen e teshave, apo siç njihen nga banorët tiranas, me emrin “Pastërtia”. Nisur nga puna e madhe që kishte bërë, Aleksandëri fitoi një emër të madh si industrialist, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj. Nisur nga ky fakt, në vitin 1932, Perandori i Japonisë, Hiroito, e dekretoi Hobdarin, me detyrën e Konsullit të Nderit të Japonisë në Tiranë. Lidhur me këtë në shkresën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë, në atë kohë njoftohej:

”Kemi nderin me ju njoftuem se, simbas letrës që Ministri i Japonisë në Athinë i ka drejtue titullarit të kësaj Ministrie, Qeveria e Perandorisë Japoneze, ka emnue me datën 20 prill, Zotin Aleksandër Hobdari, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë “SITA”, si Konsull Nderi të saj në Tiranë. Lutemi që sa të dali eksekuatori i zakonshëm, t’u jepni instruksionet e duhura autoriteteve që mvaren prej asaj ministrie me qëllim që ta njofim provizorisht zotin Aleksandër Hobdari, me cilësinë e tij zyrtare të re”.

Tiranë, 14 maj 1932. Ministri i Punëve të Jashtëme

Po atë vit edhe qeveria e Vienës e dekretoi Hobdarin si Konsull Nderi të saj në Tiranë. Në vitin 1935, emri i tij u vu në Enciklopedinë Botërore për njerizt e shquar “Ëho is It”, (Fq. 439), ku jepeshin disa të dhënë të shkurtëra biografike për jetën e tij si dhe funksionet e detyrat që ai ushtronte në atë kohë. Këto funksione Aleksandëri i ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Pas asaj kohe ai u morr vetëm me aktivitetin e tij si industrialist, duke administruar pasuritë e tija dhe të familjes. Në vitin 1943, kur erdhën gjermanët në Shqipëri, Regjenca e Lartë e thirri Aleksandrin dhe i kërkoi që të pranonte funksionin e Ekonomisë Kombëtare, por ai nuk e pranoi atë duke u thënë se nuk kishte asnjë dëshirë që të merrej me politikë. Gjatë viteve të Luftës, edhe familja Hobdari ashtu si shumë familje të tjera tregtare tiranase, e ndihmoi Lëvizjen Antifashiste, duke dhënë shuma të ndryshme në para dhe disa prej tyre si: Kristaq dhe Sokrat Hobdari, dolën partizanë duke u inkuadruar në Çetën e Pezës të Babë Myslymit.

Shkatërrimet dhe dënimet e Hobdarëve

Aleksandër Hobdari dhe pjestërt e tjerë të fisit të tij si Naumi, Marku, Dhimitri, Anastasi, Sotiri, Prokopi dhe Stvari Hobdari, të cilët kishin ngritur të parën Industri të Lehtë në Shqipëri, i administruan pronat e tyre të cilat përbëheshin prej disa fabrikave dhe linjave prodhuese, deri në vitin 1947-të, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës, nxorri ligjin e shtetëzimeve. Në atë kohë vetëm Aleksandri dhe Alqi Hobdari u mbajtën në punë si teknologë në ato fabrika, ndërsa të tjerët nuk i panë më me sy ato. Madje disa prej tyre, si Petraq dhe Asti Hobdari, përfunduan burgjeve të regjimit komunist, si të dënuar politik. Lidhur me këtë, Nasi Hobdari kujtonte: “Asti Hobdari u lind në vitin 1915-të dhe pasi mbaroi shkollën e mesme në Tiranë dhe në Shkodër, shkoi me studime në Itali, ku dhe u diplomua në Universitetin Mjeksor të Romës, në degën Farmaci. Pasdiplomimit ai u kthye në Shqipëri ku pasi punoi për disa kohë si farmacist, në vitin 1947 u arrestua duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë”. Pasi u lirua nga burgu në vitin 1949, ai punoi përsëri si farmacist në Poliçan të Gjirokastrës dhe më pas në qytetezën e Milotit, ku dhe vdiq në vitin 1963. Ndërsa Petraq Hobdari i cili kishte lindur në vitin 1920-të në qytetin e Tiranës, në 1929-ën, mbaroi shkollën e mesme për Financë në qytetin e Napolit në Itali. Pasi punoi për disa kohë si inspektor i Përgjithshëm i Shoqërisë “S.I.T.A.”, në vitin 1946 kur u shtetëzua ajo, ai filloi punë në Ministrinë e Transporteve si Drejtor i Drejtorisë të Plan-Financës. Në vitin 1951, ai u arrestua si shumë intelektualë të tjerë që ishin diplomuar në Perëndim, dhe vuajti për pesë vite në burgjet e regjimit komunist i akuzuar si “ar, mik i popullit”. Pasi doli nga burgu, ai punoi në Ofiçinën e OMT-së deri sa doli në pension”, e përfundon rrëfimin e tij, Nasi Hobdari, lidhur me familjen e tij dhe pjestarët e tjerë të fisit Hobdari, të cilët njihen si njerzit që hodhën themelet e para të Industrisë së Lehtë në Shqipëri.

Historia e panjohur e familjes Hobdari / Nga fabrikat e para në Tiranë, te farmacitë, laboratorët, klinikat mjeksore, dhe kinemaja e parë “NACIONAL”

Orogjina e herëshme e familjes Hiobdari, është nga fiset arumune që mendohet se kanë ardhur në Shqipërinë e Mesme për gjatë rrugës Egnatia, që nga koha e romakëve. Ashtu si shumë fise të tjera arumune që u vendosën asokohe në trevën e Elbasanit, edhe familja Hobdari deri nga fundi i shekullit XVII-të, ka jetuar në fshatin Smolnik të Çermenikës, i cili ndodhet në faqen Perendimore të Malit të Jabllanicës. Në mesin e shekullit të XVIII-të, fisi Hobdari u detyrua që të shpërngulej për shkak të sulmeve të bandave të ndryshme të hajdutëve që plaçkisnin në atë krahinë. Si të gjitha familjet arumune edhe fisi Hobdari, merreshin kryesisht me blegtori dhe bujqësi, prej së cilës ata njiheshin ndryshe edhe me emrin “çobanë”. Përveç asaj pune, ata punonin edhe si qerexhainj duke përshkruar me kuaj rrugën: Strugë-Elbasan-Tiranë-Durrës, e anasjelltas. Për arsye se burrat e atij fisi në më të shumtën e kohës ishin të larguar nga shtëpitë e tyre, për ditë të tëra, shtëpitë e tyre sulmoheshin hera herës nga bandat e plaçkitësve. Të detyruar nga këto kushte dhe rrethana, fisi Hobdari u largua nga ajo krahinë dhe në vitin 1850-të ata u vendosën në qytetin e Tiranës. Po kështu një version tjetër për shpërnguljen e tyre, është edhe gjetja e tregut dhe hapësirat e mëdha që krijohehsin aty për aktivitetin e tyre. I pari i kësaj familje, gjatë periudhës që ata u vëndosën në Tiranë, ka qenë Filip Hobdari, i cili mendohet se ka lindur rreth fundit të shekullit të XVII-të apo fillimit të shekullit të XVIII-të. Pas Filipit, nga fisi Hobdari më i njohuri ka qenë Dhimitri, i cili ishte i pari i asaj familje kur ata jetonin sëbashku në mënyrë patriarkale. Dhimitër Hobdari, veprimtarinë e tij tregtare e kishte filluar në qytetine Manastririt dhe rrethinat e tij, ku ai u njoh me Xhemal Pashë Zogun, babanë e Ahmet Zogut. Xhemal Pasha sugjeroi Dhimitrit që ta transferonte një pjesë të aktivitetit të tij tregtar në atë trevë dhe ai iu përgjigj me shumë kënaqësi ofertës së Xhemal Pashë Zogut, dhe duke pasur mbrojtjen dhe garancinë e tij, me karvanët që kishte e furnizoi rregullisht atë zonë. Kur Xhemal Pashë Zogu bëri krushqi me familjen e njohur tiranase, Toptani, ai filloi të vinte shpesh në këtë qytet dhe që nga ajo kohë ai i sugjeroi Dhimitrit, që ta shtrinte aktivitetin e tij tregtar dhe në kryeqëndrën e madhe të Shqipërisë, në Tiranë.

Pas kësaj, Dhimitri me gjithë fisin e tij u shpërngulën dhe erdhën në Tiranë, gjë e cila mendohet të jetë edhe arsyeja kryesore e shpërnguljes së këtij fisi në këtë qytet, nga ku nuk lëvizi më. Në fillimet e ardhjes së tyre në Tiranë, ata blenë shtëpi dhe u vendosën në Rrugën e Fan Kojës, në afëris të Kishës Orthodokse, aty ku sot ndodhet Hotel “TIRANA” (15-katëshi). Në fillim, Hobdarët jetuan të bashkuar si familje e madhe patriarkale dhe shumë shpejt ata u ingranuan në jetën dhe pjesën tjetër të banorëve vëndas. Në qytetin e Tiranës, familja Hobdari nuk u morr më me blegtori e bujqësi, por e filluan aktivitetin e tyre duke u marrë me tregti artikujsh artizanal të ndryshme. Aktiviteti që ata nisën shumë shpejt u dha frutet dhe fitimet e para, duke rritur ndjeshëm të ardhura financiare të gjithë familjes së tyre të madhe. Duke parë se mallrat që vinin nga vëndet e Lindjes, ishin shumë më të shtrenjta se ata që vinin nga Perëndimi, si dhe pasigurinë gjatë udhëtimit, Hobdar-ët filluan të importonin mallrat e tyre nga Perëndimi, duke u lidhur me tregtarë italianë në Brindizi e Napoli. Nisur nga gjëndja e mirë ekonomike që arritën ata si familje, përveç aktivitetit të tyre tregtar, filluan të tregonin kujdes edhe për shkollimin e fëmijve të tyre, duke dërguar për studime shumë djem e nipër nga ajo familje, si: Milto, Petraq e Dhimitër Hobdari, Vangjel Zaharinë, Jonuz Tafaj, etj. Një nga djemtë e parë të atij fisi që u shkolluan në atë kohë, ishte Jakov Dhimitër Hobdari, i cili u lind në vitin 1865 në qytetin e Tiranës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Manastirit, Jakovi shkoi në Greqi dhe filloi studimet në Fakultetin e Mjeksisë pranë Universitetit e Athinës, ku u diplomua me rezultate të larta. Dr. Jakov Dhimitër Hobdari, njihet si një nga mjekët e parë të qytetit të Tiranës dhe i dyti në këtë qytet, pas Dr. Shaqir Marës.

Pas diplomimit, ai u kthye në Shqipëri dhe filloi të ushtronte prpfesionin e tij të mjekut, në fillim në qytetin e Beratit dhe më pas në Kavajë dhe Durrës. Aty nga viti 1904, Dr. Jakov Hobdari u caktua si drejtues i një ambulance të hapur që kishin ngrituar asokohe austro-hungarezët në qytetin e Durrësit. Në atë qytet, Dr. Jakovi shërbeu deri në vitin 1918-të dhe më pas ai u vendos pranë familjes së tij në qytetin e Tiranës, ku ushtroi profesionin e tij si mjek. Në ato vite ai u morr më shumë me kurimin e sëmundjeve ngjitëse, si tuberkulozi, sifilizi, dhe tifoja, për të cilat kishte studjuar dhe ishte specializuar edhe pas mbarimit të fakultetit. Dr. Jakob Hobdari shërbeu si mjek deri nga fundi i periudhës së Monarkisë së Zogut, kur ai u nda nga jeta. Dr. Hobdari la dy djem, Milton dhe Spiron, të cilët kishin lindur përkatësisht në vitet 1880-të dhe 1883. Djali i parë, Milto, pasi mbaroi shkollën e mesme në ishullin e Korfuzit, shkoi në Itali ku studjoi në degën Kimi-Farmaci në Universitetine Napolit, ku fitoi gradën e Doktorit të Shkencave. Milto u kthye në Tiranë ku krahas hapjes së një farmacie private, ai ngriti dhe një laborator për bërjen e analizave mjeksore. Dr. Milto Hobdari ishte i pari farmacist në Tiranë që e ushtroi profesionin e tij vetëm për një periudëh dy vjeçare, pasi një sëmundje e rëndë e ndau shumë shpejt nga jeta. Djali tjetër, Jakovi, pasi mbaroi shkollën e mesme në ishullin e Korfuzit, vazhdoi studimet e larta në Paris, ku u diplomua në degën e Stomatologjisë. Pas diplomimit, Spiro Hobdari u kthye në qytetin e Tiranës, ku për shumë vite me rradhë ushtroi profesionin e tij të stomatologut, në fillim në një klinikë private dhe më pas në Spitalin Ushtarak dhe Poliklinikën Dentare të Tiranës. Spiro, i cili ndërroi jetë në vitin 1960-të, mbahet mend si një stomatologët më të mirë të Tiranës. Pas këtyre, një nga djemtë e tjerë të familjes së njohur Hobdari, që u shkolluna dhe u diplomuan jashtë Shqipërisë, ka qenë dhe Alqi, apo siç njohej ndryshe dhe me emrin Nikolla Jani Hobdari, i cili lindi në vitin 1883 në Tiranë.

Pas mbarimit të shkollës unike në vendlindjen e tij, Alqi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin grek të Durrësit dhe më pas ndoqi mësimet në Athinë, pranë një shkolle profesionale dy vjeçare të Industrisë së Lehtë. Alqi së bashku me dy vëllezërit e tij, Aleksandrin e Jorgjin, ishte dhe pinjolli i parë i kësaj familje që u bë shkas që ata të fillonin aktivitetin e tyre në fushën e Industrisë së Lehtë. Ata të tre së bashku me të afërmit të fisit Hobdari, që në vitin 1914-të, filluan nga puna dhe ngritën të parën fabrikë sapuni në qytetin e Tiranës, pasi që nga viti 1890-të, ata e prodhonin sapunin në mënyrë artizanale në shtëpinë e tyre. Pas kësaj në vitin 1916-të, në rrugën e Durrësit, ata instaluan Mullirrin e parë të Blojes me fuqi motorike, (deri në atë kohë mullinjtë punonin me ujë) dhe në vitin 1918-të, ngritën një fabrikë të vogël për prodhimin e akullit e alkolit dhe një fabrikë tjetër për prodhimin e pijeve freskuese. Pas këtij aktiviteti që shënon dhe fillimet e Industrisë së Lehtë në Tiranë, bashkë me dy ortakë të tjerë, në vitin 1922, ata hapën kinemanë e parë në Tiranë me emrin “Nacional” (më pas “17 Nëntori”) pasi Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë dhe u rrit ndjeshëm numëri i popullsisë, e rrjedhimish edhe nevojat për prodhime industriale, tre vëllezërit: Alqi, Aleksandri dhe Jorgji Hobdari, në vitin 1928-të, ngritën në Rrugën e Durrësit, një kompleks të madh industrial me një fabrikë moderne për prodhimin e akullit (që në atë kohë ishte i nevojshëm për spitalet dhe baret), një fabrikë për prodhimin e sapunit, një Distileri për prodhimin e alkolit industrial nga misri, një laborator për prodhimine parfumeve me esanca të importuara nga firma prestigjoze gjermane “ GEROGE Gurt” e Leipzig, dhe një linjë moderrne për prodhimin e pijeve freskuese, duke marrë ekskluzivitetin e firmës gjermane “SINALCO” me qëndër në Dortmund. I gjithë ky kompleks industrial, që nga krijimi i tij e deri në vitin 1947-të kur u shtetëzua nga komunistët, u administrua nga Alqi Hobdari, pasi dy vëllezërit Jorgji dhe Aleksandëri u morrën me aktivitete të tjera.

Me ardhjen e regjimit komunist në fuqi në vitin 1945-së, pushoi së qenuri dhe u shua fare aktiviteti tregtar e prodhues I familjes Hobdari, të cilëve jo vetëm që iu sekuestrua e gjithë pasuria dhe pronat që ata kishin, por disa prej tyre përfunduan burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u akuzuar si “ar, miq të popullit” dhe emri e fama që kishin pasur si themelues së Industrisë së Lehtë në Shqipëri, do të shuhej me kalimin e viteve, për t’u arkivuar dhe mbetur si “pronë” e historisë së kryeqytetit shqiptar, Tiranës./Memorie.al