Dita e Alfabetit Shqip, i njësuar në Kongresin e Manastirit, kujtohet më 22 nëntor – datë që përkujtohet dhe i bëhet jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u mbajt mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Kongresi miratoi vendimin që të pranohet alfabeti latin, me disa ndryshime shkronjash, duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, asokohe morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, si qyteti-qendër për konsujt dhe më i sigurti për mbarëvajtjen e këtyre punimeve të një rëndësie të veçantë të vlerave dhe historisë së kombit.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa e motra, Parashqevi Qiriazi, ishte e vetmja grua e Kongresit.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit shënon ngjarjen më të rëndësishme të popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX. Si rezultat i kësaj pune me vlera të mëdha, më 28 Nëntor të vitit 1912, u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Manastir ruan të ekspozuara rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente, këto në formë digjitale dhe në letër.

Burimi: Konica.al