“Nëna ime e dashuronte artin. E dashuronte filmin. Ajo e përkrahte secilën çmenduri që unë bëja, por sa herë që kishte kuptim, ajo më thoshte: “Kjo është ajo për çfarë filmi është.”

Ajo asnjëherë nuk pati karierë si artiste, asnjëherë nuk e pati mundësinë për të shprehur veten përtej orëve të teatrit, por më së shumëti se sa për veten, ajo dëshironte që Xhejmi dhe unë të dijmë se çfarë është të kesh një jetë si artist. Dhe ajo – ajo na dha neve këtë shansë. Ajo më solli në çdo audicion dhe do të priste në veturë për orë të tëra, dhe secilën herë që më refuzonin ajo më bënte të ndihem mirë. Dhe kur më pranonin, do të kërcenim lartë e poshtë dhe do të bërtisnim e ulërisnim si vajza të vogla. Në të vërtet ajo nuk ishte kritika më e mirë sepse asnjëherë nuk pati diçka të pahijshme për të thënë, por ajo më dha dashuri dhe besim, dhe mbi të gjitha ajo ishte shumë e qartë se ‘asgjë nuk do të thoshte diçka nëse unë nuk do ta jetoja jetën në dobi të të tjerëve’. Për një kohë të gjatë unë nuk e kuptoja se çfarë do të thoshte kjo.

U futa në këtë biznes në moshë të re, e brengosur për eksperiencën dhe dhimbjen time, dhe vetëm atëherë kur fillova të udhëtoj, të shoh dhe të jetoj përtej shtëpisë sime e kuptova përgjegjësinë time ndaj të tjerëve. Kur takova njerëz të mbijetuar prej luftërave dhe urisë dhe përdhunimeve unë mësova se çfarë është jeta për shumicën e njerëzve në botë, dhe se sa me fat isha unë që kisha ushqim për të ngrënë, një kulm mbi kokën time, një vend të sigurt për të jetuar dhe kënaqësia e të paturit familjen time të sigurt dhe të shëndosh. E kuptova se sa e strehuar kam qenë unë. Dhe isha e vendosur që asnjëherë të mos jem më e tillë.

Ne që të gjithë, secili në këtë sallë jemi aq me fat. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar se pse disa njerëz janë aq me fat të lindin me shansin që e kisha unë, ta kenë këtë rrugëtim në jetë, dhe pse nëpër botë gjendet ndonjë femër e njëjtë si unë, me të njëjtat aftësi, dhe me të njëjtat dëshira, e njëjta etikë pune dhe dashuri për familjen e saj, e cila me shumë mundësi do të bënte filma më të mirë dhe fjalime më të mira se unë. Vetëm se, ajo qëndron në një kamp refugjatësh dhe nuk ka zë.

Ajo shqetësohet se me çfarë t’i ushqejë fëmijët e saj, si t’i mbajë të sigurtë, dhe se a do tu lejohet ndonjëherë të kthehen në shtëpi. Unë nuk e di se pse kjo është jeta ime, dhe pse ajo jetë është e saj. Unë nuk e kuptoj këtë, por do të bëj ashtu si nëna ime kërkoi, dhe do të bëj më të mirën që mundem më këtë jetë që të jetë e dobishme. Dhe të qëndroj këtu sot do të thotë që unë bëra ashtu si kërkoi ajo. Dhe nëse do të ishte gjallë do të ishte shumë krenare.”