Një ndër këngëtaret më të shquara të Shqipërisë së Mesme, Fitnete Rexha, lindi në Tiranë, më 3 prill të vitit 1933. Bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj.

Ishte vajza e vogël e Bab Rexhë Delisë, heroit të popullit dhe familjes krutane që njihet për vlerat e traditës dhe kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Rreth moshës 15-vjeçare, këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio Tirana nën shoqërimin e grupit orkestral të Shqipërisë së Mesme, drejtuar nga Muharrem Gurra dhe Skënder Reka.

Nis punë në Estradën e Tiranës dhe më pas veprimtaria e saj u zhvillua tërësisht pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë, deri në daljen në pension në vitin 1981. Ndër këngët më të bukura të kënduara nga Fitnete Rexha përmendim: te selvitë e namasgjasë; qenke veshur me të bardha; m’u aty te shtatë zymbylat; dy të bukurat në një derë; fërfëlloj fëllonza në ujë; rrush i kuq, i bukur o, etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.

Akademiku dhe profesori Çesk Zadeja ka thënë se “Sa herë që dëgjoj këngën e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha”.
Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare është konsideruar si bilbili i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe për këtë u vlerësua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961.

Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, Tish Daia ka thënë për të se “Ishte
reformatore e muzikës së Shqipërisë së Mesme”. Sipas tij, ajo pastroi këngën e Shqipërisë së Mesme nga influencat e muzikës orientale. Rexha është shembull i shkëlqyer se si mund të dashurohet kënga popullore.

Ndërron jetë në muajin gusht të vitit 2003.

Postimi mund te meret dhe te postohet ne faqe te tjera, gjithmone duke permendur autorin e shkrimit. Faleminderit