Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë. / KultPlus.com