Ferdinand Deda
Ferdinand Deda

Sa herë do të flitet për muzikë të bukur aq herë do të kujtohet Ferdinand Deda, janë shprehur miqtë e muzikantit të njohur, kur ai u nda nga jeta 14 vjet më parë. Ferdinand Deda, i njohur si një nga artistët më të kompletuar shqiptarë, ruan për të gjithë artëdashësit mirënjohjen për kontributin e tij në muzikën tonë. Dirigjent dhe kompozitor i apasionuar mbi notat dhe ritmin, i cili në asnjë moment nuk u nda nga partiturat, ai i mori mësimet e para në muzikë që në moshën 6 vjeçare.

I lindur në një qytet të vogël si Peqini, në Shqipërinë e Mesme, ai u njoh si një fëmijë i apasionuar pas muzikës dhe përherë i gatshëm të bëhej pjesë e shfaqjeve amatore të qytetit të tij.

Por studimet e mirëfillta, përmes të çilave nisën të marrin jetë ëndrrat e tij për  muzikën, inisi  në vitin 1955, pranë Liçeut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Menjëherë pas mbarimit të Liçeut, në vitin 1959 emërohet mësues muzike në Gjirokastër, ku qëndroi deri në 1960. Në këtë kohë në jetën e tij hyri dirigjimi, pasioni më i fortë, me fillimin e studimeve për dirigjim pranë Konservatorit Naçional të Pragës, në Çeki.

I detyruar nga rrethanat e asaj kohe, Ferdinad Deda ndërprut studimet pranë këtij konservatori dhe u rikthye në Tiranë ku u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1966. Nga ai vit  deri në momentet e fundit të jetës së tij ai ishte dirigjenti kryesor i orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar duke realizuar disa qindra konçerte të të gjitha gjinive, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Paralelisht ka drejtuar edhe orkestra të tjera, si orkestra e TKOB, Akademisë së Arteve, Orkestra Simfonike e Prishtinës, etj.
Por në karierën e tij si muzikant një vend të rëndësishmë ka zënë dhe kompozimi. Ai ka kompozuar 3 valle simfonike “meditim 1-2-3″, ka kompozuar gjithashtu edhe katër skiça për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe okestër, konçertino për korn dhe orkestër, konçert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema popullore për orkestër, konçertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.

Për krijimtarinë e tij ai është vlerësuar dhe me tituj si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Ferdinand Deda u nda nga jeta në moshën 62 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Megjithse iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në Turqi, nuk mundi të mbijetojë, duke lënë pas një lum ëndrrash të parealizuara.

Në mëndjen e gjithëseçilit ai do të kujtohet gjatë dhe në kalimin e viteve. Përmes rikthimeve në këngë të ndryshme të festivaleve në RTSH apo dhe koncerteve , do të shihet në ndonjë plan një dorë që lëviz me pasion dhe një mimikë fytyre që ndryshon pas çdo note, të cilat do t`i falin përjetësinë mjeshtrit të dirigjimit Ferdinand Deda.

/ATSH/