Një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran padyshim që ka qenë Fatbardh Jera. Një sportist i cili ka luajtur në shumë pozicione në fushë, ka dhënë kontributin e tij në fitoren e disa trofeve të Vllaznisë në vitet ’80 dhe po ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. Një sportist që ka arritur në këto nivele të larta falë punës së madhe të bërë çdo ditë në stërvitje.

Kush është Fatbardh Jera?
Ka lindur në Shkodër më 8 shkurt 1960. Si më i vogli i familjes Jera, Bardhi ka zgjedhur të bëhet futbollist. Krejt ndryshe nga familja e tij sepse askush nuk kishte asnjë lidhje me sportin madje i ati ishte tregtar. Pas futbollit të lagjes në një moshë të vogël, rregjistrohet tek i pari ekip, ai që drejtohej nga një mjeshtër si Selami Dani.

Kjo ka ndodhur kur Bardhi ishte në klasën e katërt të fillores. “Që në ditën e parë të stërvitjes, profesor Selamija na mblodhi të gjithëve, bëri një rrumbullak dhe na tha se kush mund të xhonglonte më shumë topin në ajër. Unë se kisha problem një gjë të tillë dhe mënyra si më vështronte profesori, është ende prezent në mendjen time edhe sot e kësaj dite.

Ky ka qenë momenti i parë i marëdhënies time me një trajner. Pas dy vitesh me këtë ekip, profesor Selamia shkoi në shkollën “Xheladin Fishta” që kishte profil futbollin dhe më tërhoqi me vete. Kjo tregon se ai kishte parë diçka tek unë. Unë padyshim që duan ta falenderoj sepse ishte njeriu i parë që më dha shtysën për t’u bërë futbollist.

Më pas, kalova tek ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe kështu vazhdoi karriera ime, ku kam punuar me trajnerë të tillë si Xhelal Juka e Esat Rakiqi. Në verën e vitit 1979 kalon nga të rinjtë tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe iu bashkua atij në stërvitje në pikën turistike të Razmës.

Por para se të ndodhte kjo, trajneri i ekipit të parë në atë kohë ishte i mirënjohuri Xhevdet Shaqiri që vinte shpesh në stërvitjen e të rinjve dhe na vëzhgonte. Më kujtohet si tani një ditë e hënë e janart të vitit 1979 kur dikush erdhi në stërvitjen e ekipit të të rinjve dhe më thotë të paraqitesha në stërvitje me ekipin e parë.

Kur shkova, isha i ekzaltuar sepse gradualisht po realizohej ëndrra ime e madhe. Por nuk do mbyllej këtu. Në fund të asaj jave do të luanim në Gjirokastër për kupë dhe gjatë javës, në fund të çdo seance zhvillonim edhe disa minuta ndeshje kontrolli.

Krejt papritur, ditën e enjte, në pjesën e dytë të ndeshjes së kontrollit profesor Xhoda më aktivizon në formacionin e parë dhe të dielën pastaj luajta ndeshjen time të parë në formacion të dielën ndaj Luftëtarit në Gjirokastër. Një ditë e madhe për mua sepse në atë kohë ishin të paktën 18 futbollistë që pretendonin të luanin në 11-she dhe shansi që mu dha mua, më bëri të lumtur jashtëzakonisht shumë”- thotë Jera në prononcimin e tij.

Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të suksesshme dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për më tepër që ka patur edhe një tjetër ogur të mirë. Ai ka marrë fanellën e të madhit Sabah Bizi kur ai ka lënë futbollin. “Kam patur fatin e madh të luaj përkrah Sabah Bizi. Që në hapat e mi të parë, ka qenë inspirimi im, shembulli që do ndiqja dhe kur erdhi momenti të luaj përkrah, isha shumë i kënaqur.

Dhe jo vetëm unë, por të gjithë që kanë luajtur përkrah tij sepse Bizi në llojin e tij mbetet i papërsëritshëm. Dhe kur më dorëzoi fanellën e tij në momentin e lënies së karrierës, kuptohet që isha edhe më i lumtur”.

Karriera
Me Vllazninë ka luajtur nga viti 1979 deri në 1990, pra për 11 sezone me rradhë. Ka shënuar edhe gola madje. Kështu në kampionatin 1980-81 ka shënuar dy gola, 1 një kampionat më pas, po 1 edhe në kampionatin 1982-83. Ndërkohë në kampionatin e sezonit 1983-84 ka shënuar 3 gola, 2 një sezon më pas, ndërsa në 1985-86 për herë të parë nuk shënon asnjë gol në kampionat ndonëse luan në 22 ndeshje.

Kështu ndodh edhe në kampionatin 1986-87 luan në 26 ndeshje dhe nuk shënon asnjë gol. Por kjo i shërben për “nxemje” sepse në kampionatin e sezonit 1987-88 do të shënonte numrin më të madh të golave, plot 6. Një vit më vonë shënon vetëm një gol dhe po aq edhe në 1989-90. Në total 17 gola në kampionate.

Ky do të ishte sezoni i fundit në Shqipëri sepse më pas do të largohej për në Austri ku ka jetuar për disa vite. Do të rikthehej në Shqipëri në janar të vitit 1995 ku luan vetëm në një ndeshje për pak minuta, duke mbyllur kështu zyrtarisht karrierën e tij si futbollist. Do të aktivizohej në ndeshjen Vllaznia- Ilira (1-0) më 4 shkurt 1995 dhe kjo është data e fundit të karrierës së tij.

Një karrierë shumë e suksesshme teksa ka arritur të fitojë titullin kampion në sezonin 1982-83, ka fituar Kupën e Republikës tre herë, përkatësisht në sezonet 1978-79, 1980-81 dhe 1986-87. Per te gjitha keto arritje eshte zgjedhur pjese e “11-shes me te mire te Vllaznise ne 90 vite”, per periudhen 1919-2009.

Pozicioni në fushë
Ka luajtur në shumë pozicione, duke filluar nga ai i qendërmbrojtësit, i mesfushorit të qendrës apo dhe në dy krahët e mesfushës por edhe si sulmues i majtë në momente të caktuara. Kur e kanë pyetur njëherë Medin Zhegën në periudhën kur ai ishte trajner i Vllaznisë për lojën e Jerës, ai ishte përgjigjur:

“Nëse do t’i kisha të gjithë futbollistët si Jera që luan në disa pozicione, do të isha trajneri më i lumtur në botë”. E njëjta histori edhe kur trajner erdhi Ramazan Rragami i cili për nevoja të skuadrës, ndaj kundërshtarëve të ndryshëm, e vendoste Jerën në pozicione të ndryshme.

Kur Vllaznia luante ndaj Dinamos, e caktonte të mbulonte Demollarin sepse të eliminoje në lojë këtë futbollist, ishte si të eliminoje 30-40 % të ekipit. Kjo në fakt e ka bërë vetë Jerën të mos ishte në formën e tij më të mirë çdo ndeshje. Të tilla vendosje i shërbyen edhe për ekipin kombëtar më pas, me të cilin ka luajtur edhe si mbrojtës i majtë, stoper, apo dhe mesfushor në të dy krahët.

Duke folur në lidhje me këtë çështje, është prononcuar edhe ish- kolegu i tij në fushë por edhe ish-trajneri i Jerës, i mirënjohuri Astrit Hafizi, i cili shprehet: “Bardhin ne e kishim si punë “xholi”. Na mungonte një sulmues, fusnim atë, na mungonte një mbrojtës kishim sërish atë. Ai nuk ishte vetëm një mesfushor i mirë, por ishte edhe një mbrojtës i mirë, majtas apo djathtas luante pa problem në të dy krahët, por edhe një sulmues i tillë.

Kishte një forcë fizike të jashtëzakonshme, ishte i shpejtë, i shkathët shumë, kishte një trup vërtetë sportiv. Bardhi ishte etalioni jonë i një futbollisti shumë të përgatitur dhe që nuk përtonte t’i merrte përsipër të gjitha detyrat që i ngarkoheshin. Madje, në shumë raste ishte vetë Bardhi që thoshte: “Po ma lini mua këtë futbollist, sepse e zgjidh unë punën me të”.

Kombëtarja
Ka luajtur në vitet 1982-84 me kombëtaren Shpresa duke dalë edhe në tetëshen e Europës, në atë periudhë kur ky ekip drejtohej nga i mirënjohuri Ramazan Rragami. Po ai grup lojtarësh, me Demollarin, Josën, Hodjen, Vilën, Zmijanin, Ocellin, Topçiun etj dhe i gjithë ky grup i mrekullueshëm kaloi tek kombëtarja e madhe dhe Jera do të ishte pjesë e saj pas vitit 1984 e në vijim. Do mbahet mend për duelin me sulmuesin e shquar spanjoll Butraguenjo, me Bonjek të Polonisë etj.

Post-futbolli
Pas lënies së futbollit, ka nisur biznesin duke qenë shumë i suksessshëm por pa u larguar për asnjë moment nga futbolli. Prej pesë vitesh është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit duke dhënë edhe aty kontributin e tij në zhvillimin e futbollit shqiptar.
Gjergj KOLA

Burimi: ShkodraWeb.com