Nga Gëzim Llojdia

Në një foto të bukur të një princeshe shqiptare pak të njohur, që ‘Get image’ e ruan në arkivin e saj të vitit 1927, tregohet një filantrope amerikane veshur me një pallto të kohës e me një kapuç në kokë, ndërkaq që i ka dy duart të lidhura me mjera-tjetrën. Kjo është Helen Margaret Kelly (1884-1952) filantrope amerikane, e cila njihej edhe si: Konteshë de Graffenried de Villars, atëherë princesha Vlora e Shqipërisë. Pak të dhëna nga biografia e konteshës amerikane e quajtur: Princesha Vlora.

Ajo ka lindur në vitin 1884, ishte mbesa e Eugene Kelly, një bankier i pasur. Martesat e saj fillojnë në vitin 1901. Ishte veçse 17 vjeçe kur u martua për herë të parë. Më 1 dhjetor të vitit 1901, ajo u martua me Frank Jay Gould,me të cilin pati dy vajza binjake, Helen Gould dhe Dorothy Gould (1904-69), por u divorcuan në vitin 1908. Wichita Daily Times, Wichita Falls, Texas, shkruante: “Frank Jay Gould dhe gruaja e tij që ishte Helen Margaret Kelly janë ndarë dhe sepse zonja Gould ka nisur veprimet në kërkim të një ndarjeje ligjore.

Xhelozia nga ana e z. Gould, siç thuhet u bë shkak, meqenëse zonja Gould, është një grua e bukur. Në vitin 1910, ajo u martua me Ralph Hill Thomas (1870-1914) president i kompanisë amerikane të rafinimit të sheqerit. Martesa e tretë, 20 qershor 1917, këtë radhë me Princin Houreddin (Nuredin ) Vlora nga Shqipëria (që i përkiste dinastisë shqiptare të Vlorës).Pas pesë vitesh në vitin 1922 ata u divorcuan. Serinë e martesave zonja e bukur e vazhdon katër vjet më vonë. Ajo u martua me burrin e saj të katërt, Oscar M. Burke, president i kompanisë së sapunit Manhattan, më 4 janar 1926. Ajo vdiq më 2 gusht 1952 në Francë. 

Kush ishte burri shqiptar i princeshës amerikane?!

Nuredin bej Vlora (Lindur në Stamboll, 1889 – vdekur në Heidelberg, më 23 tetor 1964) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, kryetar i bashkisë Vlorë dhe themelues e drejtues i B. Kombëtar. Lindi në Stamboll, pinjoll i oxhakut të familjes Vlora, i biri i Mehmet Ferit Pashës dhe Refet Hanëm Libohovës. Gjatë viteve të lëvizjes dhe kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, në krye të vullnetarëve vlonjatë – lëvizje ndër të cilat njohu edhe Ali bej Këlcyrën, me të cilin do të ishte mik tërë jetën – rrezikoi bindshëm qëndrimin e të ashtuquajturës qeveri të Epirit në Gjirokastër.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore u vendos në Evropë dhe më 1917 u martua me amerikanen Helen Margret Kelly (1884-1952). Më pas shkoi në ShBA dhe në maj të vitit 1918 u zgjodh anëtar i Kryesisë dhe kryetar nderi i Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, kryetar i së cilës ishte patrioti Kristo Dako. E përfaqësoi këtë parti në Konferencën e Paqes. Përshëndeti Triumfin e Legalitetit, kur Zogu u kthye në dhjetor pas dështimit të Lëvizjes se Qershorit. Më 1925 Nuredin bej Vlora u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Vlorës, ku u dallua për kontributin e tij në zhvillimin e qytetit, falë shumë veprave novatore. Me interesimin e tij, u hap Shkolla Tregtare Italiane në Vlorë.

Pas përfundimit të mandatit u vendos në Paris dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1935, vit në të cilin u arrestua si i dyshuar në organizimin e Kryengritjes së Fierit dhe u dënua me vdekje. Për të u interesua baroni Aloisi. Ai bën pjesë në Komitetin Qendror të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, pararendësja e Ballit Kombëtar. Është bashkë firmosës me Ali Këlcyrën (i protokollit e armëpushimit) me gjeneralin Dalmazzo. Kryesoi 1,700 vetët e Ballit që shkuan në shpëtim të Këlcyrës kur këtë e kishin zënë dhe mbajtur peng. U largua me tërheqjen e trupave gjermane.

Me dekret nr. 2205, datë 5.1.1956, të Kuvendit Popullor, në numrin rendor 139, është shënuar emri i Nuredin bej Vlorës i shpallur armik populli dhe që i ndalohej hyrja në Shqipëri. Ndërroi jetë në Heidelberg, Gjermani. Martesa me princeshën e huaj (20 qershor 1917 – 1922) zgjati 4 vjet, 6 muaj.

Burimi: Telegraf.al