Ne tetor të vitit 1944, kur aleatët ishin në prag të fitores mbi Nazifashizmin, një korrespondent shqiptaro-amerikan i gazetës së njohur “Boston Globe” shkoi në Bari të Italisë dhe në mes të tjerash vizitoi një spital ushtarak ku qenë shtruar partizanë të plagosur nga vendet ballkanike që luftonin kundër forcave të Boshtit dhe ndërmjet tyre dhe partizanë shqiptarë të plagosur. Duke vizituar pavijonet e spitalit gazetari do të ndeshë papritur në një partizane adoleshente, trup dobët dhe e veshur ushtarakisht me njërin sy të lidhur.

Gazetari i ardhur nga përtej oqeanit sapo e pa i tërhoqi vëmendjen dhe ju afrua. Me një italishte të çalë zuri ta pyeste: “Ç’të ka ngjarë me syrin e lidhur?” Partizania adoleshente u përgjegj serbes shqip dhe me ca fjalë italisht pa e ditur se i huaji ishte i një gjaku me të. “Këtë sy në luftë e sipër, tha ajo e dhashë për lirinë e vendit tim”. Gazetari i habitur nga fjalët shqip që po dëgjonte ja priti dhe ai në gjuhën e saj: “E kujt luftë?”. “Luftës Nacionalçlirimtare, ju përgjegj vajza me krenari”. “Pse dhe ti e di çfarë është Lufta?”. “Si nuk e di, tha partizania”. “Sa vjeç je moj vogëlushe?” e pyeti prapë ai. “Sapo kam mbushur të gjashtëmbëdhjetat, ja ktheu ajo”. “Dhe ku e mësove ti që qenkësh Luftë Nacionalçlirimtare? vazhdoi ai ta pyes. “E ku tjetër, ja pat vogëlushja, atje në fshat në Labëri kur erdhën partizanët”.

Pas këtyre fjalëve ra një hop heshtje. Pastaj pyeti vajza: “Po zotrote nga të kemi?” “Si nuk e ditke, ju përgjegj ai?  “Jo, tha ajo prerazi. E nga ta dija. Ma thoni ju”. “Unë jam nga shqiptarët e Amerikës”. Vajza ra në mendime e më pas gjithë druajtje e pyeti: “Po Fan Nolin e njeh, zotrote?”. “Si nuk e njoh, u përgjegj gazetari”. “Atëherë të lutem a mund t’i puthësh dorën babait të Shqipërisë, nga unë që dhashë syrin për lirinë e saj?”. Këto fjalë vajza i tha thekshëm duke ja ngulur sytë bashkatdhetarit që sapo e kish njohur. Gazetari u prek aq shumë dhe i hodhi dorën në qafë dhe e puthi në ballë duke ju përgjegjur gjithë emocion: “Patjetër do ta plotësoj dëshirën tënde, bile do t’i flas dhe për ty që je një vajzë e pashoqe”. “Jo, jo, e ndërpreu ajo, se si unë në Shqipëri ka me qindra që luftojnë për çlirimin e mëmëdheut”.

Gazetari se përmbante dot veten nga mallëngjimi dhe kur mori të ndahet partizania qëndroi gatitu dhe ngriti dorën e djathtë grusht mbi ballë.

Kur u kthye në Amerikë gazetari botoi një reportazh të posaçëm për partizanen e plagosur në gazetën “Boston Globe” të cilin e lexoi dhe Fan Noli dhe më pas e ftoi gazetarin në studion e tij, e përgëzoi dhe e falenderoi për atë mrekulli që kishte sjellë nga fronti i Luftës, siç ishte historia e asaj vajze shqiptare.

Sipas një miku të vjetër të Fan Nolit që unë e takova në Amerikë, mësova prej tij se Noli mburrej me këtë ngjarje dhe thoshte: “Shqipëria nuk vdes kurrë përderisa nga gjiri i saj lind bij e bija si ajo partizania e shenjtëruar e Kombit tonë”.

PS: Fatmirësisht nuk e di emrin e partizanes sepse do të kish rrezik që autorët e listës së “kriminelëve” të Luftës Nacional Çlirimtare, do ta përfshinin dhe emrin e saj në të.

Burimi: gazetadita.al