Faruk Kalleshi
Faruk Kalleshi

Faruk Kalleshi ka qënë peshëngritës, trajner, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Ka lindur në Shkodër. Gjatë karrierës së tij ka fituar 21 tituj kombëtar dhe ka fituar 15 herë Kupën e Republikës. Ka fituar medalje ari dhe argjendi në aktivitetet ndërkombëtare. Faruk Kalleshi është nderua me titullin “Nderi i Kombit”.

Peshëngritja ka nxjerrë sportistë të mëdhenj, të cilët kanë nderuar veten dhe kombin në aktivitetet ndërkombëtare. Ndër shumë shtangistë cilësorë që kanë lënë gjurmë në këtë sport, mund të përmendim Faruk Kalleshin, njërin prej legjendave të peshëngritjes, njëherësh një ikonë e gjallë e shtangës shqiptare. Për shumë sportistë janë përdorur terma të veçantë, të cilët kanë simbolizuar suksesin e tyre, por për Faruk Kalleshin do të ishte termi më i përshtatshëm “perandor i shtangës shqiptare”, për sukseset e mëdha që ka arritur si sportist, karrierën e gjatë 21-vjeçare në peshëngritje dhe njëherësh trajner i suksesshëm, ku ka meritë të veçantë për krijimin e ekipit të vajzave, të cilat njohën më pas suksese të rëndësishme ndërkombëtare. Kalleshi ka lënë gjurmë të mëdha në peshëngritje, sidomos në Shkodër dhe klubin “Vllaznia” e ka përfaqësuar për 18 vjet. 3 vjet i ka kaluar me Partizanin, ndërsa për shumë e shumë vite ka mbajtur rekordet kombëtare të peshës trupore 52 kg. Të paharrueshme janë momentet e garave të tij, të ndjekur nga qindra fansa, por Kalleshi do të nderonte dhe fanellën e Kombëtares në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, duke dëshmuar cilësi të lartë gare, rezultate të larta dhe natyrisht përcjellje të vlerave më të mira sportive tek brezat e rinj.