Një i ri mendoi të shkojë në Kinë për të pyetur mbi urtësinë. Patjetër që atje do të gjente ndonjë plak të
urtë, i cili do i tregonte si t’i kontrollojë emocionet dhe nervat. Kur u tregoi njerëzve për këtë, i thanë:

“Mirë, e dimë që është një burrë i tillë në Kinë, por ai jeton në kreshta malesh. Në e takofsh me të vërtetë, do të thotë se je me fat.”

Djali nuk humbi kohë, por u nis menjëherë drejt kreshtave më të larta. Atje, i thanë se njeriu i urtë dhe i mençur do e presë në takim. Vajit dhe trokiti në portën që i treguan dhe i thanë se duhet të presë tre orë. Iu dukën sa tre vite. Pas tre orësh, një grua e moshuar i hapi portën dhe i tha: 

“Prit se plaku i urtë do të vijë menjëherë!”
Kaloi një orë dhe plaku i urtë nuk dukej gjëkundi. I riu u mërzit dhe ishte gati të shpërthejë nga inati. Më në fund, plaku i mençur dhe i urtë erdhi. I riu pa që ai ishte i veshur shumë thjesht. Plaku i urtë u ul pranë të riut dhe e pyeti:

“A dëshiron të pish çaj?”
I riu, me vete mendoi:
“Ky qenka i çmendur më duket. Më la tre orë jashtë, një orë këtu brenda duke pritur dhe më thotë nëse dua të pij çaj!”

Djali filloi të flasë dhe ti qajë hallin, por gjithë inat. Sakaq, plaku i urtë e ndërpreu dhe i tha: 
“Dëshiron të pish çaj?”

Djali nuk foli, por e pa në sy. Plaku i urtë, mori çajnikun e çajit, i zgjati filxhanin mbi tavolinën e të riut dhe filloi ta mbushë me çaj, derisa u mbush dhe filloi të derdhej mbi tavolinë.

Këtu, i riu nuk e përmbajti dot veten dhe gjithë inat i tha: “Çfarë janë gjithë këto që po bën me mua?! Mos je gjë i çmendur?!”
Plaku i urtë i hodhi një shikim në sy dhe i tha: 
“Takimi mes nesh mbaroi! Do të vish kur ta kesh zbrazur
filxhanin.” 

Mandej i ktheu shpinën dhe u largua. I riu u zhyt në mendime të thella. Me vete mendonte:
“Humbje kohe. Bëri ç’deshi me mua dhe tani po e lë të largohet. Jo. Duhet të ndryshoj mënyrën e komunikimit. Akoma pa i humbur nga sytë, i riu i thirri: 

“Më falni zotëri! Kam ardhur nga fundi i botës për tu takuar me ju. Të lutem, më mëso diçka të dobishme!”
I moshuari u kthye nga i riu dhe i tha: 
“Që të jesh njeri i mirë dhe pozitiv në këtë botë, duhet ta kesh
vëmendjen tek filxhani yt!”

I riu e pyeti i çuditur: 
“Çfarë do të thotë kjo?!”
Plaku i urtë i tha:
“Kur të lamë të presësh tre orë tek porta, si u ndjeve?”

I riu u përgjigj: 
“Në fillim kisha emocione pozitive. Mandej fillova të nervozohem dhe të zemërohem sa më shumë që kalonte koha, saqë arriti një moment që isha gati të pëlcas. Megjithatë, isha i vendosur se duhej të takohesha me ju.”

Plaku i urtë e pyeti: 
“Po si u ndjeve kur të lamë të presësh një orë brenda shtëpisë?”
I riu u përgjigj: 
“Isha shumë i zemëruar dhe i inatosur.”
Plaku i urtë e pyeti: 
“Por kur derdha çajin në filxhan, a ishte e mundur ta mbush më shumë sesa mund të mbante filxhani?”

I riu u përgjigj: 
“Jo, sigurisht.”
Plaku i urtë tha:
“Më thuaj, çfarë vure re dhe çfarë ndodhi kur unë vazhdova të hedh çaj në filxhan edhe pse ishte mbushur?”
I riu u përgjigj: 
“Çaji u derdh mbi tavolinë dhe u përhap gjithandej.”

Plaku i urtë i tha: 
“Është pikërisht kjo ajo që ndodhi me ty dhe ndjenjat e tua. Ti erdhe me “filxhan” të zbrazët dhe ne ta mbushëm derisa filloi të derdhet. Sigurisht që kjo shkakton mërzitje. Prandaj, nëse
dëshiron të jetosh i lumtur në jetë, duhet ta mbash nën kontroll “filxhanin” tënd dhe të mos lejosh askënd ta mbushë pa lejen tënde!”

Me këto fjalë, plaku i moshuar dhe i urtë e mbylli takimin.

Burimi: Akropoli i Ri