Lëvizja Studentore e viteve 1990-1991 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit. Lëvizja nisi më 8 Dhjetor të vitit 1990 dhe arriti kulmin në 1991 me rënien e bustit të Enver Hoxhës, në sheshin Skënderbej.

Një prej dëshmitarëve kryesorë të këtyre ngjarjeve është Fatmir Çepani, ish-operatori i Radio Televizionit Shqiptar, i cili me kamerën e tij ka ndjekur të gjithë dinamikën e procesit të rënies së komunizmit, të iniciuar nga studentët.

Çepani është i vetmi që me kamerën e tij ka regjistruar rënien e bustit të Enver Hoxhës dhe gjithashtu ka ndjekur nga afër protestat e studentëve që nisën më 8 Dhjetor. Fatmir Çepani deklaron se Sigurimi i Shtetit kishte infiltruar agjentë brenda Lëvizjes Studentore të Dhjetorit për të mbajtur nën kontroll ngjarjet që do të pasonin, që kishin si synim ndryshimin e sistemit.

-Z. Çepani, janë mbushur plot 29 vite nga rrëzimi i bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Më 1991 revolta e studentëve kulmoi me rrëzimin e këtij busti, ngjarje e cila vijon të kujtohet ende sot. Ju jeni ndër protagonistët e asaj ngjarje, pasi keni filmuar gjithë momentin. Çfarë ndodhi më 20 shkurt 1991 dhe çfarë kujtoni ju nga ajo ditë?

Unë, duke qenë pjesë e informacionit në TVSH në atë kohë, natyrisht isha në kohën e duhur dhe momentin e duhur. Fakti është që, ajo ishte një ditë krejtësisht e veçantë, edhe pse mund të ishte një ditë normale ashtu si ditët e tjera, por për shkak të intensitetit të shumë problemeve dhe të shumë situatave të paparashikuara, nuk ishte një ditë e tillë. Unë kisha ditë që kisha informacione që do rrëzohej busti. Atë ditë unë kam qenë me gazetaren Amalia Dhamo dhe më caktuan te Komuniteti Mysliman. Për herë të parë krijohej Komuniteti Mysliman në 20 Shkurt dhe në atë kohë më kishin caktuar për të shoqëruar kryetarin e opozitës, Sali Berishën.

Kemi vajtur në aktivitetin e Pallatit të Kulturës rreth orës 9 ose 10 në mëngjes, bëmë kronikën e zakonshme, por problemi ishte se një material duhet të çohej për t’u montuar, pasi procedurat teknike kanë qenë të tilla që nuk të ofrohej ky komoditet që është sot. Në atë kohë punohej me film dhe kjo kishte një procedurë: Bëhej aktiviteti, çohej në laborator, lahej, pritej, montohej dhe më pas materiali çohej në transmetim. Kështu që, Amalia mori materialin për shkak se kërkohej kronika dhe unë i thashë se do rrija te pallati, pasi ka ditë që diskutohet se diçka do të ndodhë në shesh. Objektivi është që ajo shtatore do rrëzohet.

Nga ora 10:00 deri nga ora14:00 kur ka ndodhur ngjarja, ku më është dashur të qëndroj në Pallatin e Kulturës, në pjesën më dominuese. Aty ka qenë një kafe dhe në atë pikë u pozicionova i vetëm, i rrethuar nga shumë njerëz, të cilët kishin dalë për të protestuar. Nga ora 10 deri në orën 2 kam ndenjur vetëm, i pashoqëruar nga askush. Unë kam qenë i detyruar të prisja deri sa ndodhi ai moment. Presionet ishin shumë të mëdha sepse realisht TVSH ka qenë i vetëm në atë kohë. Unë gjej rastin të them se TVSH ishte një institucion i ngritur nga njerëz me të vërtetë heronj, që do të thotë: Unë mund të jem pjesë e një pune të madhe, por gjithë kolegët e mi të TVSH sidomos të informacionit, për mua kanë një vlerë të padiskutueshme, sepse të gjithë kanë kontribuuar.

Mund të përmend Bujar Koren, Gazmir Shtinon, Amalia Dhamo, Fiqiri Sejdia, Virgjil Kule etj. Situata ka qenë shumë e rënduar. TVSH ishte e detyruar që çfarë ndodhte në Shqipëri, ta pasqyronte për shkak të detyrave që kishin marrë. Por nuk ishte e thjeshtë. 20 Shkurti ka qenë pika më kulminante ku mund të them pa frikë se ishte një ditë shumë kaotike, një situatë tepër e rënduar. Aty rrezikohej jeta, gjithçka. Por prej kohësh ky institucion dhe në vazhdimësi ka përjetuar situata të vështira, që do të thotë se, të punoje në atë kohë në Televizionin Shqiptar ishte një riskim i madh.

-Nga ju erdhi bindja se do ndodhte diçka, apo ju informoi dikush nga organizatorët?

Askush nuk na informoi konkretisht. Thjesht informacionet që kishim në përgjithësi. Sepse puna me informacionin të mëson shumë elementë. Të mëson të jesh shumë i vëmendshëm, shumë i kujdesshëm, dhe lajmin më të vogël ta vlerësosh. Kjo ishte intuita ime, pasioni im për punën. Natyrisht në këtë drejtim ndikonin dhe informacionet, kontaktet me njerëz të ndryshëm. Duke qenë dhe qytetar i Tiranës, kontaktet dhe informacionet ishin se në datën 20 Shkurt do rrëzohej busti. Studentët ishin në grevë dhe pritej që të organizonin protesta.

Për atë që ndodhi atë ditë në shesh, populli i Tiranës ka meritën kryesore. Kjo nuk diskutohet. Dhe këtë informacion unë e kisha. Kam qenë në Pallatin e Kulturës në atë aktivitet që ju thashë paraprakisht. Mua më është dashur që të zë pikën dominuese dhe kam qëndruar deri në momentin e rrëzimit të bustit dhe zvarritjen e bustit deri te Qyteti Studenti.

-Çfarë ndjesie përjetuat në ato momente dhe çfarë detajesh konkrete ju tërhoqën vëmendjen nga rrëzimi i bustit?

Ajo që më bëri përshtypje ishte pjesëmarrja maksimale e njerëzve. I gjithë populli i Tiranës ishte në shesh. Pavarësisht se çfarë ndodhi më mbrapa, aty u tregua se ai sistem në Shqipëri përfundimisht mori fund. Pastaj detaje të veçanta kishte plot. Nëse do flas për veten time, do them se që në sekondën e parë që jam pozicionuar deri në sekondën që kam shkuar në TVSH dhe deri në sekondën që kam shkuar në shtëpi, mua më është dashur të përballem me turma dhe njerëz të ndryshëm. Më është dashur të përballem me njerëz ekstremistë. Madje, reagimi ka qenë shumë i keq kur kam hyrë në fillim te kafja. Ata thoshin: Erdhi ky i TVSH, erdhën këta komunistët e TVSH, t’ia thyejmë aparatin. Më është dashur natyrisht të integrohem shumë mirë me ta, duhet të tregoja shumë kujdes në mënyrë që të më jepnin mundësinë të regjistroja atë për të cilën isha nisur.

I bindja njerëzit duke iu thënë se ai moment duhej të regjistrohej. Dhe tani them: Nëse ajo që regjistrova unë nuk do të ishte dhënë, çfarë do të ndodhte? Natyrisht që do të kishte pasoja shumë të këqija për institucionin pikësëpari. Ai institucion aq i madh do penalizohej duke filluar nga drejtuesit, deri te punonjësit më të thjeshtë. Me atë që ndodhi, ne i treguam opinionit botëror se ne nuk e donim më atë sistem. Shqiptarët vetë u distancuan dhe vendosën përfundimisht ta rrëzonin atë sistem të dështuar.

-Më lart thatë se ju kishin caktuar të ndiqnit aktivitetet e zotit Berisha? Për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë dhe a ishte prezent kryetari i opozitës së asaj kohe në momentin e rrëzimit të bustit?

Berisha ishte në orën 10:00 tek Komuniteti Mysliman. Berisha ishte një njeri shumë aktiv dhe kemi qenë në atë aktivitet në Pallatin e Kulturës, në pjesën mbrapa. Berisha ka ardhur në takim dhe ka ndenjur katër minuta. Ai ka deklaruar tekstualisht: Ju falënderoj për këtë takim, por ju do më falni sepse unë do të largohem dhe do të shkoj te studentët që janë në grevë në Qytetin Studenti. Pasi përgëzoi organizatorët e këtij komuniteti, Berisha është larguar. Në shesh, në këtë kohë, akoma nuk ishin mbledhur njerëzit.

Vende-vende kishte grupime njerëzish që rrinin, ndërsa fluksi i madh i njerëzve ndodhi në orën dy. Aktivitetet kanë qenë rreth orës dhjetë paradite, dhe Berisha ka shkuar te studentët dhe ai ka rol në organizimin e studentëve. Unë besoj se Berisha ka qenë në shesh ditën që ra busti i Enver Hoxhës. Mbledhja e njerëzve, e studentëve, e të përndjekurve politikë, natyrisht që kërkonte organizim. Opozita e asaj kohe ka pjesën e vetë të meritës në organizimin e protestës.

-Rrëzimi i bustit ka hapur shumë debate. Duke e njohur politikën tonë, ka nga ata që thonë se ishte vetë regjimi i Ramiz Alisë që e mundësoi një gjë të tillë. Ndërsa ka dhe nga ata që thonë se kjo ishte një lëvizje spontane dhe një shprehje “dufi” kundër diktaturës. Në gjykimin tuaj dhe me aq sa ju kishit informacione në atë kohë, si është e vërteta e rrëzimit të bustit?

Unë mendoj që nuk ka të bëjë me organizimin nga strukturat e larta të shtetit. Pas këtyre strukturave, situata u doli nga kontrolli. Pse e them këtë? Duke qenë personi që ndiqja me sy të gjithë ngjarjen, dhe atë që ndodhi në shesh, unë e kam të filmuar në materialin filmik, në celuloid. Çfarë ndodhi atë ditë në shesh, unë e kam të dokumentuar. Unë jam personi që e kam ndjekur nga fillimi deri në fund atë se çfarë ndodhi në 20 Shkurt dhe ajo protestë ka qenë e mirëorganizuar nga populli. I gjithë populli i Tiranës, nga të gjitha moshat (studentë, rinia e papunë dhe rinia në punë), mori pjesë në atë ngjarje të madhe.

Njerëzit vinin nga të gjitha anët. Nga rruga Bajram Curri, nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, nga rruga e Kavajës, nga rruga e Durrësit, pra të gjitha kryqëzimet që vijnë dhe bashkohen te qendra e Tiranës. Dhe kur ka ndodhur ai moment, një orë përpara, turmat rrinin të heshtur, ndërsa kur erdhi momenti, turmat vinin si vullkan, nuk kishin të sosur. Pozicionimi im te Pallati i Kulturës, më jepte shansin që unë të kontrolloja të gjitha kryqëzimet e Tiranës që mblidhen te qendra. Dhe them se i kishte ardhur fundi asaj historie, asaj kohe. Ishte një sistem totalisht i dështuar. Situata e rënduar ekonomike i detyroi njerëzit ta përmbysnin atë sistem. Ngarkesat e çdo familje, çdo qytetari, çdo shqiptari shkonin deri aty sa thoshin se ai sistem duhej përmbysur. Ky është kontribut i popullit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Pa frikë them sot se, në shesh atë ditë mund të ishin 100 mijë veta.

-Di që pas filmimit të ngjarjes ka pasur presione apo kërcënime ndaj jush. Mund të na hidhni dritë?

Kur jam kthyer në Televizionin Shqiptar, kanë ardhur punonjës të strukturave të Ministrisë së Brendshme. Mua më është kërkuar për të marrë materiale, (ajo çfarë ndodhi në shesh, kronika që është transmetuar është montuar dhe janë marrë sekuencat që duheshin). Madje, më kanë ardhur dhe me emra konkretë. Kanë ardhur struktura të policisë së asaj kohe, njerëz që kanë shfrytëzuar dhe njohjen dhe kanë kërkuar materialin. Kështu, u kam bërë gati materialin bruto për të parë konkretisht personat konkretë se për çfarë diskutohej.

Kjo ishte një pjesë e errët. Pas asaj ngjarje që ndodhi, shteti komunist vazhdoi dhe për një periudhë të caktuar. Sëbashku dhe me disa kolegë të mi, kemi qenë te zyra e drejtorit të televizionit të asaj kohe, Virgjil Kule, dhe është bërë presion nga kreu i qeverisë së asaj kohe që ne mos ta transmetonim kronikën. Politika na bëri presion që të mos e transmetonim kronikën, duke na etiketuar tradhtarë, që do të thotë o me këmbë kokëposhtë, ose në gropë. Madje kryeministri i asaj kohe Adil Çarçani, na tha: Ju jeni tradhtarë po e transmetuat! Ai mentalitet i vjetër nuk e pranonte ndryshimin.

-Por ju nuk u dorëzuat. Si u arrit të bëhej montimi dhe të përgatitej kronika?

Kur është përgatitur kronika, është bërë presion shumë i madh nga politikanët më të mëdhenj të asaj kohe, nga qeveritarët më të lartë, që ajo kronikë të mos transmetohej. Adil Çarçani dhe Ramiz Alia kanë qenë dy krerët më të lartë, dhe presioni ka ardhur nga ata. Kemi qenë në zyrën e drejtorit të televizionit, me një numër të vogël kolegësh dhe është marrë vendimi që kjo kronikë në kundërshtim me orientimin e tyre të transmetohej. Disa minuta para se të fillonte të dilte sigla e TVSH, është marrë vendimi. Ne na etiketoi Çarçani si tradhtar dhe fati ynë, i familjes, i shokëve, nuk dihej. Rriskimi ka qenë shumë i madh pasi nuk pranohej realiteti. Në orën gjashtë pa pesë është vendosur kronika. Dhe frika ka qenë e madhe, sepse ne nuk kishim as numër të madh dhe dera qëndronte e hapur, që do të thotë se ne ishim në dorë të Zotit.

Burimi: Sot.com.al