Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit

I lindur për mësues, Ali Mahmut Xhafa “dekoratë” ka mirënjohjen e mijëra nxënësve

– Si familje ne jemi me prejardhje nga Konica, por, kur grekët bën një spastrim të përgjithshëm të shqiptarëve, disa banorë shkuan në krahinat e Turqisë, ndërsa ne si familje bëmë këtej, në Leskovik.

Dhe mësuesi 85 vjeçarë Ali Mahmut Xhafa, aktualisht me banim në Tiranë, vazhdon një tregim me nota rrëngjethëse:

Vëllaj i madh, Abedini, teksa ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme në Korçë sëmurët rëndë. I famshmi doktor Polena i Korçës bëri të pamundurën, por… nuk qe e thënë; djaloshi adoleshent vdiq, duke lënë në pikëllim të thellë tërë familjen. I ati, Mahmuti, nuk e duroi dot këtë dhimbje të madhe. Iu shkëput familjes, humbi pa gjurmë dhe… nga ç’thuhej nën zë atëhere, mundet të qe mbytur në Devoll! Katër djem e dy vajza mbetën jetim.

Vëllaj tjetër, Hajdari, aty nga viti 1952 ishte në sezonin e provimeve në Liceun e Korçës, kur… një tjetër tragjedi familjare! Aeroplanë të zbulimit amerikanë atyre kohëve hidhnin fletushka me thirrje kundër regjimit të kohës. Hajdari merr disa syresh dhe, në vend që t’i çonte atje ku u ishte bërë thirrje njerëzve t’i dorëzonin, i kishte mbajtur. Madje edhe i kishte komentuar me shokë. Mirëpo… arrestohet dhe dënohet me heqje lirie.

Edhe vëllaj tjetër, Ismaili, edhe motra, Fatimeja, mbaruan arsimin e lartë. U shkolluan të tërë. Dhe kjo mund të ketë ndodhur edhe nga fakti, se e ëma kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea” të Janinës.

Ndërkohë Aliu, personazhi i shkrimit tonë, i lindur më 10 qershor të vitit 1934 në Leskovik, i jepet e drejtë studimi në shkollën Pedagogjike të Shkodrës. Mbasi mbaroi këtë shkollë dërgohet për të shërbyer në rrethin e Rroskovecit. Këtu u emrua mësues në shkollën fillore të fshatit Vidhisht, ndërsa një vit më pas, 1955, në atë të Strumit.

Në vitin 1957 emrohet drejtor i shkollës shtatëvjeçare të Rroskovecit. Krijoi autoritet jo vetëm ndër kolegë, por edhe në komunitet. Mbas katër vjetësh në këtë shkollë dërgohet për të kryer shërbimin ushtarak në fshatin Bistrovicë, në një repart ushtarak pune! Kuptohet, ishte vëllaj i një të dënuari politikë!

Siç e thamë edhe pak më lart, dënimi për motive politike i njërit vëlla do t’i linte tërë jetën një “njollë” të zezë në biografi mësuesit të talentuar leskoviqarë. Do t’i linte një “njollë”, që s’do të mund t’ia zhdukte dot as fakti, se familja e tij qe treguar atdhetare e flaktë në raport me andartët grekë, se qe bërë muhaxhire, duke u dërguar në Shkodër për t’u shpëtuar andartëve grekë! I ati, Mahmuti, pasi kishte punuar ca vite në Amerikë, ishte prej andej, sepse e kishte thirrur zëri i Atdheut. Njërëz shumë të afërt të familjes së vetë kishin qënë të lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, ndërsa mbas çlirimit ishin vënë në detyra të rëndësishme në organet e larta të Shtetit!

Falë edhe staturës që kishte krijuar vetëm me punë rezultative, Ali Xhafës iu dha mundësia që të ndiqte studimet e larta me korrespondencë për bio – kimi. Dhe sërish me rezultate të larta.

Në vitin 1965 Ali Xhafa i shkoi përgjegjësit të seksionit të Arsimit të rrethit të Fierit, Omer Haxhia, për t’u transferuar në rrethin e Lushnjes. Nisur nga motive dashamirëse, Omeri nuk ia kishte pranuar kërkesën. “E mira ju është bërë dhe do t’íu bëhet këtu në Fier, – i pat thënë thënë, – prandaj mos lëvizni nga rrethi ynë”. Atëhere Aliu detyrohet t’í shkojë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Faik Ahmeti. Ky i fundit nuk e pat zgjatur shumë; menjëherë ia kishte përciell dokumentet në rrethin fqinj.

Natyrisht, edhe në Lushnje nuk mund të emrohej brënda në qytet, madje as edhe në ndonjë shkollë fshati me emër, por… në atë të Çermë – Sektorit të Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori”. “Do t’ju dërgojmë drejtor në këtë shkollë”, i pat premtuar përgjegjësi i seksionit të Arsimit, Dhosi Jano. “Jo, mos e shtroni në ndonjë forum partie çështjen e emrimit tim si drejtor”, i qe kthyer Aliu. Ky e dinte se ç’do të mund të diskutohej e vendosej për të. Shkoi mësues. Dhe Aliu si Aliu: në pararojë të kolegëve. Ishte i lindur për mësues.

Mbas dy vjetësh Ali Xhafën e emrojnë në shkollën e Dushkut, një sektor më afër qytetit të Lushnjes. Dhe këtu do të shërbente pak më shumë se njëzet vjet, deri ditën që do të dilte në pension.

Edhe në shkollën e mesme e, më pas, në atë tetëvjeçare të Dushkut Ali Xhafa si nëndrejtor apo si mësues bëri emër, paçka se nuk e vinin nëpër presidiume! Një nga ish mësuesit e shkollës së Dushkut, që më pas do të bëhej kuadër në rreth, shprehet me superlative për këtë njëri shëmbullor. “Padyshim, Aliu ishte një nga mësuesit më skrupuloz të shkollës sonë. I shkëlqyer në të gjitha veprimtaritë mësimore e edukative brënda e jashtë shkollës”.

Padyshim, Ali Xhafa ka qënë një nga mësuesit më të dalluar të rrethit të Lushnjes për modernizimin e mësimit. Ai pat krijuar kabinete të botanikës e të zeologjisë. Ndërkohë, ka qënë edhe ndër më të shquarit mësues në shkallë rrethi përsa i përket pajisjes së nxënësve me mjete mësimore vetjake, si me tabela, skica, herbariume, preparate të larmishme, ballsamime etj. etj. Nuk ishte rastësi fakti, që për përgjithësimin e përvojës së tij Ministria e Arsimit e kohës pati organizuar dy seminare kombëtare.

Kopshti botanik i shkollës së mesme të Dushkut ka pas qënë një ndër më mbresëlënësit. Në të mësues Aliu zhvillonte me nxënësit tema mësimore të karakterit teorik e praktikë.

Po gjatë pushimeve verore?

Për mësues Aliun nuk kishte pushime verore. Vihej në krye të një grupi botanistësh e zeologësh të vegjël myzeqarë dhe shkonte në vende të ndryshme të Shqipërisë për të grumbulluar lloje të ndryshme bimësh, kafshësh të vogla a insektesh. Dhe, në fund, gjithçka që mblidhej edhe nga mjaft grupe të tjera të aktivizuara në tërë Shqipërinë, sistemoheshin në një ekspozitë kombëtare, që çelej çdo vit në kryeqytet. Në vitin 1987 grupi i nxënësve të Lushnjes i drejtuar prej këtij mësuesi pasionant zuri vendin e dytë, ndërsa një vit më vonë (1988) zuri vendin e parë.

Ndërkohë që shërbente në fshat, Ali Xhafa aktivizohej edhe në Shtëpinë e Pionierit në qytet, ku ishte drejtues metodist i Rrethit të Natyralistëve të Vegjël të rrethit të Lushnjes.

Dhe, mbas tërë kësaj pune të frutshme, në fshat e në qytet, mjerisht… as edhe një Fletë Nderi! As edhe një rresht shkrim në ndonjë organ shtypi! Gjithësesi, i lindur për mësues, Ali Mahmut Xhafa “dekoratë” mbi dekoratë ka mirënjohjen e mijëra nxënësve

Ndërsa pensioni…. qesharakë: 18 420 lekë në muaj!

Më 6 mars të vitit 1995 Presidenti i Republikës e dekoroi Ali Xhafën me “Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë”. Më 23 janar të vitit 2008 drejtore e Zyrës Arsimore të bashkisë së Lushnjës e nderoi me titullin “Miku i fëmijëve”.

Sa shumë vonë!

Në qershor të këtij viti (2019) Ali Xhafa feston 85 vjetorin e lindjes së vetë. Këto ditë afër 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, teksa kujton nxënësit dhe kolegët e shumtë sytë i mbushën me lotë. Me lotë gëzimi. Atij i buron nga shpirti dashuria për profesionin. Ka një dashuri të atillë, të cilën mbase vet e ka të vështirë ta shpreh të plotë. I ndodh sikundër atij që është shprehur, se fjala e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten dot.

Burimi: Gazeta Dita