Me siguri ka qenë një nga rrugët më të bukura të qendrës së Tiranës. Ndoshta pranvera vjen për së pari pikërisht aty, kur çelin mimozat dhe rruga mbushet me aromën e tyre dehëse.

Ato pak objekte të Tironës së vjetër na lënë të kuptojmë për të shkuarën e asaj zone, e cila e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Pikërisht aty, në atë rrugë, që mban emrin “Kont Urani”, do të zhvillohet Festivali i Artistëve të Rrugës. Në datën 5 maj 2019, prej orës 10:00 deri në 23:59, rruga “Kont Urani” do të gëlojë prej artit të disiplinave të ndryshme. Një festival që mbledh për herë të parë artistë të rinj e të njohur, të cilët do të performojnë në rrugë.

Do të zbresin aty instrumentistë, këngëtarë, DJ, aktorë, kërcimtarë, piktorë, karikaturistë, animatorë… Do të ketë shfaqje teatri, kërcimi, ekspozita, koncerte…, të cilat do të mbledhin rreth vetes të gjitha moshat. Përgjatë gjithë ditës, rruga do t’i jepet artit. Ky aktivitet organizohet nga Organizata Jofitimprurëse “DoArt”, anëtarët e së cilës kanë për qëllim “të përmirësojnë veten (nga ku nis gjithçka) dhe komunitetin përmes artit”.

E mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkia e Tiranës, arsyeja pse organizatorët e këtij festivali kanë zgjedhur ta zhvillojnë këtë edicion të parë pikërisht në rrugën “Kont Urani”, nuk është e rastësishme. Ajo lidhet me një ndërtesë, që ndodhet në hyrje të saj dhe që është Monument Kulture i kategorisë II. Një ndërtesë, që sot është e braktisur dhe e rrënuar, por që dikur ka shërbyer si godinë e Radio Tiranës, e pas zhvendosjes së saj në ndërtesën ku gjendet edhe sot, u kthye në Institutin Etnografik. Prej kohës kur iu është kthyer pronarëve, në të nuk është vënë dorë.

Ndaj edhe ky festival është një lloj sensibilizimi dhe tërheqje vëmendjeje ndaj monumenteve të kulturës. Ndonëse në edicionin e tij të parë qëllimi është që ai të kthehet në traditë, duke thithur rreth vetes sa më shumë artistë shqiptarë e të huaj, duke ofruar një mundësi më shumë për të gjithë ata që artin e tyre e zhvillojnë përtej kornizave institucionale dhe për të zhvilluar një lloj arti, i cili ka për skenë rrugën. Po ashtu, synohet që në vitet e ardhshme ai të zhvillohet në të tjera zona të Tiranës, ku po ashtu ka nevojë për më shumë vëmendje.

Burimi: Panorama.com.al