Fatmira Nikolli  – Pas shpalljes së vendimit për të dënuar grupin e inxhinierëve, Departamenti i Shtetit Amerikan nxori një deklaratë ku kategorikisht mohonte pohimet e bëra në gjyq. E publikuar në buletinin mujor të këtij Departamenti, ajo thotë: “Gjykimet (e inxhinierëve) që po ndodhin në Tiranë janë padyshim një përpjekje e regjimit shqiptar për të përjetësuar veten me anë të shtypjes dhe terrorizimit të elementeve liberale, patriotike dhe opozitare shqiptare.

Akuza se ishin të lidhur me anë të pagesës ose shërbimit ndaj Shteteve të Bashkuara, apo të ndonjë përfaqësuesi të saj në Shqipëri nuk ka ndodhur në asnjë mënyrë dhe është krejtësisht e pavërtetë”. Menjëherë pas ngjarjes në Shqipëri, anëtarët e misionit amerikan u drejtuan drejt Liberisë, ku në foto shihet edhe Harry Fultz, së bashku me të bijën. Një imazh i G.Henderson më 1946, e shfaq Fultzin të parin mes atyre që fotografohen. Ka ikur, ka lënë pas Shqipërinë dhe ka një tjetër mision.

Studimi “Spiunë & sabotues: martirizimi i inxhinierëve të Maliqit” i Kejsi Ziut, është prezantuar në fund të tetorit në konferencën “Të mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipërinë e viteve 1945-1990″. Konferenca e organizuar Autoriteti i Dosjeve, pat si qëllim reflektimin në studime të jetës nën diktaturë, parë nga prizme të ndryshme. Puna e Ziut, vë përballë akuzave ndaj inxhinierëve përfshirjen e misionit agjenturial amerikan gjatë regjimit komunist në Shqipëri”. Ajo pyet, nëse ishte grupi teknik i sabotuesve agjentë të misionit amerikan në Shqipëri apo instrument i përdorur nga regjimi për të eliminuar ndikimin e SHBA-së në Shqipëri?

Ajo pyet nëse e përdori Sigurimi i Shtetit arrestimin e grupit të inxhinierëve të Maliqit për të larguar ndikimin e frymës perëndimore demokratike nga një Shqipëri që po kthehej në shtet-satelit të Bashkimit Sovjetik? Në fund, pyet nëse mund të flitet për ekzistencën e një “lufte të ftohtë agjenturiale” ndërmjet nga njëra anë Harry Fultz-it – një prej kontribuuesve më të mëdhenj në edukimin e brezave të të rinjve shqiptarë në fillimet e shtetit shqiptar, i cili akuzohej se po përpiqej të rekrutonte ish-nxënësit e shkollës së tij si spiunë të SHBA-së kundër regjimit komunist dhe nga ana tjetër, Sigurimit, i cili po krijonte rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve për të mbajtur nën kontroll status quo-në?

Foto e misionit amerikan në Liberi, 1946, menjëherë pas largimit nga Shqipëria. Fultz është renditur i pari, majtas (Foto: G.Henderson).

STUDIMI
Studimi ka përfshirë disa burime, nisur që nga Fondi Arkivor i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili ka në disponim dosjet survejuese dhe hetimoro-gjyqësore të Sigurimit të Shtetit, tashmë të deklasifikuara.

Njëherësh janë marrë në shqyrtim edhe dokumente të gjendura në Fondin e Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar (AQSH), në Arkivin e Shtetit Amerikan, si dhe disa raporte të hartuara nga CIA, të deklasifikuara vitet e fundit dhe akte të ndryshme ligjore të periudhës komuniste, (Kushtetutat e viteve 1946 dhe 1976, si dhe akte ligjore të periudhës 1944-1946). Megjithëse në vitet 1944-1945 ende s’mund të flitet për një legjislacion të mirëfilltë të punës, kjo e fundit udhëhiqej dhe bazohej te parimi i ideologjisë së klasës punëtore.

Puna fizike dhe mendore ishte njëlloj e detyrueshme për t’u kryer në bazë të ligjeve dhe rregullave të përshtatura qëkur regjimi erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944.

Me objektivin për të realizuar “ndërtimin socialist të vendit”, si dhe nga ana e PPSH-së, u përdorën jo vetëm krahë pune me pagesë, por në shumicën e rasteve në sajë të punës së detyruar të të burgosurve politikë të arrestuar nga Sigurimi i Shtetit, në kampet e punës të shpërndara në të gjithë cepat e Shqipërisë. Ligji “Për krijimin e Policisë Popullore”, autorizonte policinë të arrestonte individë dhe të dërgonte individë nëpër burgje apo kampe për pune të detyrueshme.

Fotografi e Harry Fultz gjatë kohës kur ka qenë drejtor i Shkollës Teknike në Tiranë

PUNA E DETYRUAR NË KAMPIN E MALIQIT
Një raport i hershëm i qeverisë amerikane, adresuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara detajonte kushtet çnjerëzore me të cilat trajtoheshin këta të burgosur në kampet e punës dhe të internimit. Raporti përshkruan gjendjen në kampin e punës së detyruar për tharjen e Kënetës së Maliqit, së cilit i referohet si një prej “kampeve të vdekjes”: “Të marra sot në shqyrtim, kushtet e punës atje do të binin në kundërshtim të hapur me Konventën për të Drejtat e Njeriut, ashtu si dhe me rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) mbi ndalimin e punës së detyruar sepse përveçse nuk garantonin mbrojtjen dhe sigurinë e duhur në punë, nuk respektonin as minimumin e dinjitetit njerëzor të të burgosurve.

Konkretisht, atyre u duhej që shumicën e kohës të kryenin punë të rëndë fizike në ujë, pa veshjet e duhura të punës dhe me vegla primitive, në orare që i tejkalonin 10 orë në ditë, me shumë pak pushime ndërmjet. U nënshtroheshin, gjithashtu, torturave të shumta fizike (deprivimi i ushqimit, i gjumit etj.) dhe psikologjike”. Në përfundime të ngjashme arrin edhe një raport i mëvonshëm i Amnesty International (1984) për mënyrën sesi shfrytëzimi i punës së detyruar të të burgosurve politikë solli kontribute të konsiderueshme në ekonominë e vendit. Krijimi i kampeve të internimit ishte i modeluar nga ato të Bashkimi Sovjetik, siç vërtetohet edhe nga një raport i CIA-s, tashmë i deklasifikuar në 2013.

AKUZA
Prokuroria pretendonte se H. Fultz kishte krijuar një organizatë me elementë teknikë – intelektualë, në krye të së cilës ishin ish-nxënës të tij, me qëllimin e të qenit gati në momentin kur qeveria e atëhershme, që ishte ende e përkohshme, të zëvendësohej me një qeveri pro anglo-amerikane. Puna e kësaj organizate do të përmblidhej në sabotimin indirekt të ndërtimit të vendit, me rrjedhojë pasoja të dëmshme për qeverinë për sa i përket ekonomisë dhe vijës së saj politike.

Akuza që ngrihej mbi grupin e inxhinierëve ishte e rëndë. “Këta persona akuzohen për shkak se kanë kryer: a) Vepra sabotazhi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike; b) Vepra spiunazhi në favor të agjentëve të huaj; c) Kanë formuar një grup tekniko-profesional për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit e si pasojë për të ndryshuar gjendjen e stabilizuar në vendin tonë, në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe reaksionin e jashtëm”.

Ziu thotë se nga shqyrtimi i Dosjes që përmban proces-verbalet e seancave gjyqësore, rezulton se gjyqi për “sabotatorët e Kënetës së Maliqit” zgjati vetëm 16 ditë dhe u publicizua gjerësisht në radhët e popullit shqiptar. Sipas pretencës, nëpërmjet sabotimit me stil të gjerë, në strukturën ekonomike dhe më pas politike të shtetit, synimi final i grupit të inxhinierëve, të cilët i quan reaksionarë ndërkombëtarë, ishte të vendoste në rrezik integritetin e vendit dhe të mashtronte pushtetin dhe popullin. Pjesëtarët kryesorë të grupit martir i inxhinierëve që u akuzuan për sabotim ishin: Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Vasil Mano, Zyraka Mano, Mirush Përmeti, Paolo Saggioti, Eugenio Scaturro, Pandeli Zografi, Aleks Vasili, Mihal Stratobërdha, etj.

A. Sharra dhe më pas, K. Beqiri ishin drejtuesit e punimeve në Kantierin e Maliqit, siç rezulton edhe nga relacionet e Sigurimit për zhvillimin e punimeve atje, ndërsa pjesa tjetër shërbenin si punonjës në kantier. Zyraka Mano, e cila ishte një shtetase me origjinë kroate, e martuar me njërin prej inxhinierëve, Vasil Manon, u akuzua si personi që bënte të mundur komunikimin midis H. Fultz dhe grupit të inxhinierëve. sipas Ziut, vendimi i Gjykatës është shumë i shkurtër (vetëm 4 faqe) dhe përsëri aty nuk përmbahen argumente juridike për të mbështetur apo kundërshtuar pretencën e prokurorit dhe dënimin e dhënë. Nga ana tjetër, mbrojtja e avokatëve mbrojtës është shumë e dobët dhe e shkurtër, ku të pandehurit i kanë pranuar “fajet” dhe tregojnë pendesë të thellë për veprimet e tyre. Në përfundim, dënimi që u dha gjykata shumicës prej të pandehurve ishte ai i dënimit me vdekje, ku inxhinierët Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra u dënuan më varje në litar, ndërsa Zyraka Mano me të shoqin me pushkatim.

Aktualisht nuk rezulton asnjë provë e drejtpërdrejtë, e shkruar që të mbështesë teorinë se këto rekrutime përfshinë edhe grupin e inxhinierëve të Maliqit. Dënimi i grupit “sabotator” të Kënetës së Maliqit u konsiderua një sukses politik nga ana e Sigurimit të Shtetit, siç rezulton nga një shkresë adresuar Seksionit të Sigurimit në Korçë nga Ministria e Punëve të Brendshme, vëren Ziu në studim.

Objektivi kryesor i këtij studimi ka qenë jo vetëm të hedhë dritë mbi një prej rasteve të shumta të shkeljes së të drejtave të njeriut përgjatë periudhës pothuajse 50 vjeçare të sundimit komunist në Shqipëri, por edhe të kontribuojë në edukimin e publikut të gjerë, sidomos atyre që nuk e kanë përjetuar këtë periudhë, në rëndësinë e të njohurit të të kaluarës, në mënyrë që të shihet drejt së ardhmes.

Pavarësisht faktit se elementë të regjimi komunist shqiptar ndryshonin nga ai në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore e si i tillë mund të quhej unik, vetëm për Shqipërinë, përsëri mund të nxjerrim mësime të rëndësishme universale. Mësimi kryesor është se potenciali i tmerrshëm që mund të ketë “demonizimi” i personit për shkak të ideologjisë së urrejtjes të sanksionuar nga shteti. Ky mësim i përbuzjes apo ky proces dehumanizimi (siç ishte lufta e klasave) ishte baza e persekutimit dhe internimit të mijëra personave dhe shkelja sistematike e të drejtave të tyre më thelbësore.

Ziu shton në fund se Shqipëria ende ndodhet sot relativisht në mes të procesit të demokratizimit të saj, ashtu si në hapat e parë drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, duhet të respektojë dhe inkurajojë angazhimin për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist, për të respektuar të mbijetuarit e tij dhe për të riafirmuar aspiratën e përbashkët për solidaritet dhe drejtësi.